Rama: Projektet në zhvillim e kthejnë Elbasanin në nyje të rëndësishme të Korridorit 8

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Investimet për një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore të shtrira në të gjitha vendin, vijojnë me projekte, që ndodhen në faza të ndryshme zbatimi.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i PS-së, u shpreh sot se, qeveria i ka shumë të qarta projektet në vijimësi për Elbasanin, Belshin, Librazhdin e Cërrikun.
Nga Elbasani, ku zhvilloi një takim me të rinjtë ku u prezantuan kandidatët për deputetë të këtij qarku, kryeministri Rama bëri të ditur se do të vijojnë investimet strategjike në të gjithë qarkun e Elbasanit.
“Ne kemi bërë plot projekte, do të ndërmarrim edhe plot investime të të tjera, të gjitha janë kantiere të hapura. Sot Elbasani praktikisht si qark, bëhet praktikisht një nyje shumë e rëndësishme se këtu kalon Korridori 8, është superstrada që po ndërtohet, është hekurudha që kemi marrë mbështetjen për lotet, është edhe bajpasi që po negociojmë për t’u financuar”, tha Rama.
“Të gjitha këto projekte janë të rëndësishme për t’u bërë dhe do të bëhen”, deklaroi kryeministri.
/r.e/