E Shtunë, 31 Tetor 2026

2013-ta, viti që filloi para 1 janarit

07-01-2013 / Nga Isen Saliu

Më 31 dhjetor në orën 24:00 (ose 00:00) viti 2013 në Maqedoni do të fillojë vetëm zyrtarisht. Sepse faktikisht viti 2013 te ne ka filluar shumë më herët. Dhe ka filluar mbrapshtë. Më mbrapshtë nuk besoj se mundej të fillojë. Viti 2013 filloi më 24 janar, ditën kur u shkel me dhunë kushtetuta dhe ligjet. Vit që fillon me të gjitha parashenjat se do të jetë më  i keq se vitit 2012. Është fakt se kohën e fundit është bë modë në Maqedoni që gjithë ata që kundërshtojnë politikën e Qeverisë aktuale, etiketohen si përkrahës të LSDM-së dhe Brankos (jo Manojlovskit, ose Sinadinovskit, por Branko Cërvenkovskit). Është një “spin” dhe manipulim që fatkeqësisht kalon lehtë tek opinioni shqiptar, posaçërisht te elektorati i verbëruar partiak. Është një manipulim që vjen si rezultat i pamundësisë për të sfiduar VMRO-DPMNE-në dhe Gruevskin me projekte konkrete shqiptare. Mirëpo pa dashur t’u jap rast gojëkëqijve as të hapin gojën me akuzat se autori i këtij teksti “po derdhka lot” për LSDM-në, dua menjëherë të them se ithtarët e LSDM-së nuk do të pësojnë as 10 për qind nga ky buxhet, sa do të pësojnë shqiptarët. Sepse elektorati i LSDM-së jeton në  komunat Qendër, Gazi Babë, Karposh, Aerodorm, Strumicë, e komuna tjera, për ku parashihen qindra miliona investime, për dallim prej komunave ku jetojnë shqiptarët. Nëse Gruevski nuk ngurroi të shkelë ligjet dhe kushtetutën ndaj maqedonasve (të vetëve), aq më pak ai do të ngurrojë  të bëjë diçka të tillë ndaj shqiptarëve. Selami i tij ishte shumë i qartë. Flisni çka të doni, thoni çka të doni, vetëm te paratë (buxheti) mos më prekni. Përkrah partisë shqiptare në pushtet që tani gjatë kohë nuk ia prish planet Gruevskit, brengosëse ishte edhe pamja e një opozite anemike shqiptare. Edhe pse gati tërë historinë e vet e ka ndërtuar duke bojkotuar dhe abstenuar, këto metoda politike ngurroi t’i aplikojë pikërisht kur janë në pyetje paratë (buxheti). Për shkak të sjelljes së këtillë të pushtetit dhe opozitës më të madhe shqiptare, pas këtyre ngjarjeve shqiptarët do të rrinë urtë. Kurse të rrish urtë në një shtet ku ekziston edhe diskriminimi politik (pushtet-opozitë), por para së gjithash diskriminimi etnik (maqedonas-shqiptarë) është vërtetë siklet i madh. Të rrish urtë në një shtet të atillë do të thotë të pranosh në heshtje dhe pa kurrfarë rezistence projektet megalomane të njerëzve të kompleksuar. Aq më tepër kur dihet se sa më të vegjël janë njerëzit, komplekset e tyre janë më të mëdha.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Lajmi”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›