E Martë, 3 Nëntor 2026

21,1% më pak aksidente rrugore në dy muajt e parë të 2025-ës

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Në muajin Shkurt 2025 numërohen 88 aksidente rrugore, nga të cilët 122 persona janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).

Institutit Kombëtar i Statistikave ka publikuar sot të dhënat për dy muajt e parë të vitit 2025. “Gjatë periudhës Janar-Shkurt 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 21,1 %, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, lexohet në raportin e INSTAT.

Në raport evidentohet se “aksidentet rrugore, në 81,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-moshat 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, duke zënë secila nga 23,9 % të numrit të aksidenteve gjithsej”.

Në muajin Shkurt 2025, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Enjte me 20,5 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Diel, me 9,1 %.

Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00 – 24:00, duke zënë 19,3 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›