E Hënë, 2 Nëntor 2026

21 Janari, Berisha: Do shkoj nesër në SPAK, ky është hetim politik

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokatike, Sali Berisha, tha sot se do të paraqitet nesër në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi u thirr në lidhje me hetimet që po kryhen për protestën e 21 janarit 2011, ku u vranë katër protestues para Kryeministrisë. Berisha e cilësoi hetimin si politik.

“Unë në çdo njoftim që thirrem nga gjykata dhe prokuroria e vendit, unë kam shkuar dhe do shkoj. Do shkoj nesër. Nesër do jem aty. Ndonëse e deklaroj që sot që ky është një hetim politik, sepse ajo çështje është hetuar me ekspertë shqiptarë, ndërkombëtarë e me radhë. Është hetuar ajo. Është bërë i plotë hetimi në të katër anët”, tha Berisha.

Berisha kritikoi SPAK-un si një “vegël e kësaj qeverie”, duke akuzuar institucionin për keqinformim dhe manipulim dokumentesh në shërbim të pushtetit aktual.

Sipas Berishës, SPAK “përdori një akt ligjor, të ligjshëm, për të bërë dy javë propagandë në shërbim të qeverisë”.

Berisha tha gjithashtu se 21 Janari “ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit”.

“Ishte një skenar dhune i paralajmëruar dhe e vërteta, në zgjidhjen e atij problemi, pati një angazhim shumë serioz të qeverisë së SHBA”, u shpreh Berisha.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin. /j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›