E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti në Shkup, PDIU: Të ndalet tensionimi ndëretnik

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot në lidhje me dhunimin e nxënësve shqiptarë në Maqedoni. Në një deklaratë për mediat, PDIU-ja ka dënuar inicidentin duke theksuar se situata ndëretnike në Maqedoni duhet të gjejë zgjidhje përpara se të jetë vonë.
 

“Situata ndëretnike në Maqedoni duhet të gjejë zgjidhje të shpejtë përpara se të krijohen rrethana të cilat do të dëmtonin rëndë bashkëjetesën e shqiptarëve me maqedonasit. Diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve në nivel shtetëror i ka lënë vendin ditët e fundit përplasjes fizike me motiv etnik ndërmjet të rinjve në Maqedoni, ku shqiptarët janë dhunuar barbarisht vetëm dhe vetëm pse i përkasin kombësisë shqiptare” thekson PDIU-ja.
 

Ndërsa e ka cilësuar ngjarjen si të përsëritur, PDIU-ja thekson se shteti maqedonas nuk po vepron për të ndaluar tensionin ndëretnik.
“Indiferenca dhe apatia e institucioneve qeveritare maqedonase ndaj këtyre rasteve barbare të dhunës anti-shqiptare që dëshmohet nga mos-ndëshkimi i asnjë personi përgjegjës për to deri më tani, ka inkurajuar shtimin dhe përshkallëzimin e këtyre rasteve duke kërcënuar seriozisht sigurinë e banorëve shqiptarë në Maqedoni. Ne shprehin solidaritetin tonë të madh për bashkë-kombasit tanë në Maqedoni dhe I bëjmë thirrje institucioneve shtetërore maqedonase që të vihet në lëvizje për vënien para përgjegjësisë të autorëve dhe që të marra masa serioze për të parandaluar ngjarje të tilla që jo vetëm vënë në pikëpyetje bashkëjetesën ndër-etnike brenda Maqedonisë, por që kërcënojnë stabilitetin e mbarë rajonit” thekson më tej PDIU-ja ndërsa shton se pasojat mund të cënojnë stabilitetin e Ballkanit
 

Më tej PDIU thekson se sirenat e alarmit duhet të dëgjohen në kohë, përpara se ndodhitë negative të ndodhin dhe ky sipas saj është një moment i tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›