E Shtunë, 31 Tetor 2026

2013-2017, projekti “Shqipëria e Zhvilluar” - Edi Rama s’e ndal dot

06-11-2012 / Gazeta 55

Miratimi i buxhetit të ri, lista e projekteve të reja me investime, si dhe reformat strukturore do të mund të garantojnë një vend nderi për Shqipërinë, brenda mandatit të tretë qeverisës “2013-2017”. Qëndrimi bojkotues i Edi Ramës s’do të mund ta ndalë projektin, pasi për zbatimin e tij, shqiptarët do japin votën, pa pyetur për vetot anti-integrim të kreut të opozitës
Berisha: Buxheti i vitit të ardhshëm, më i madhi në historinë e vendit – garanci për rritjen e pagave dhe pensioneve
“Rama, takime me fermerë debitorë ndaj shtetit – fushata me kërriçin do e nxjerrë PS-në forcë të tretë”
 
“Buxheti i vitit 2013 do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit dhe do të ketë si përparësi rritjen e rrogave dhe pensioneve”. Kështu u shpreh dje në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha. Sipas tij, buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë 400 miliard lekë, çka tejkalon dukshëm atë të vitit të kaluar, dhe kjo përbën një arritje madhore në drejtim të përshpejtimit të ritmeve të zhvillimit të vendit. “Kryefjala e këtij takimi është buxheti i shtetit i vitit 2013, i cili, ashtu siç edhe e prisnim, do të jetë buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Buxheti i vitit 2013 tejkalon ndjeshëm buxhetin e vitit që shkoi. Ai rrok shifrën e mbi 400 miliardë lekë dhe kjo përbën një arritje madhore në historinë e këtij vendi, dëshmi e performancës, e funksionimit të modelit ekonomik të kësaj mazhorance, e suksesit të reformave në këtë fushë, dëshmi e faktit se kjo ekonomi e vogël, por dinamike, po i reziston mrekullisht krizës më të madhe që kontinenti ka njohur në 80 vitet e fundit, në rrafshin ekonomik dhe financiar. Natyrisht, buxheti, në përputhje të plotë me filozofinë tonë, do të jetë portofoli i dytë shtesë, i çdo qytetari. Destinacionin e parë dhe jetik, ai e ka në rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ky është një zotim solemn  i kësaj mazhorance dhe siç ka ndodhur çdo vit, do të realizohet edhe vitin që vjen një rritje e tyre, e cila do të tejkalojë në mënyrë të fuqishme inflacionin dhe indeksimin e çmimeve. Një rritje, që do të ketë përparësi rrogat e ulëta dhe të mesme dhe  do ecë në filozofinë tonë  të ngushtimit të diferencave  midis rrogës mesatare dhe rrogës maksimale. Rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë dhe mbetet një nga qëllimet më madhore, por edhe një nga realizimet  më të rëndësishme të kësaj qeverie dhe të qeverisë së mëparshme”- u shpreh kryeministri. Berisha premtoi rritjen e pagave për arsimtarët, mjekët, infermierët dhe punonjësit e administratës. Sipas tij, deri më tani janë rritur me 147% rrogat e arsimit parashkollor, me 132% rrogat e arsimit 9-vjeçar, me mbi 120% rrogat e arsimit të mesëm, me mbi 147% rrogat e mjekëve, me mbi 135% rrogat e infermierëve. “Janë rritur me 147 për qind rrogat e arsimit para shkollor, janë rritur me 132 për qind  rrogat e arsimit 9-vjeçar, janë rritur me mbi 120 për qind rrogat e arsimit të mesëm, janë rritur me 147 për qind rrogat e mjekëve dhe me mbi 135 për qind rrogat e infermierëve. Kjo ka bërë që këto dy sisteme jetike për shërbimet ndaj popullatës të njohin rritje të pandërprerë të cilësisë ndaj qytetarëve. Do të rriten rrogat e punonjësve të administratës, të cilat kanë pasur rritjen më të ndjeshme gjatë viteve që shkoi. Rritje do të ketë në sektorë të caktuar, në përputhje me vështirësitë e tyre, pra, do të ngushtohet më tej diferenca. Në qoftë se në fillim të vitit 2006, për shkak të trashëgimisë së 8 viteve të mëparshme, rroga e kryeministrit ishte e barabartë me 9 rroga arsimtarësh, sot, ajo është e barabartë me 4.5 rroga dhe me shtesat që bëjmë ajo zbret edhe më poshtë dhe kjo distancë zvogëlohet edhe më shumë”- tha ai. Për shefin e ekzekutivit, buxheti i vitit të ardhshëm, do jetë buxheti i finalizimit të qindra projekteve infrastrukturore në të katër anët e vendit, ku përmes të cilave Partia Demokratike do kërkojë mandatin e tretë qeverisës, 2013-2017. Katër vjeçari i ardhshëm, tha Berisha, do jetë mandati i shndërrimit të Shqipërisë në vend të zhvilluar. “Buxheti i vitit 2013 është buxheti i finalizimit të qindra e qindrave projekteve, që po zhvillohen në të katër  anët  e vendit. Ai është buxheti  i themeleve të reja, të mandatit 2013-2017, që ne do t’ju kërkojmë shqiptarëve, me besimin më të madh tek vota e tyre. Natyrisht, edhe për projektin më të shkëlqyer që ne paraqesim në katërvjeçarin e ardhshëm, katërvjeçari i Shqipërisë, vend i zhvilluar. Ne kemi realizuar gjatë këtyre viteve tregues themelor të vendeve të zhvilluara, por sërish nuk jemi. Katërvjeçari që vjen është katërvjeçari i vendosjes së Shqipërisë në grupin e vendeve të zhvilluara”- theksoi kryeministri. Ndërsa theksoi gjithashtu se “buxheti do të jetë buxheti i qytetarit”, pasi 820 mijë qytetarë shqiptarë do të kenë rritje direkt të të ardhurave të tyre mujore nga arka e shtetit. “Kjo do të thotë se nuk do të rriten vetëm rrogat, por do të rriten edhe të gjitha pensionet, natyrisht, me përkujdesjen më të madhe për pensionet më të ulëta, siç e kemi në filozofinë tonë. Ky buxhet  do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer investimeve, të cilat do të jenë qartësisht më të mëdha se investimet e vitit që lëmë mbrapa, do të jenë investimet që do të firmosin përfundimisht projektet e mëdha të një infrastrukture moderne, të denjë për një vend të zhvilluar”- tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›