21 Janari, gardistët: Qëlluam me armë pa marrë urdhër
Tiranë- Seanca gjyqësore për ngjarjen e ’21 Janarit’ të vitit të shkuar ka vijuar sot me dëshmitë e gardistëve, dy prej të cilëve pranuan përpara togave të zeza se kanë qëlluar me armë zjarri ditën e demostratës.
Gjykata e Tiranës dëgjoi dëshmitë e gardistëve Mark Nikolli dhe Spartak Zilja të cilët shpjeguan sesi kishin qëlluar me armë zjarri kur demostruesit kishin shkatërruar derën kryesore të Kryeministrisë.
Pasi sipas tyre ky veprim vuri në rrezik një institucion kushtetues dhe ishte detyra e tyre që ta mbronin atë. Ata thanë se kishin qëlluar pa marrë urdhër dhe jo në drejtim të turmës por në ajër.
Efektivi i policisë speciale, Meleq Zaimi tha se nuk kishte qëlluar pasi aty ku ai ishte pozicionuar me 21 Janar nuk kishte demostrues që rrezikonin institucionin. Gjyqi i “21 Janarit ku nën akuzë janë ish-kreu i gardës Ndrea Prendi, gardisti Agim Llupo dhe shoferi i gardës Margarit Kume do të vijojë ditën e enjete me dëshmitë të tjera.
Më 18 Korrik në bankën e dëshmitarëve numri 2 i Gardës së Republikës, Alfred Ahmetcenaj ka dëshmuar se Garda nuk ka marrë urdhër nga askush për të qëlluar. Ahmetcenaj ka dëshmuar për plot një orë e 30 minuta se as ai , as ndonjë nga zinxhiri komandues i Gardës nuk ka dhënë urdhër për të qëlluar më 21 Janar, por efektivët sipas tij kanë qëlluar me armë për shkak të itensistetit të lartë të sulmit që demonstruesit ushtronin ndaj forcave të policisë dhe gardës.
Për gjatë gjithë dëshmisë së tij, ai mbrojti veten dhe efektivët e Gardës, teksa theksonte se përgjatë 21 Janarit është vepruar konform ligjit dhe janë ruajtur objektet e sigurisë së vecantë, në këtë rast kryeministria.
/IDEA/