E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, PS, Tahiri: Prokuroria të hetojë Berishën e Bashën

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Sajmir Tahiri reagoi sot pas kërkesës së kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së, Besnik Bare, Tom Doshi dhe Taulant Balla. Në mungesë të liderit të opozitës, Tahiri bëri publik qendrimin e partisë më të madhe opozitare në vend për hetimet e deritanishme, të 21 janarit. Në emër të gjithë deputetëve socialistë, pjesëmarrës në protestën e 21 janarit, Tahiri tha se të gjithë janë të gatshëm t’i nënshtrohen hetimit, pasi deputetët Balla, Doshi e Bare, nuk kanë bërë as më pak e as më shumë se ne.

“Lideri i opozitës ndodhet për një vizitë një ditore në Gjermani. Në emër të PS dhe deputetëve të saj shpreh vullnetin e plotë për të mbështetur hetimin e 21 janarit, nëse i duhet kontributi i 3 deputetëve por edhe të tjerëve, ne jemi të gatshëm të hetohemi. Vetë kryetari i PS-së Edi Rama thekson se në mungesë të imunitetit të tij parlamentar është në dispozicion të prokurorisë së bashku me të gjithë deputetët. Edhe unë nuk shoh asnjë arsye pse të mos jem pjesë e hetimit. Ne të gjithë nuk kemi bërë më pak, as më shumë se sa demonstrim”, tha ai.

Tahiri deklaroi më tej se organi i akuzës duhet të kishte kërkuar sot të hetohej edhe kryeministri i vendit Sali Berisha e ministri i Brendshëm i asaj kohe Lulzim Basha.
“Të kërkosh imunitetin e 3 deputetëve dhe jo të Sali Berishës nuk është aspak normale, nuk kërkohet as për eprorin e drejtpërdrejtë të vrasësve, Lulzim Basha. Ata duhet të hetohen deri në fund, të merren në procedim menjëherë... Sali Berisha dhe Lulzim Basha vranë 4 njerëz, dhanë urdhër të hapet zjarr mbi njerëzit. Prokuroria duhet t’i hetojë, përndryshe kërkesa për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve të PS do na duket manovër për të krijuar ekuilibër të papranueshëm në hetim. Nëse Sali Berisha do të lihet jashtë hetimeve, nëse Lulzim Basha do të lihet jashtë hetimeve, madje edhe Gjergj Lezhja, përgjegjësi direkt për mirëmbajtjen e serverit dhe shërbëtori i parë i Berishës në atë godinë do të lihet jashtë hetimeve, opozita do ta konsiderojë përfshirjen e tre deputetëve të saj në hetim, si një kalkulim ekstra ligjor të prokurorisë, për të dalë mbi palë, por në fakt për tu bërë palë me pengimin e drejtësisë për 21 janarin”, tha Tahiri.

Ai i kërkoi Prokurores së Përgjithshme Ina Rama të vazhdojë hetimin e të mos bjerë pre e shantazheve të Sali Berishës, ndërsa vendimin e gjykatës për të lënë në arrest shtëpie tre personat e akuzuar, Tahiri e cilësoi të turpshëm.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: 21 janari, PS, Tahiri: Të hetohet Berisha e Basha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›