E Diel, 1 Nëntor 2026

“21 janari”, i padrejtë sulmi ndaj gjyqtarëve

08-02-2013 / Gazeta 55

+ Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dënon sulmin: Institucionet mbrohen

+ Gjykata e Tiranës: Deklaratat cenojnë procesin e rregullt ligjor

+ Arvizu: Hetimeve t’i adresoheshin edhe organizatorët dhe sjellja e demonstruesve

UPDATE- E quan të padrejtë sulmin ndaj trupës që shpalli vendimin për pafajësi të të pandehurve për vrasjet e 21 janarit. Institucionet nuk forcohen duke i sulmuar, por duke i mbrojtur-thotë ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i cili mbështeti deklaratën e gjyqtarëve
Të njëjtin qëndrim ministri mban dhe për sulmin ndaj gjyqtarëve, nga disa të përditshme, që ministri i drejtësisë i cilësoi si të opozitës. Sipas Halimit bëhet fjalë për një proces shumë transparent që nga organizimi i demonstratës së dhunshme nga Edi Rama deri në vendimin e gjykatës.
Ministri Halimi sjell në vëmendje se institucionet në Shqipëri, si në çdo vend tjetër të botës mbrohen nga ligjet e vendit dhe ato duhen respektuar. “Ka një praktikë të konsoliduar botërore lidhur me vendimet e gjykatave në rastet kur sulmohen nga institucionet. E qartë është edhe eksperienca shqiptare”- kujton Halimi.
Vendimi i Gjykatës për shpalljen të pafajshëm për akuzën e prokurorisë se të pandehurit i referohet për analogji dhe një vendim të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut më rastin kur nxori te pafajshëm policin qe vrau gjatë demonstratave të dhunshme kundër samitit të G8 në Xhenova të Italisë në vitin 2001.

Gjykata e Tiranës: Deklaratat cenojnë procesin e rregullt ligjor

Gjykata e Tiranës ka reaguar ndaj deklaratave politike dhe asaj të Ambasadës Amerikane ndaj vendimit për “21 janarin”. Trupa gjyqësore që dha vendimin për shpalljen të pafajshëm dy gardistët e akuzuar për 4 vrasjet më 21 janar ka deklaruar Deklaratat e Ambasadës Amerikane për vendimin janë paragjykuese ndaj një procesi të drejtë, ligjor e të paanshëm.
Tre gjyqtarët Besnik Hoxhaj, Ardiana Beraj dhe Arjana Gunbardhi janë shprehur se deklarata e ambasadës amerikanë ndërhyjnë në procesin e rregullt ligjor dhe sipas tyre i takon Prokurorisë të ndjekë hapat e rregullt ligjorë pas vendimit të dhënë.
Nga ana e saj Gjykata e Tiranës ka deklaruar vendosmëri në sundimin e ligjit për çdo proces të zhvilluar.

Arvizu: Hetimeve t’i adresoheshin edhe organizatorët dhe sjellja e demonstruesve

Kryediplomati amerikan në Tiranë thotë se në mënyrë që hetimi ishte i besueshëm dhe që ky hetim të ishte i tillë, duheshin adresuar disa elementë si: “kush e organizoi, sjellja e demonstruesve dhe sjellja e Gardës së Republikës”

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu i është përgjigjur deklaratës së Gjykatës së Tiranës lidhur me përfshirjen e ambasadës amerikane në këtë proces. Arvizu ka hedhur poshtë ndërhyrjen e SHBA në këtë proces, duke deklaruar se përfshirja buron nga kërkesa e Prokurorisë për asistencë teknike në hetim, e miratuar kjo edhe nga qeveria. “Kjo akuzë është e pabazë përfshirja jonë buron drejtpërdrejt prej një kërkese nga Prokuroria e Përgjithshme dhe kjo është miratuar edhe nga qeveria, që SHBA të ofronte asistencë teknike që të lehtësonin hetimin”.
Sipas tij, ky rast gjithmonë ka qenë e do të jetë një çështje shqiptare, jo një çështje amerikane, pasi nuk ka pasur qytetarë amerikanë të përfshirë në të. Më tej, lidhur me verdiktin e 21 janarit Arvizu referoi se, SHBA e kanë bërë të qartë që hetimi duhet të ishte i besueshëm dhe që ky hetim të ishte i tillë duheshin adresuar disa elementë si: “kush e organizoi, sjellja e demonstruesve dhe sjellja e Gardës së Republikës”. “Para së gjithash në vijim të asaj dite të tmerrshme të 21 janarit SHBA e kanë bërë të qartë, që mënyra më e mirë për ta adresuar këtë tragjedi të tmerrshme ishte një vendim, në atë që e shkaktoi këtë ngjarje dhe kemi theksuar se ky lloj hetimi duhet të ishte i besueshëm. Besueshmëria ishte koncepti ky dhe që hetimi të ishte i besueshëm duheshin disa elementë si: kush e organizoi, sjellja e demonstruesve dhe sjellja e Gardës së Republikës. Ky ka qenë gjithnjë pozicioni ynë dhe nuk ka ndryshuar”- theksoi ai.
Këto deklarata ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Aleksandër Arvizu I ka bërë pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme, i cili zgjati për rreth 45 minuta. Duke folur për këtë takim, Arvizu theksoi edhe njëherë bashkëpunimin e vazhdueshëm me këtë institucion dhe i ka shprehur falenderimet për këtë çështje. “Në takimin me Llallën e kam falënderuar zyrën e tij dhe prokurorët, të cilët kanë punuar shumë fort që kjo çështje të sillej para drejtësisë”- përfundoi Arvizu.

Sequi: Të shmanget polarizimi i çështjes

Kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Trianë, Ettore Sequi, ka deklaruar sot se procedurat lidhur me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011, duhet të përmbyllen në një proces gjyqësor të besueshëm. Sipas tij, ky proces duhet të tregojë pavarësi, paanshmëri dhe përgjegjshmëri. Për ambasadorin Sequi, Bashkimi Europian konstatoi dhe tha se, kjo çështje është e apelueshme. Sequi nënvizoi gjithashtu se duhet shmangur polarizimi i çështjes.

Akuza: Do apelojmë vendimin

Organi i akuzës do ankimojë vendimin e Gjykatës që çoi në lirimin e gardistëve.
Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, cila shpalli të pafajshëm ish komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale, Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e tre prej katër manifestuesve që u qëlluan me armë zjarri gjatë protestave të dhunshme të opozitës në 21 Janar të vitit 2011, pas rrethimit 5 orësh të selisë së Këshillit të Ministrave, prokuroria është vënë në lëvizje për të ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit. Prokurorët e çështjes Blerim Tominaj dhe Adriatik Camaj kanë formular ankimin që do të dorëzohet në Gjykatën e Apelit mëngjesin e së hënës. “Ne do të bëjmë apelin pavarësisht vendimit ende të pazbardhur nga gjykata. Ankimi do të jetë i bazuar mbi ato pika që citoj gjykata në seancën e djeshme. Në momentin që do të zbardhet i argumentuar vendimi, ne do të bëjmë përsëri ankimin plotësues mbi argumentet e renditur nga gjykata në vendimin përfundimtar”, - thanë prokurorët.
Sipas institucionit të akuzës, do të kundërshtohen të gjitha pikat e pretenduara nga gjykata si shkak për pafajësinë e tyre. “Ne do paraqesim provat dhe argumentet tona në apel, duke mbështetur pretencën për dënimin e Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Do t’i provojmë gjykatës se asnjëri nga të pandehurit nuk kanë qenë të kërcënuar nga viktimat e vrarë. Të gjithë ishin duar në xhepa kur janë ekzekutuar. Ne i quajmë vrasje me dashje, pavarësisht që viktimat nuk ishin të shënjestruar. Gjithashtu, edhe vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, nuk ka asgjë të përbashkët me rastin e vrasjeve të 21 janarit” - thonë prokurorët të cilët edhe në apel do të kërkojnë dënimin e Prendit me 23 vjet burg dhe për Llupon 25 vjet heqje lirie.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›