E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, ja provat e reja që mbajnë në burg gardistin Agim Llupo

TIRANË- Agim Llupo do të mbetet sërish në burg. Ky ishte vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë pas kërkesës për shtyrje të hetimeve të bëra nga prokuroria. Gjatë seancës gjyqësore Prokurori i cështjes Adriatik Cami kërkoi kohë deri në pastrimin e tre videove të tjera të siguruara nga ky institucion, të cilat sipas prokurorit mund të zbardhin detaje të reja në lidhje me vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikajt.

Ndërkaq mësohet se janë dërguar për tu pastruar videot amatore të filmuara nga Hysni Peposhi, mik i ngushtë i Hekuran Dedës, në të cilën tregohen momente kur është qëlluar për vdekje ndaj Dedës. Filmimet e një televizioni privat prej të cilave prokuroria cmon se mund të ketë detaje të vlefshme për vrasjet si dhe disa video të sekuestruara nga prokuroria së fundmi.

Në mbrojtjen e kërkesës, prokurori u shpreh se janë në pritje dhe të disa akteve të tjera balisitike. Burime nga Gjykata bëjnë me dije se avokatja e ish gardistit Agim Llupo, i cili akuzohet për vrasjen e protestuesit Ziver Veizi ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij, pasi prokuroria ka shkelur sipas saj kodin e procedurës penale në nenin 246 të tij, për mos dërgimin e informacionit të gjykatës një herë në dy muaj të të dhënave të procedimit, si dhe marrjen në pyetje të të pandehurit.

Sipas të pandehurit Llupo ai gjatë një viti nuk është marrë në pyetje dhe vetëm një herë në maj të vitit 2011 është kontaktuar nga dy oficerë të policisë gjyqësore. Llupo ka kërkuar që procesi ndaj tij të mos zvarritej. Më herët gjyqtari Shkëlqim Mustafaj vendosi të shtyhet për më 10 shkurt seanca për shqyrtimin e kërkesës së ish gardistit, Llupo i cili kërkon lirimin me argumenti se kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Shtyrja e shqyrtimit të kësaj kërkese për në këtë datë nga gjykata është bërë pasi avokati mbrojtës i Llupos i caktuar prej tij, Gëzim Veleshnja nuk ka pranuar të bëjë mbrojtjen e Llupos.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›