Yilmaz: “Kush dëshiron që Ballkani të jetë i qetë duhet të dëshirojë një Shqipëri të fuqishme”
Ministri turk i Mbrojtjes konfirmon standardin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë. Këndvështrimin strategjik për çështjet rajonale, ministri Yilmaz ua parashtroi dje edhe presidentit Nishani, kryeministrit Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka pritur dje homologun e tij turk, Ismet Yilmaz, i cili, në krye të një delegacioni të lartë, po bën një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Dy delegacionet zhvilluan bisedime dypalëshe, duke marrë fjalën në këtë takim ministri Imami u shpreh se, vizita e ministrit të Mbrojtjes së Turqisë është një tregues i qartë i rëndësisë që Qeveria Turke i jep bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë, si dhe vullnetit të fortë për ta çuar këtë bashkëpunim edhe më tej në fushat me interes të ndërsjellë.
Ndërsa ministri Yilmaz theksoi se midis Shqipërisë dhe Turqisë ka lidhje të forta miqësore të cilat i kanë rrënjët e thella në historinë tonë. “Mirëqenia dhe zhvillimi i Shqipërisë është një kusht i pazëvendësueshëm për stabilitetin e të gjithë rajonit. Për këtë arsye Turqia po vazhdon të ndjek me interes reformat që po kryhen në Shqipëri dhe përpjekjet e saj për paqen në të gjithë Ballkanin. Sukseset tuaja janë sukseset tona, lumturia juaj është lumturia jonë. Shqipëria këto 20 vitet e fundit ka pësuar ndryshime rrënjësore. Shqipëria sot është ylli në ngritje i Ballkanit dhe mendojmë se bashkëpunimi ynë do të na çoj në rezultate të reja”, u shpreh Yilmaz.
Gjatë këtyre bisedimeve u theksua se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve tona ka qenë i frytshëm dhe mjaft i suksesshëm.
Në fund të kësaj vizite u dha një konferencë për shtyp. Ministri i Mbrojtjes Imami në fjalën e tij para gazetarëve theksoi se, në bisedimet tona padyshim që evidentuam rolin pozitiv për paqen dhe stabilitetin në Ballkan që Republika e Shqipërisë ka luajtur dhe luan këto njëzetë vitet e fundit, po kështu edhe rolin e rëndësishëm që jep Republika e Turqisë për stabilitetin e këtij rajoni.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Ismet Yilmaz u shpreh se, “Turqia tregon një interes të veçantë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kush dëshiron që Ballkani të jetë i qetë dhe i sigurt duhet të dëshirojë një Shqipëri të fuqishme, prandaj edhe Turqia dëshiron një Shqipëri të fuqishme që të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan. Ne mbështesim qëndrimin e Shqipërisë pro stabilitetit në Ballkan”.
Ndërsa më pas ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Yilmaz u prit nga kryeministri Berisha, i cili vlerësoi vizitën e ministrit turk, si një kontribut i ri, i jashtëzakonshëm, në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera e miqësore mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes turk përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit turk Erdogan, si dhe shfrytëzoi rastin për ta uruar Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe atmosferën e jashtëzakonshme të festimeve që u mbajtën në Tiranë për këtë jubilar historik.
Ministri turk Yilmaz e risiguroi Kryeministrin Berisha se Turqia do të vijoje të jetë mbështetëse dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Shqipërisë, të cilën e konsideron si një partnere, aleat strategjik në dobi të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në Evropën Juglindore. Në takim u vlerësuan veçanërisht interesi i jashtëzakonshëm dhe gjithnjë në rritje i investitorëve turq për të investuar në Shqipëri, si dhe suksesi i një sërë kompanish serioze turke, të cilat janë tashmë të pranishme në tregun shqiptar, sukses ky si për vetë këto firma, ashtu edhe për Shqipërinë.
Ndërkohë Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yilmaz, i cili i shprehu vlerësimet e tij për përparimin e përgjithshëm të Shqipërisë në rrugën e reformave dhe veçoi Forcat e Armatosura të Shqipërisë si forca plotësisht të integruara në NATO. Ndërsa u shpreh se Ballkani do të jetë i qetë kur të gjitha vendet të jetojnë në harmoni, me njëri-tjetrin, ministri turk e veçoi Shqipërinë si një faktor të fuqishëm për stabilitetin në rajon.
Nga ana e tij, Presidenti Nishani pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Turqisë, dhe veçanërisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vuri në dukje se në kontributin që Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura japin për NATO-n, Turqia ka rolin e saj. Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon, duke shprehur bindjen se ky është shërbimi më i mirë që bëjmë për NATO-n, Ballkanin dhe Evropën.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova po provohet si një faktor i rëndësishëm për paqen në Ballkan dhe se Shqipëria dhe Turqia duhet të nxisin njohjet e mëtejshme të shtetit të Kosovës dhe të punojnë që Kosova të zërë vendin e saj në komunitetin ndërkombëtar.