E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, Berisha: Puci, goditje e fortë për integrimin në BE

TIRANE- Kryeministri Berisha deklaroi sot ne mesditë se demonstrata e 21 janarit, të cilën ai e cilëson si “puc shteti” dëmtoi imazhin e vendit.

“21 janari mbetet datë e zezë në historinë kombëtare. Një grusht pucistësh të udhëhequr nga Rama, Ruci, Gjinushi bënë gjithcka për të rrëzuar një qeveri legjitime, e cila kishte realizuar për shqiptarët arritjen më madhore, atë të heqjes së vizave”- deklaroi Berisha në mbledhjen e komitetit ndërministror të Integrimit, të cilën e thirri  për të shqyrtuar punën dhe për t’i dhënë përgjigje 12 kërkesave kryesore të Komisionit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Grushti i shtetit i dha një goditje të fortë projektit të integrimit në Europë”- tha Berisha duke shtuar se përkufizimin e tij për atë që ndodhi më 21 janar e mbështeste në përkufizimet e fjalorëve të botës. “ Atyre të cilët irritohen me cilësimin grusht shtetit të asaj që ndodhi më 21 janar i kërkoj tu referohen përcaktimeve të tij në të gjithë fjalorët e botës. Në 20 prej tyre e quajnë të tillë përpjekjen për përmbysje me dhunë të një qeverie nga grupe të vogla.”

Kryeministri akuzoi kreun e PS-së Edi Rama, Skënder Gjinushin dhe Gramoz Rucin se organizatorë të sulmit të 21 janarit, që "dialogut politik i ofruan tritol, bomba molotov dhe dhunë të paparë".

 “Kreu i PS, dhe dy ministra të diktaturës moniste, Gramoz Ruci e Skënder Gjinushi ndërmorën përpjekjen më kriminale, më të dënueshme dhe më të paimagjinueshme të pucit, të marrjes së pushtetit me dhunë. Sulmuan me 200- 300 banditë të paguar, me një skenar të parapërgatitur, qeverinë legjitime të vendit, pushtimin e kësaj ndërtese ku në vend të përfaqësuesve të popullit shqiptar do të mund të uleshin banditë. Në vend të Bashës do ishte Tomi Doshi. Në vend të Nishanit, do ishte Taku, Spartak Ngjela.”- nënvizoi Berisha duke i akuzuar se "i kanë bërë vendit dëm të madh, duke bërë që Shqipëria të listohet në vendin ku tentohen grushtet e shtetit."

Kreu i qeverisë tha më tej se përpjekja për të marë pushtetin me forcë, mori një përgjigje të fuqishme falë policisë dhe gardës dhe paralajmëroi se “Cdo sulm tjetër do të jetë fatal, si për bvanditët ashtu dhe për organizatorët.”

Komiteti ndërministror miratoi planin e punës për secilin prioritet në përputhje me KE-në. Për secilin prioritet janë përcaktuar 12 grupe pune dhe për secilën standar, KE kërkon përllogaritje të qartë.
Për prioritetin e parë që ka lidhje me parlamentin dhe funksionimin e dialogut politik, Berisha sulmoi opozitën se “Dialogut të politikës Rama Gjinushi e Ruci i ofruan tritol, bomba molotov dhe dhunë të paparë.

Lidhur me avokatin e Popullit Berisha i kërkoi Topalli ti bëjë thirrje opozitës të caktojë emrin dhe mazhoranca do e votojmë. Për emërimin e anëtarëve të gjykatës së lartë e kushtetuese, Berisha tha se cështja është në shqyrtim në gjykatën Kushtetuese dhe “Kam besim se Gjykata do të japë përgjigje finale e parlamenti do procedojë me shqyrtimin”
Sa i përket reformës zgjedhore Berisha tha se pozitive në këtë aspekt është miratimi i ligjit, dhe garantoi se zgjedhjet e 8 majit do të jenë të lira e të ndershme.
“Oferta jonë ka qenë që opozita të dërgojë cdo amendament dhe ti dërgojë në parlament. Natyrisht pucistët zgjodhën pucin dhe kanë bërë një zgjidhje fatale”- shtoi Berisha.
Lidhur me administratën publike, kryeministri tha se janë bërë përparime por është i domosdoshëm fillimi i Universitetit të adminsitratës publike, ku të gjithë punonjësit e administratës ti nënshtrohen. Prioritet mbetet dhe reforma në drejtësi.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›