E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari u planifikua i dhunshëm - SHBA ka dallim kritik me PS-në

09-03-2012 / Gazeta 55

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, në një rrëfim të posaçëm për analistin Janush Bugajski në “AS” thekson se SHBA vlerëson se 21 janari u përgatit si demonstratë e dhunshme nga opozita dhe se ajo është e zhgënjyer nga qëndrimi i lidershipit të saj. Ai kërkon që Shqipëria të marrë statusin e vendit-kandidat për në BE, për të cilin s’ka pengesa objektive

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu në një intervistë për analistin e njohur amerikan, Janush Bugajski në “Bugajski Hour”, të “Albanian Screen” komenton zhvillimet politike në Shqipëri, duke u ndalur posaçërisht te kursi i reformave, integrimi në Bashkimin Evropian dhe tematika ende e diskutueshme, demonstrata e 21 janarit 2011. Për kryediplomatin amerikan në Tiranë, SHBA vazhdon të ruajë të njëjtën pikëpamje për dhunën e 21 janarit se ajo protestë në ndryshim nga duzinat e demonstratave të PS, ishte planifikuar e dhunshme në mënyrë që të provokonte një reagim të fortë nga forcat qeveritare, që sipas tij, ia arriti qëllimit. Ambasadori Arvizu shprehu zemërimin e tij se PS kurrë s’e pranoi dhunën e 21 janarit dhe organizimin e demonstratës së dhunshme, ndërsa i vetmi politikan i së majtës i cili u tregua realist se disa veprime u tejkaluan, ishte Ben Blushi. Për reformat e integrimit, Arvizu tha se prej dy vitesh “lëvizja reformuese” ka ngelur në vend, duke nënkuptuar si faktorë negativë, bojkotin dhe bllokimin e Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste. Kodi Zgjedhor, sipas Arvizu është mjaft i mirë, ndërsa ajo që i mungon është plotësimi i boshllëqeve të vërejtura në zgjedhjet e fundit, ato lokale

Besoj se keni rreth një vit e gjysmë që jeni këtu në Shqipëri. Kanë kaluar dy dekada që nga përmbysja e komunizmit. Cili do të ishte vlerësimi juaj i përgjithshëm përsa i përket përparimit të Shqipërisë drejt të qenit një demokraci në zhvillim. Pyetja është a e ka arritur Shqipëria këtë apo ka ende rrugë për të bërë?
Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë mundohem të rivlerësoj përgjigjet e mia herë pas here për t’u siguruar që ato që kam thënë më parë janë ende të vlefshme edhe duke marrë parasysh informacionet e reja, eksperiencat e reja dhe gjërat që kam mësuar. Por ende mendoj, dhe e kam thënë këtë më parë, se në gjykimin tim, asnjë vend tjetër nuk ka ecur më larg se Shqipëria në këta 20 vjet, 21 vjet në fakt, për sa i përket shënimit të përparimit. E besoj shumë fort këtë dhe mendoj se është edhe më mbresëlënëse që nuk ka qenë një vazhdimësi e njëtrajtshme në 21 vjet, të themi. Patëm hapjen në vitin ’91 dhe mendoj se vendi po ecte shumë mirë deri tek shfaqja e piramidave, rënia e tyre dhe sigurisht, kalimi në kaos, apo gjysmë-kaos. Pastaj u deshën disa vjet që të dilte nga aty, të themi nga 2001 deri në 2009. Pra, nuk ka qenë një vijë e drejtë për 21 vjet. Ishte një pengesë tepër, tepër e madhe dhe iu desh që të rimerrte veten. Përparimi gjithashtu reflekton pjesërisht faktin se, si asnjë nga fqinjët e saj, Shqipëria filloi nga një pikënisje shumë më e ulët dhe ky është një fakt tjetër që duhet marrë parasysh.

A mund t’u jepni shqiptarëve një afat për sa i përket kohës që do t’u duhet për të arritur nivelin e Polonisë apo të Republikës Çeke?
Kam ndjesinë se ka një farë padurimi apo nervozizmi nga ana e popullsisë kohët e fundit dhe kjo është gjë e mirë. E përsëris, pranohet gjerësisht se përparimi ka qenë mjaft mbresëlënës, por, sërish, pyetja është çfarë është bërë kohët e fundit? Sidomos po të marrim parasysh faktin se që nga 2009 përparimi ka ngecur dhe për pasojë frustrimi është në rritje. Ka ende një atmosferë të polarizuar por do flasim sërish më vonë për këtë, besoj. Jam i shqetësuar për brezin e ri. Mundohem të takoj njerëz te 20 apo 30 vjeç apo dhe fëmijë që janë ende në shkollë dhe gjithmonë dal me energji nga këto takime. Shoh shumë të rinj të shkëlqyer, shumë ambiciozë, të cilët janë ende në shkollë dhe në këtë kuptim, ndjehem optimist për sa i përket të ardhmes së vendit. Por kur sheh rreth e rrotull, institucionet, mungesën e efikasitetit të tyre, ti vret mendjen: ku po shkojnë?

A ka rrezik të hapave prapa, me fjalë të tjera, a mund të përcaktohet Shqipëria, jo një demokraci e dështuar, por një demokraci e lëkundur? E shihni dhe ju kështu? 
Kam folur me disa njerëz për këtë dhe shumë nga opinionistët që e njohin shumë mirë vendin kanë përdorur pikërisht këtë term. Unë nuk kam arritur ende në këtë pikë. Jam shumë i qartë kur them se reforma ka ndalur dhe, në fakt, është pothuajse një situatë në të cilën nëse nuk ka përparim dhe fillohet nga një pikënisje e ulët, praktikisht mund të ketë kthim prapa. Por unë nuk shoh që kjo të jetë duke ndodhur. Dua të them se sinqerisht, nuk e besoj se njerëzit do ta duronin këtë. Mendoj se çdo qeveri që të jetë në fuqi, qoftë e PD qoftë e PS, në qoftë se ata do të përpiqeshin të kthenin pas disa nga reformat, të riktheheshin në disa nga segmentet e errëta që kanë kaluar, nuk mendoj se njerëzit do ta pranonin këtë. Përgjigja e shkurtër për pyetjen tuaj është se nuk e shoh këtë rrezik. Duket se ka një qëllim të unifikuar kombëtar për sa i përket drejtimit të ardhshëm të shoqërisë dhe vendit. Çështja është kush do ta udhëheqë këtë përparim.

Përfshirë luftën...
…Përfshirë luftën, seriozisht. Dhe mendoj ndonjëherë, dhe kjo është një nga frustrimet e mia më të mëdha kur flas si me klasën politike shqiptare ashtu dhe me qytetarët e zakonshëm, është përpjekja për ta përshkruar situatën këtu si unike në tërë universin. Po, gjithmonë do të ketë karakteristika të veçanta të vendeve, karakteristika kombëtare, por, sinqerisht, ky nuk është fare justifikim për shkallën e polarizimit që ekziston. Nuk ka justifikim për faktin që lëvizja reformuese ka ngelur në vend për dy vitet e fundit. Ne, Shtetet e Bashkuara dhe të tjera shtete të komunitetit ndërkombëtar jemi të vendosur të punojmë dhe të identifikojmë partnerë për ndryshim brenda vendit, si ata që janë aktivë brenda partive, ashtu dhe të tjerë jashtë tyre. Po harxhohet koha, siç thuhet. 

Më lejo t’i kthehem një fushe shumë specifike, përfshirja juaj personale për të asistuar, për të siguruar hetimin e duhur për ngjarjet e 21 janarit vitin e kaluar, gjë që kam dëgjuar të lëvdohet shumë; e dëgjoj ngado. Keni besim se ky hetim – dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët – do të mbyllet me një qartësim të plotë të asaj që ndodhi gjatë atyre ngjarjeve tragjike vitin e kaluar...?
Epo, siç e vutë dhe ju në dukje, ajo ishte një ditë dramatike dhe ndodhi një muaj pas ardhjes time këtu, pra një ‘zgjim’ i vrazhdë, një tronditje e sistemit. Nuk dua t’i hyj historisë, rrethanave si u përfshimë, por ne ndjemë se ishte e domosdoshme. Dua të them se asistenca e FBI-së në veçanti për disa ekspertiza do t’i shtojë besueshmëri provave që po paraqiten. Hetimi vazhdon ende. Me opozitën, duhet të jem shumë i sinqertë, ka një ndryshim kritik midis pikëpamjes së opozitës, përshkrimit të ngjarjeve nga ana e tyre, dhe asaj të Shteteve të Bashkuara. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është që kjo demonstratë, në ndryshim nga duzinat e demonstratave të Partisë Socialiste në muajt apo vitet e fundit, kjo ishte planifikuar që të ishte e dhunshme; ishte planifikuar që të provokonte një reagim të fortë nga forcat qeveritare dhe fatkeqësisht, ia arriti. Kjo nuk është pranuar kurrë nga Partia Socialiste; ndoshta është për vetë-mbrojtje, nuk e di çfarë është. Ben Blushi është ndoshta i vetmi deputet socialist i cili iu afrua mjaft pranimit se u bënë disa gjëra që nuk duhej. Jam i zhgënjyer. Secili mund të argumentojë pikëpamjen e tij, por ajo që dua t’i them diçka shikuesve tuaj është: ky është një ndryshim thelbësor në interpretim midis asaj që thonë Socialistët dhe pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara. Është një rrëfim i ndryshëm.

Në fakt, sa ka përparuar reforma gjyqësore?
Do të jem shumë i sinqertë këtu. Mendoj se sistemi gjyqësor këtu është disfunksional. Nuk funksionon megjithëse ka ligje të mira, ka njerëz që janë të trajnuar mirë. Ne po përpiqemi të gjejmë mënyra për të lehtësuar ngarkesën e sistemit gjyqësor. Është i mbingarkuar.

Më lejoni t’i kthehem një teme tjetër, një temë e madhe për Shqipërinë, perspektiva e saj për statusin kandidat dhe në fund anëtarësimi në Bashkimin Europian. Ndoshta mund të nënvizonit se sa e rëndësishme është BE për Shqipërinë?
Pyetje me shumë vend. Do përpiqem t’i bëj përgjigjet sa më të përmbledhura sepse e di që mund të zgjatem shumë. Është e qartë nga pikëpamja e politikës së SHBA që është me rëndësi që integrimi i Shqipërisë në strukturën e gjerë euro-atlantike të vazhdojë dhe këtë mund ta thuash për të gjithë Ballkanin Perëndimor, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, Kosovën. Kjo është një politikë e deklaruar e Shqipërisë. Vendi i Shqipërisë është në Europë. Nuk ka për t’u bërë shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara. Pra, drejtimi është i qartë, mes palëve nuk ka dallime. Ndjenja e qartë kombëtare për synimin është që integrimi duhet të jetë një synim kombëtar dhe se integrimi do të sjellë harmonizimin e disa standardeve, do të transformojë vërtet mënyrën se si Shqipëria e sheh veten, mënyrën si ndërvepron me fqinjët, si ata pranë ashtu edhe më tej. Do të jetë hapi i tretë i natyrshëm në kulminimin e një procesi që filloi me hyrjen në NATO, çka do të thotë që Shqipërisë nuk i duhet kurrë më të vrasë mendjen për kërcënime fizike ndaj sigurisë së saj – mund të thuhet shumë këtu – fakti që Shqipëria përfitoi statusin për lëvizjen pa viza sipas marrëveshjes “Schengen” në dhjetor 2010, një arritje madhore kjo, dhe pastaj hyrja në BE duhet të jetë arritja e tretë kurorëzuese. Do të duhet kohë. Nuk ka asnjë justifikim për Shqipërinë që të mos jetë vend kandidat. Burimet janë këtu, edhe mjetet, por është proces i vështirë aderimi, ka shumë marrëveshje teknike dhe më duket se hera-herës, shqiptarët e nënvlerësojnë nivelin e kompleksitetit.

Një prej pengesave apo pengesa e tanishme duket se është paaftësia për të miratuar një Kod Zgjedhor të ri... Ku qëndron tani Shqipëria për sa i përket standardeve ndërkombëtare?
Vetë kodi, nga sa më thonë ekspertët në OSBE/ODIHR, disa në vendet anëtare të BE-së, është mjaft i mirë. Nuk është aspak i keq. Por çdo palë zgjedhje, qoftë zgjedhjet vendore të vjetshme, apo ato parlamentare në vitin 2009, zbulojnë disa boshllëqe, disa hapësira që mund të keqinterpretohen, apo manipulohen, sido që ta quash. Një vëzhgues shumë i mençur, nuk ia them emrin, por e shoh si një prej të mençurve të shoqërisë këtu, në fakt janë dy, kanë vënë në dukje që Shqipëria është vend shumë i vogël dhe metoda për të gjetur sa votues do marrin pjesë, si mund të votojnë, kanë arritur ta shndërrojnë në shkencë. Mund të përmend Z. Ilir Meta. Shkova në zyrën e tij pak ditë përpara zgjedhjeve të 8 majit. Ka një zyrë të vogël, të zakonshme, por kishte disa harta të zonave të Tiranës, të përcaktuara deri në ndërtesa, me pineska të vogla. Më tha që njerëzit e LSI-së i merrnin njerëzit në telefonat celularë. Është puna tipike e lagjeve me të cilën jam i njohur në Shtetet e Bashkuara. Ky është vend i vogël. Mendoj që në Çikago ka më shumë votues se sa ka në gjithë vendin këtu. Nuk ka shumë të panjohura dhe njerëzit, me sa kuptoj, kanë prirjen të votojnë në mënyrë mjaft të parashikueshme dhe shumë konsistente nga një zgjedhje në tjetrën, pra nuk ka ndonjë votë të madhe të lëvizshme. Në Japoni, ku kam shërbyer, kjo ishte gjithmonë diçka e madhe. Sigurisht, në SHBA është faktori më i madh, është përcaktues në shumë zgjedhje. Nuk ka nevojë t’u kthehemi argumenteve pro e kundër, problemi është që nuk duhet të kishte pasur fare kundërshti. Ky numërimi i votave të hedhura gabim, sinqerisht, mua dhe vëzhguesve të tjerë na u paraqit se ishte shumë e qartë çfarë do të ndodhte. Por, nuk ishte e shkruar, nuk ishte në ndonjë Kod të caktuar, edhe pse njerëzit prisnin që gjërat të merrnin një drejtim të caktuar. Partia në pushtet paraqiti një pikë të mirë filozofike – qëllimi i votuesit, edhe pse unë thashë, qëllimi i votuesit është gjë e mirë, por gjë e mirë është edhe të ketë rregulla dhe këto rregulla të zbatohen; pra, ka boshllëqe që duhen trajtuar. Mendoj se është bërë pak përparim kohët e fundit.
Marrë me shkurtime nga “Albanian Screen”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›