E Diel, 1 Nëntor 2026

Liri Berisha: Nënë Tereza - ikonë e imazhit të Shqipërisë, ambasadore e vlerave të kombit tonë

07-01-2013 / Mina HYSA

INTERVISTA/Flet Presidentja e Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza”: Prej 2008-s kemi punuar për promovimin e figurës së Nënë Terezës përmes dhjetëra aktiviteteve

Zonja Berisha pohon se Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, 5 Shtatori, tani e tutje do të na kujtojë jo që Nënë Tereza nuk jeton më, por që trashëgimia e saj është gjallë dhe e pavdekshme. Nënë Tereza, është simbol i sakrificës, i vetëmohimit, i dashurisë njerëzore, simbol i modestisë, me një energji të pashtershme që buronte nga dashuria që kishte për Zotin

Data që ndërroi jetë Nënë Tereza, 5 Shtatori, është caktuar si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë. Vendimi për këtë datë të shënuar për njerëzimin është marrë me votim dhe vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Shqipëria ka punuar për të arritur në këtë vendim jo vetëm për të nderuar një bijë të kombit të saj por edhe për një kauzë të drejtë sepse është e vështirë të gjendet në historinë e njerëzimit dikush që të simbolizojë më mirë bamirësinë sesa humanistja me origjine shqiptare, Nene Tereza. Shqipëria në këtë proces ka luajtur një rol të dorës së parë në aspektin politik dhe diplomatik dhe jo vetëm. Një kontribut të rëndësishëm përmes impenjimit dhe një pune te madhe, ka dhënë dhe bashkëshortja e kryeministrit së Shqipërisë, znj.Liri Berisha e cila në vitin 2008 të themeloi Fondacionin Kulturor “Nënë Tereza” një organizatë joqeveritare e jofitimprurëse. Në një intervistë Presidentja e Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” flet për 5 shtatorin Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, çfarë përfaqëson kjo datë për shqiptarët, përse vendosi të ngrejë Fondacionin më emrin e Shenjtores shqiptare, si dhe rrëfen punën e bërë nga ky fondacion që drejton për promovimin e figurës së Nënë Terezës. Ja si shprehet më tej zonja Berisha.

Zonja Berisha 5 shtatori dita kur ndërroi jetë humanistja dhe nobelistja me origjinë shqiptare Nënë Tereza është caktuar nga OKB-ja si Dita Botërore e Bamirësisë. Çfarë do të thotë për ju dhe Fondacionin Kulturor Nënë Tereza që drejtoni, kjo datë? A mund të na e përshkruani me pak fjalë figurën e Nënë Terezës?
Së pari dua të theksoj se ky është një vlerësim shumë i rëndësishëm që i bëhet Nënë Terezës, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe për këtë vendim, ne si shqiptarë duhet të ndihemi krenarë. Ky është një nderim që e meritonte Nënë Tereza për kontributin e dhënë dhe të njohur ndërkombëtarisht në ndihmë të të sëmurëve, dhe të varfërve. Vlerësimi i dhënë nga OKB për caktimin e 5 shtatorit si Ditën e Bamirësisë, datë që ndërroi jetë Nënë Tereza, është dhurata më e mirë në këtë 100-vjetor. Tashmë 5 shtatori nuk do të jetë vetëm data kur bota humbi Nënë Terezën, por edhe data në të cilën bota do të sensibilizohet që të bëjë më shumë për të ndihmuar personat në nevojë. Gjithashtu do te kujtohet qe trashëgimia e saj është gjallë dhe e pavdekshme. Nënë Tereza, është simbol i sakrificës, i vetëmohimit i dashurisë njerëzore, simbol i modestisë, me një energji të pashtershme që buronte nga dashuria që kishte për Zotin. Nëna Terezë është një ikonë e jona për imazhin e Shqipërisë dhe duhet të krenohemi me figurën e saj. Ajo është ambasadore e vërtetë e vlerave të kombit tonë në të gjithë botën.

Zonja Berisha e them me bindje që deri në arritjen e këtij rezultati kontribut të padiskutueshëm ka dhënë dhe Fondacioni Kulturor Nënë Tereza i themeluar prej jush. Cili ishte qëllimi i themelimit dhe misioni i këtij fondacioni?
Fondacioni Kulturor Nënë Tereza është krijuar në vitin 2008 me qëllim për të promovuar figurën e humanistet shqiptare Nënë Tereza si dhe organizimin e shumë aktiviteteve të tilla si: mbledhja dhe ruajtja e objekteve të përdorura prej Nënë Terezës si dhe materialeve të tjera qofshin këto materiale filmike, audiovizuale, librave etj, të cilët kanë në qendër të tyre veprën, jetën dhe kujtimin e figurës së Nënë Terezës; organizimi i konferencave, seminareve, dhe aktiviteteve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare; bashkëpunimi me institucionet homologe brenda dhe jashtë vendit. Dhe me e rëndësishmja hapja e shume ekspozitave për Nene Terezën ne shume kryeqytete botërore, me qellim qe gjithkush te njihte qe Nene Tereza ishte me origjine shqiptar. Sot ky Fondacion numëron mbi 3 mijë anëtarë dhe është i shtrirë në të 12 qarqet e vendit madje dhe në Kosovë dhe Maqedoni. Nënë Tereza, është një figurë e cila mbart shumë vlera humane. Ajo është përfaqësuesja brilante e universit shqiptar dhe kontributit të tij në sistemin botëror të vlerave. Jeta, vepra dhe dimensione te saj njerëzore janë nxitja për të ndjekur modelin e bamirëses së madhe Shqiptare. Qëllimi i veprimtarisë së Fondacionit është t’i shërbejë kujtimit të figurës së Nënë Terezës, të promovojë shembullin dhe veprën e saj në Shqipëri dhe jashtë saj, në shërbim të mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe paqes që janë trashëgimi e përbashkët universale.

A mund të na thoni, ndoshta jo të gjitha pasi ato janë shumë, por disa prej aktiviteteve që Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza" ka ndërmarrë për promovimin e humanistes me origjinë shqiptare?
Në kuadër të informimit të publikut mbi aktivitetet e Fondacionit Kulturor Nënë Tereza mund të them që aktivitetet kanë qenë të shumta dhe si qëllim kanë pasur promovimin e figurës se Nënë Terezës e cila ia kushtoi jetën personave në nevojë dhe të varfërve. Kemi qenë gjithnjë te angazhuar dhe te përkushtuar për të promovuar humanisten dhe nobelisten shqiptare Nënë Terezën dhe madje ende pa u krijuar Fondacioni vizita që kam pasur në Romë mesa më kujtohet në vitin 2007 me Papa Benediktin e XVI-të ishte në kuadër të nismës shqiptare për ndërtimin e Muzeut "Nënë Tereza" në Tiranë. Në këtë takim Papa Benedikti i XVI u shpreh se Shqipëria është vendi i Shenjtëreshës më të madhe në botë. Pas krijimit të Fondacionit, në takimin që pata në vitin 2009 me Drejtorin e Përgjithshëm të Korpusit të Paqes, z. Aaron Williams e falenderova për punën dhe ndihmën që vullnetarët amerikane të paqes kanë dhënë gjatë viteve të tranzicionit shqiptar, duke e konsideruar këtë akt si një element thelbësor të miqësisë dhe dashurisë që ekziston ndërmjet popujve tanë. Ne vitin 2010 në selinë e OKB-së në New -York, fale kontributit dhe një bashkëpunimi të shkëlqyer të komunitetit shqiptar në SHBA, u organizua ekspozita me titullin "Nënë Tereza-Gonxhe Bojaxhiu - simbol i gjallë i dashurisë dhe dinjiteti njerëzor”. Ekspozita ishte e pasur me relike dhe sende të përdorura nga Nënë Tereza dhe misioni i saj, me veshje karakteristike, që ka përdorur vetë Nënë Tereza gjatë rinisë së saj, objekte të përdorura nga ajo, vepra artistike dhe libra kushtuar jetës dhe misionit të saj përkushtues, fotografi të shumta, piktura dhe skulptura etj. Ekspozita bashkëshoqërohej edhe me një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës bamirëse të Nënë Terezës nga e cila mori dhe emrin kjo ekspozitë. Qëllimi ishte për të ndarë më të gjithë ata popuj dhe kultura dhe gjithë botën këtë trashëgimi të çmuar, këtë thesar të vyer kombëtar shqiptar, për të cilin të gjithë ndihemi krenar. Po këtë vit, hapem ekspozitë për Nënë Terezën në Shtëpinë e Bardhe ne Washington DC. Sikurse dhe ekspozita në selinë e OKB dhe ajo në Washington DC ishte në kuadrin e aktiviteteve për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Në kupolën e Kongresit Amerikan u ngrit flamuri në nderim hapjes së ekspozitës kushtuar veprës humanitare të Nënë Terezës. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë kongresmenë, zyrtarë të qeverisë amerikane, ambasadorë, përfaqësues të shoqërisë civile, miq të Shqipërisë dhe bashkatdhetarë. SHBA e ka nderuar Nënë Terezën me medaljet më të larta, ndaj edhe hapja e kësaj ekspozite pikërisht në Kongresin Amerikan bëhej për të treguar respektin ndaj këtij vlerësimi. Duke evokuar vlerat e rralla të humanistes shqiptare gjatë fjalës sime theksova se të gjithë në veprimtarinë tonë të përditshme kemi diçka nga humanizmi i Nënë Terezës dhe kjo na bën të ndjehemi krenarë për origjinën e saj shqiptare. Në emër të grupit pro-shqiptar në Kongresin Amerikan përshëndeti z. Eliot Engel. Fondacioni mori falënderimet më të mira për hapjen e kësaj ekspozite, për sjelljen në Kongresin Amerikan të këtyre sendeve me kaq vlerë dhe mbi të gjitha për punën e saj në krye të fondacionit dhe misionin e marrë përsipër. Zoti Engel, na dhuroi ceremonialisht flamurin e ngritur për nder të Fondacionit në Kongresin Amerikan dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të kolegëve të kongresit të SHBA-së për veprimtaritë e ardhshme të Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”. Aktiviteti ynë do të vazhdonte më të tjera aktivitete sigurisht në kuadër të aktiviteteve të organizuara me rastin e 100-vjetorit të lindjes se nobelistes shqiptare Nënë Tereza. Fondacioni Kulturor “Nene Tereza”, organizoi një tjetër ekspozitë shumë të veçante në Tiranë me punimet e piktorit nga Tetova Miftar Memeti, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozita me titull: “Me dashuri për Nenën Terezë” pasqyroi fuqinë krijuese të piktorit i cili realizoi 100 portrete të Nënë Terezës duke krijuar në sfond një portret të vetëm të saj. Zbulimi i pikturës origjinale u parapri nga një performance artistike gjatë së cilës të ftuarit formuan së bashku mozaikun me portretin e Nënë Terezës i cili u krijua nga 100 portrete te vegjël ku janë gërshetuar të gjitha ndjesitë e mundshme shpirtërore të përjetuara nga Nënë Tereza përgjatë një shekulli të vrullshëm, të mbushur me sakrifica dhe përkujdesje për njerëzit. Po në nëntor të vitit 2010 do të vazhdonim më një tjetër ekspozitë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së humanistes shqiptare Nënë Tereza kësaj here në Estoni. Ekspozita u hap në ambientet e Parlamentit të Estonisë ku e pranishme ishte dhe kryeparlamentarja e Estonisë Ene Ergma. Një javë pas hapjes së ekspozitës në Estoni promovuam në Tiranë librin "Shenjtorja Shqiptare" dhe dokumentari "Ikona e Dashurisë" në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës aktivitet që u mbajt në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Shkrimet që përfshihen në këtë botim janë kryesisht kujtimet e takimeve nga njerëz që e kanë shoqëruar Nënë Terezën në Shqipëri. Pra siç e pamë viti 2010 meqë ishte dhe përvjetori 100-të i lindjes së Nënë Terezës ndaj ka qenë dhe një vit i ngjeshur me aktivitete paralele me ato të institucioneve të shtetit por edhe viti 2011 do të shoqërohej nga aktivitete promovuese prej Fondacioni Kulturor Nënë Tereza. Në vijim të aktiviteteve të shumta të organizuara gjate vitit 2010 për përkujtimin e Nënë Terezës dhe promovimin e veprës së saj, Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza” hapi në shkurt të 2011 ekspozitën e projektit të memorialit Nënë Tereza. Më pas në vijim të asaj çfarë kishim diskutuar në Tiranë me kryetaren e Bashkisë së Milanos me mbështetjen znj. Letizzia Moratti hapen në ambientet e Pallatit Marino ekspozitën me titull “Nënë Tereza. Fëmija me emrin Gonxhe”, dedikuar humanistes së madhe shqiptare. Ekspozita me objekte, fotografi, dorëshkrime, filmime tregon jetën e Nënë Terezës që nga fëmijëria, prejardhja e saj shqiptare, deri tek misioni i saj në Indi dhe në mbarë botën. "Kryetarja e Bashkisë së Milanos, Letizzia Moratti, vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me Fondacionin Kulturor Nënë Tereza, për kurorëzimin në Milano të një iniciative të rëndësishme kulturore, siç është hapja e ekspozitës në nderim të kësaj figure të rëndësishme për mbarë njerëzimin dhe që përfaqëson gjithashtu vlerat më të mira të popullit shqiptar. Fondacioni Kulturor Nënë Tereza pas një rrugëtimi të suksesshëm në shumë vende të botës në përvjetorin e nëntë të lumturimit të saj solli ne Tirane, në Tetor të 2011, ekspozitën me titull: “Nënë Tereza. Vajza me emrin Gonxhe”. Nëpërmjet kësaj ekspozite kishim si qëllim të transmetonim dhe promovonim sërish vlerat të tilla si: dinjiteti njerëzor, liria, barazia dhe solidariteti, të cilat Nënë Tereza i përfaqësoi më së miri për t’i  induktuar si udhërrëfyes shpirtëror për shoqërinë tonë. Ekspozita solli të kuruar me një kujdes të veçantë edhe pjesën e udhëtimit shpirtëror të Nënë Terezës. Ky udhëtim shpirtëror kartelizohet nëpër fjalë të tilla kyçe dhe shumë domethënëse si: Rrënjët, Paqja, Zoti, Dashuria, Buzëqeshja, Besimi, Vuajtja, Uria, Varfëria, Shenjtëria, Gëzimi, Heshtja dhe Lutja. Në këtë ekspozitë është paraqitur edhe Projekti i Memorialit të Nënë Terezës, i cili do të jetë jo vetëm shtëpia e vlerave të Nënë Terezës, por dhe shtëpia e vlerave të gjithë kombit shqiptar. Dy ditë më pas, në përkujtim të Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, isha e ftuar në një ceremoni të veçantë, ku një shesh shumë i njohur dhe i dashur për qytetarët e Budapestit mori emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza. Po në këtë shesh, në Distriktin e XII, autoritetet hungareze vendosën dhe një statujë të Nënë Terezës për të nderuar figurën e saj. Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Nunsit Apostolik të Vatikanit, Kryepeshkopit Alberto Bottari de Castello, Kardinalit të Hungarisë Peter Erdo dhe bashkëshortes së Presidentit të Hungarisë Zj. Anita Herczegh. Pata nderin dhe kënaqësinë për të zbuluar bashkërisht pllakatën me emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza, nga i cili ky shesh do të njihet në vijim nga qytetarët hungarezë. Në fund të muajit nëntor Fondacioni Kulturor Nënë Tereza në bashkëpunim me Lordin Ëatson të Richmondit në Londër nderuan figurën e Nënë Terezës në një takim përkujtimor në Katedralen Westminster Abbey të kryeqytetit britanik. Këtij takimi i parapriu fillimisht një meshë e cila u mbajt për të nderuar shenjtoren Nënë Tereza. Lordi Watson i Richmondit shfaqi një interes të madh në drejtim të punës së Fondacionit gjatë një vizite të kryer më herët në Tiranë.

Ju shohim të ndihmoni fëmijët, në forma të ndryshme si; me rastin e festave, apo dhe raste të tjera por sidomos përmes themelimit të Fondacionit Fëmijët Shqiptar që ju drejtoni po jepni një kontribut që duhet vlerësuar shumë. Besoj i gjithë ky përkushtim do të ketë ardhur si frymëzim nga Nënë Tereza?
Sigurisht Nëna Terezë, është model për të gjitha gratë shqiptare dhe jo vetëm. Është model edhe në të gjithë botën. Është një shembull i jashtëzakonshëm vetëmohimi. Është padyshim një shembull që më frymëzon në punën time dite pas dite. E kam takuar disa herë dhe në çdo takim që kam pasur me të, më ka lënë përshtypje të veçanta. E para përshtypje që të krijohet kur e shikon thua: Ai shpirt dhe ajo zemër kaq e madhe si qëndrojnë në atë trup aq të vogël dhe të brishtë! Ajo kishte besim shumë të madh te Zoti dhe atë besim e kthente në një force të pakufishme në dashurinë ndaj njerëzve. Në themel të punës së Nënës Terezë ishte humanizmi, mirësia, sakrifica, dashuria, vetëmohimi ndaj të braktisurve dhe atyre që ishin pa asnjë lloj shprese. Ajo brenda shpirtit të saj kishte shumë energji dhe forcë dhe, gjithë kjo i reflektohej në zërin e saj që ishte shumë kumbues, jo vetëm kumbues por edhe imponues deri diku. Ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë modestia. Në çdo rast, në çdo takim, në çdo bisedë që bëhej ajo e kthente në funksion të qëllimit të saj. E kthente në funksion të njerëzve të braktisur, të njerëzve të varfër, të njerëzve të pashpresë. Jeta e saj ishte një udhëtim i gjatë, udhëtim i vështirë midis të braktisurve prej të cilëve ajo nuk është ndarë tërë jetën e saj. Dhe, me misionin e saj ajo ka kapërcyer të gjithë kufijtë dhe është bërë një shenjtore që i përket jo vetëm Shqipërisë por të gjithë njerëzimit. U bë nëna e të gjithë të varfërve dhe të gjithë nevojtarëve. Ajo ka qenë me ne pavarësisht se nuk arriti të vinte në vendin e saj. Nuk e ka harruar kurrë vendin e saj dhe siç ka shkruar në letrat të cilat po dalin tani, ka thënë se “lutem çdo ditë për vendin tim. Unë lus Zotin për njerëzit e mi”. Në ceremoninë e Çmimit Nobel ajo e tha hapur se me gjak është shqiptare dhe se i përket gjithë njerëzimit. Madje në letrat e fundit që Nëna Terezë ka shkruar dhe që po flitet tani, ka kërkuar që të prehet pranë nënës së saj. Ajo edhe pse ka jetuar larg, kurrë nuk e ka harruar nënën e saj e as vendin e saj.

Dhe së fundmi çfarë gjen një grua shqiptare të figura Nënë Terezës?
Unë mendoj që te çdo grua shqiptare gjen diçka nga Nëna Tereza pasi ajo i ka dhënë gruas shqiptare kurajon, besimin, thjeshtësinë, forcën, jo vetëm për të zgjidhur problemet por edhe për të ndihmuar njerëzit te cilët kane nevoje.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›