22 marsi, një bilanc festiv që paralajmëron triumfin e PD edhe në 2013-n
Mbi 100 mijë veta festuan dje në kryeqytet 20 vjetorin e fitores së parë elektorale të një force opozitare mbi Bllokun komunist. Me votën e lirë u përmbys diktatura më barbare në Evropë, duke regjistruar një fitore masive në mbarë vendin, ndaj segmenteve fanatike të regjimit diktatorial, të cilat i trashëgoi Ramiz Alia. Me anëtarësimin në NATO dhe Lëvizjen e Lirë, tashmë objektivi për t’u arritur është një Shqipëri e zhvilluar dhe anëtare e Bashkimit Evropian
Berisha: Me votën e lirë përmbysëm diktaturën më barbare në botë - ëndrra jonë është një atdhe i zhvilluar
Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti dje nga koncerti madhështor, “22 Mars - Dita e Lirisë, Dinjitetit dhe së ardhmes”, në sheshin “Nënë Tereza”, të gjithë shqiptarët me rastin e 20 vjetorit të zgjedhjeve të para pluraliste në vend, të cilat u fituan bindshëm nga Partia Demokratike. Ai e cilësoi këtë ditë si ditën më të madhe pas Pavarësisë së vendit, ditën e shembjes së regjimit më barbar që Europa ka njohur në historinë e saj, përmes votës së lirë dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë për Shqipërinë e lirë dhe Shqipërinë demokratike.
Kryeministri shprehu nderimin dhe respektin më të thellë ndaj të gjithë burrave dhe grave që shembën në vitin ’90 murin e Berlinit shqiptar, të udhëhequr nga tribuni i lirisë, Azem Hajdari. “Jemi mbledhur sot, këtu, për të nderuar së bashku 22 marsin e vitit 1992, ditën që edhe sot, pas 20 vitesh, nuk gjejmë fjalë të tjera për ta përshkruar, përveçse ato që gufuan nga thellësitë e zemrave tona 20 vjet më parë, ditën e bardhë, ditën e bekuar, ditën më të bukur të jetës sonë, ditën më të madhe pas pavarësisë për shqiptarët e Shqipërisë, ditën e parë të demokracisë. Këto dy dekada janë kurorë të lirisë në ballin e zemrën e çdo shqiptari, janë kurora e bukur e lirisë në ballin e madhërishëm të Shqipërisë, 100 vite e pavarur. Prandaj edhe unë sot, ju ftoj juve, ftoj mbarë qytetarët shqiptarë të shprehim nderimin tonë më të madh, të përulemi me respekt të thellë para atyre djemve e vajzave, burrave e grave, të cilët, pasi me guximin, trimërinë e vendosmërinë e tyre shembën në dhjetor të vitit ’90 murin e Berlinit, me uraganin e fuqishëm të lirisë e shpresës që buronte nga shpirti e zemra e tyre përmbysën më 22 mars, me votën e tyre të lirë, regjimin më barbar që shqiptarët e Europa kishte njohur në tërë historinë e saj. Ndaj edhe një herë ju dhe mbarë shqiptarët gëzuar këtë ditë, ditën e lirisë suaj! Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja! Por unë, në emrin tuaj, në emrin e burrave e grave, djemve e vajzave që me votën e lirisë shembën diktaturën hoxhiste, dua të përshëndes nga ky takim, të gjithë ata qindra e mijëra të rinj e të reja, fatlumë, që lindën dhe u rritën në dekadat e lirisë. Ne, që 20 vjet më parë përmbysëm me votën tonë regjimin e bllokmenëve hoxhistë, ishim burrat e gratë, djemtë e vajzat që kishim lindur e jetuar në regjim totalitar. Për ne, liria, demokracia ishin thjesht vlera dhe ideale për të cilat duhej luftuar, të cilat duheshin ndërtuar. Ndërsa ju, të dashur 20 vjeçare e 20 vjeçarë, nuk keni as edhe një orë të vetme të jetës suaj të bukur të këputur nga diktatura. Ju jeni gjenerata e parë që nuk njohu një ditë të vetme, shtypjen e egër, poshtërimin, mungesën e dinjitetit njerëzor, mjerimin ekstrem, urrejtjen klasore, barbaritë e atij sistemi që u shtetëzoi shqiptarëve liritë, pronën, besimin dhe i shndërroi ata në skllevër të vërtetë të një shteti barbar. Të lumtur jeni ju që gjithmonë njihni vetëm lirinë! Ajo çka ju do të bëni për këtë atdhe, asnjë nga ne, këtu, nuk mund ta imagjinojë! Ju jeni krenaria jonë!”, u shpreh kryeministri Berisha.
Për kreun e ekzekutivit, 22 marsi i vitit ’92 është dita e krenarisë, e frymëzimit, e besimit dhe shpresës së madhe.
Sipas tij, Shqipëria, nga vendi i burgjeve, kampeve të përqendrimit, ekzekutimeve pa gjyq, i dënimit kapital të lirive e të drejtave njerëzore, i ndalimit të Zotit, është sot vendi me liri të konsoliduar, vend anëtarë i NATO-s dhe aspirant për integrimin në BE.
“Sot, për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët, 22 marsi i vitit ’92 është dita e krenarisë, e frymëzimit, e besimit dhe shpresës së madhe. Shqipëria sot është 20 vjet dritë më larg dhe më lart, sesa Shqipëria në të cilën ne jetuam, 20 vjet më parë. Shqipëria e diktaturës së bllokmenëve hoxhistë ishte vendi i burgjeve, kampeve të përqendrimit, ekzekutimeve pa gjyq, i dënimit kapital të lirive e të drejtave njerëzore, i ndalimit të Zotit, Krishtit, Muhamedit, besimeve tona fetare. Shqipëria që ne ndërtuam në dy dekada liri është atdheu i Zotit, i qytetarëve të lirë, i dinjitetit njerëzor, i të drejtave të garantuara, i besimeve të lira fetare, shembull frymëzimi për tolerancën e shkëlqyer, harmoninë ndërfetare në Europë e në botë. Ne besonim tek liria! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem! Rroftë liria!”, theksoi Berisha.
Festimet për Ditën e Demokracisë vazhduan deri në orët e mbrëmjes, duke kulmuar me hedhjen e fishekzjarrëve në sheshin “Nënë Tereza”, të cilët krijuan një atmosferë jashtëzakonisht festive. 22 marsi përkujtohet çdo vit si festa e demokracisë në Shqipëri. Zgjedhjet parlamentare të 22 marsit të vitit 1992 shënuan rrëzimin përfundimtar të regjimit komunist në Shqipëri si dhe fitoren e forcës së parë opozitare në vend, Partisë Demokratike.
Shqipëria 20 vjet më pas, anëtare e NATO-s dhe pranë ëndrrës së anëtarësimit në BE
Kryeministri Sali Berisha renditi disa nga rritjet e këtij 20 vjeçari, ai anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë e shqiptarëve, rritja ekonomike, e cila kryeson në Europë duke shpallur Shqipërinë të bukurën e dheut, të cilat shefi i qeverisë i bazoi në vizionin dhe dashurinë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, ndërsa theksoi se do të shndërrojmë në realitet ëndrrën më të madhe të shqiptarëve anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sikundër u shpreh kryeministri Berisha, gjatë këtyre 20 viteve e djathta ka punuar në vazhdimësi me reformat për të bërë të mundur proceset integruese të vendit në strukturat më të rëndësishme ndërkombëtare.
“Shqipëria që ne trashëguam 20 vjet më parë mbulohej anekënd saj nga shtatëqind mijë bunkerë. Vendi që 100 vjet më parë mendohej të mos ekzistonte në hartën politike të Europës është sot, vendi anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne besonim tek NATO! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem! Rroftë NATO dhe miqtë tanë kudo në botë! Shqipëria, ku ne jetuam 20 vjet më parë, ishte vendi i rrethuar me tela me gjemba, i lëvizjes së lirë të ndaluar, ishte vendi, në sheshet e saj e të cilit, pas rënies së murit të Berlinit, u varën disidentë dhe u ekzekutuan qindra e qindra të rinj në kufijtë e saj. Shqipëria që ndërtuam së bashku këto 20 vjet është atdheu i qytetarëve, të rejave e të rinjve që lëvizin sot të lirë, pa viza, në mbarë Europën. Ne besonim tek lëvizja e lirë, besonim tek Europa. Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem! Shqipëria, në të cilën ne jetuam vite e dekada, ishte 20 vjet më parë vendi i hiperkolektivizimit total, varfërisë ekstreme, skëterrës së mjerimit, urisë e sëmundjeve, dheu i dytë më i varfër i planetit. Shqipëria që ne i besuam, Shqipëria që së bashku ne ndërtuam këto 20 vite është atdheu i qytetarëve pronarë, që zënë vendin e 57 në botë për jetesën më të mirë. Vendi, në të cilin të ardhurat për frymë janë rritur me shpejtësi, sa në asnjë vend tjetër në planet, janë rritur 40 herë. Vendi, i cili në 4 vitet e fundit kryeson me rritjen më të madhe ekonomike në Europë, u shpall vjet e bukura e dheut. Me zemrën e hapur, mikpritjen e mrekullueshme të qytetarëve të saj, Shqipëria priti vitin e kaluar 4 milionë turistë e mysafirë. Ne besonim se Shqipëria do të bëhej vend i begatë! Ne besonim se Shqipëria është e bukura e dheut! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem”, deklaroi më tej kryeministri.
Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, i gjithë kombi shqiptar është krenar
Ndërkaq kryeministri u ndal edhe në liritë dhe të drejtat që gëzojnë shqiptarët në të gjitha trojet ku ata jetojnë dhe në këtë 100 vjetor shqiptarët vijnë të lirë, të pavarur dhe krenarë.
Sipas Berishës, Kosova është e lirë, të lirë janë shqiptarët kudo që jetojnë.
“20 vjet më parë, gjysma e kombit, gjysma e shqiptarëve në trojet e tyre në ish Jugosllavi përjetonin shtypjen më të egër kombëtare, aparteidin, segregacionin, barbaritë e regjimit të kasapit të Ballkanit. Një komb një qëndrim ishte motoja jonë! Kosova është e lirë, të lirë janë shqiptarët kudo që jetojnë! Kombi që 100 vjet më parë kishin parashikuar ta fshinin nga faqja e dheut, vjen sot, në 200 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, i lirë, i krenar, i sigurt, kudo në trojet e tij. Ne besuam tek kombi, besuam tek liria! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem! Rroftë kombi!”, u shpreh Berisha.
Duke përshëndetur dhe uruar qytetarët për këtë ditë që simbolizon lirinë, Kryeministri Berisha tha se përulem me nderimin e thellë përpara të gjithë atyre që më 22 mars me votën e lirë shembën regjimin më barbar që Evropa kishte njohur në historinë e saj. “Gëzuar ditën e lirisë suaj! Ju ftoj ju dhe mbarë qytetarët shqiptarë të shprehin nderimin më të madh dhe të përulemi me respekt të thellë para djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që së bashku me guximin dhe trimërinë e tyre në dhjetorin e vitit ‘90 shembën murin e Berlinit në uraganin e fuqishëm të lirisë e shpresës, që buroi nga zemra dhe shpirti i tyre dhe në 22 mars me votën e tyre të lirë shembën regjimin më barbar që Evropa kishte njohur në historinë e saj”, u shpreh në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Sali Berisha.