E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janar, drejtësi për viktimat e pushtetit të Berishës

Asllan Dogjani/deputet i PS-së 

-Pas dy ditësh, të gjithë shqiptarët do të përkujtojnë një nga ditët më të vështira, atë të 21 Janarit, ku në mes të kryeqytetit dora vrastare e këtij pushteti ndau nga jeta 4 dëshmorët më të rinj të betejës shqiptare për demokraci, shtet ligjor dhe mirëqenie. Sot, mbarë shqiptarët dhe familjarët e këtyre 4 viktimave, që u vranë në sy të të gjithë botës dhe që sot e kësaj dite përgjegjësit e vërtetë, të vrasjes së tyre, nuk janë vënë përpara përgjegjësisë, kërkohet drejtësi. Drejtësi për të qetësuar shpirtrat e Akeksit, Faikut, Ziverit dhe Hekuranit si dhe për të vënë drejtësinë në vend për fëmijët dhe familjarët e tyre.  Në këto dy vite, është kërkuar e rikërkuar që institucionet, të ashtuquajturat të pavarura, të kishin zbardhur këtë ngjarje tragjike si dhe urdhëruesit apo ata që guxuan që të gjuajnë mbi njerëzit e pafajshëm që protestonin përpara qeverisë, por sot e kësaj dite asnjë gjë nuk është bërë. Këto ditë,edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi,ai I Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo OSCE-së kanë apeluar për përfundimin në kohë dhe në mënyrë të pavarur të procesit gjyqësor për ngjarjet tragjikë të 21 janarit. Me këtë qeveri, e cila është e zhytur deri në grykë në gjak e korrupsion, duket se do zvarritet kjo ngjarje tragjike për të cilën po mundohet të hidhet baltë, me “ekspertë’ që hedhin poshtë edhe ekspertizën e FBI-së. Drejtësia arrihet vetëm duke forcuar shtetin e së drejtës. Për vrasjet e 21 Janarit duhet një hetim dhe shqyrtim i procesit gjyqësor i cili deri tani ende nuk ka përfunduar. Ky proces duhet të përfundojë në një kohë shumë të shpejtë dhe në mënyrë të pavarur. Kjo ngjarje nuk mund të lihet në harresë ndaj duhet të zbardhet sa më të shpejt. Ndaj, në kujtim të Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit ftoj qytetarët që të jemi të gjithë së bashku në marshimin e heshtur që do organizohet nga familjarët e të ndjerëve, në orën 11.00 në vendin ku 2 vite më parë u vranë 4 dëshmorët.  Në shenjë nderimi, të vendosim kurora me lule në kujtim të tyre, në kujtim të kësaj dite të zezë. Në kujtim të drejtësisë së mohuar, e cila do vihet në vend pas 23 qershorit.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›