E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 Janari, Rama: Bashkimi me LSI-në krijon kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi

TIRANE - I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e konsideroi aleancën me LSI-në si çelësin për transformimin e Shqipërisë dhe largimin e kryeministrit Berisha, që siç tha ai, “po mban peng vendin”.
I pyetur se si do të mund t’i kapërcejë ngjarjet e 21 Janarit, kryesocialisti theksoi se bashkimi i së majtës do të krijojë mundësi që drejtësia të vendoset në vend.

“Do ti ftoja të gjithë ti bënin pyetjen vetes pse Edi Rama e ka kapërcyer aspektin personal. Si ka mundësi që i ka harruar të gjitha këto? Përgjigja e kësaj pyetjeje është se mbase në jetën private mund të ndodhë ndryshe por në jetën publike. Nuk do të vijë një pushtet personal për mua por një transformim për Shqipërinë duke larguar përfundimisht nga skena njeriun që e mban peng Shqipërinë me një histori shumë të gjatë. Gjithçka tjetër sado idealist dhe bukur të jetë shkruar siç është programi ynë mbetet vetëm një copë letër që harrohet. 21 Janarin e mbajnë hapur ose ata të cilët shohin bashkim me sytë e Bulevardit. Pra ose të lënduarit drejtpërdrejtë ose ata që vranë dëshmorët e 21 Janarit. Apo justifikuan me burimet e propagandës vrasjet. Këta të dytët unë i neveris. Këta që po ndyjnë penën me gjakun e 21 Janarit apo të tjerët në pushtet që ngjyejnë gjuhën me gjakun e 21 Janarit u neveris. U kam lënë mallkimin e zotave. Këta të tjerët që janë emocionalisht të përfshirë në 21 Janarin janë ata që më bëjnë të mos lodhem kurrë së shpjeguari një të vërtetë shumë të thjeshtë. Bashkimi ynë është e vetmja fuqi që e garanton 21 Janarin si një çështje që nuk mund të mbyllet si farsë. Bashkimi ynë sjell fitoren e PS dhe të gjithë këtij koalicioni. Sjell vendosjen time personalisht dhe gjithë forcës sonë politike jo përballë përgjegjësisë për të folur për 21 Janarin por për të krijuar kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi” – u shpreh Rama.

Duke iu referuar kërkesës së PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së Ilirjan Muho, i propozuar nga LSI, Rama akuzoi kryeministrin se ka rrënuar institucionet demokratike dhe imazhin e ekonomisë në sytë e botës.

“aAo që ka ndodhur me KQZ është një shprehje brutale e së vërtetës që zgjedhjet janë të kërcënuara dhe që kërcënimi vjen nga i njëjti person dhe e njëjta parti. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të kapërcyer të shkuarën të gjithë së bashku dhe arsye që në 23 qershor të ndryshojmë fytyrën e këtij vendi. Anëtari i KQZ mund të hiqet vetëm kur kryen një vepër penale apo vdes. Askush nuk ka vdekur, ajo që ka vdekur është vetëm pushteti i Saliut.”, - u shpreh Rama. 

I pyetur nëse negociatat me Ilir Metën kanë një pikënisje nga darka e Gjirit të Lalëzit, Rama tha: “Po ka një pikënisje, një vendosje komunikimi që në atë kohë kishte atë funksion që unë kam thënë, por që sigurisht që hapi edhe rrugën e një komunikimi njerëzor, që është pjesë e patjetërsueshme e një procesi afrimi dhe bashkëpunimi, Bashkimi mes përfaqësuesish politikë të ndarë për një arsye dhe nuk është rastësi e kotë, por është pjesë e teknikës së negocimit edhe mes forcash ekstremalisht të kundërvendosura që të krijojnë kushtet për komunikim njerëzor, siç kemi rastin për periudhën e përgatitjes së paqes së famshme Izrael-Palestinë.”

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›