Salman Rushdie, i padëshiruar

Video adresimi kontradiktor i shkrimtarit Sir Salman Rushdie për Festivalin Letrar të Jaipur-it në Indi është anuluar, thotë organizatori i festivalit.
Rreth 30 aktivistë myslimanë kanë tentuar të hyjnë në vendin ku po mbahet festivali për të protestuar kundër video-lidhjes.
Më herët, Sir Salman u tërhoq nga festivali duke thënë se burimet i kanë treguar për një kërcënim me vdekje.
Shumë myslimanë e konsiderojnë librin e tij, “Vargjet Satanike”, blasfemues, prandaj edhe është i ndaluar në Indi.
Sir Salman ka jetuar duke u fshehur për shumë vite pasi Ayatollah Khomeini i Iranit lëshoi një ‘fatwa’, duke kërkuar ekzekutimin e tij.
Islamikët indianë të vijës së ashpër kërkuan që shkrimtarit t’i refuzohet viza për shkak të librit ‘Vargjet Satanike’.
Protestat e së martës u udhëhoqën nga udhëheqësi i All India Milli Council, Paiker Farukh. Ai pretendon se ‘festivali po tenton ta portretizojë shkrimtarin Salman Rushdie si një hero’.
“Ne kemi çdo të drejtë të protestojmë në një mënyrë demokratike dhe nëse popullata myslimane e Jaipur-it i bashkëngjitet protestës, ju nuk mund të na parandaloni”, u tha Farukh gazetarëve përjashta hapësirës Diggi Palace, ku po mbahet festivali.
Policia tha se pronarët e Diggi Palace kanë shfaqur shqetësime rreth sigurisë.
Më herët gjatë ditës, organizatori i festivalit Sanjoy Roy tha për gazetarët se Sir Salman do t’i adresohet festivalit për një orë nëpërmjet një video-konference në ora 15:45 sipas orës lokale.
Shkrimtari do të fliste për romanin e tij fitues të çmimit Booker, “Midnight's Children” dhe për ‘jetën dhe kohërat e tij’, tha Roy.
Ai i mohoi raportimet e mediave se organizatorët duhej të kërkonin ndonjë leje nga autoritetet apo t’u japin atyre ndonjë premtim për t’ia pamundësuar shkrimtarit të flasë nëpërmjet video-lidhjes.
E marta është dita e fundit e festivalit pesëditor, i cili ka tërhequr më shumë se 70 mijë vizitorë, përfshirë shkrimtarët si Tom Stoppard, Michael Ondaatje dhe David Hare.
Policia në Jaipur thotë se janë duke hulumtuar nëse Roy dhe katër shkrimtarët e thyen ligjin duke lexuar pjesë nga ‘Vargjet Satanike’ në festival.
Më herët, Sir Salman i akuzoi autoritetet në Rajasthan për dhënie të ‘informatës së gabuar’ për kërcënimin e tij me vdekje.
Një numër i shkrimtarëve që po marrin pjesë në festival i kanë bërë peticion qeverisë për ta rishikuar ndalimin e ‘Vargjeve Satanike’.
Salman Rushdie u lind në Indi por është shtetas i Britanisë së Madhe, ku ka jetuar gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij.
Viteve të fundit e ka vizituar disa herë Indinë, ndërsa në vitin 2007 ka marrë pjesë edhe në Festivalin Letrar në Jaipur.