Rama-biznesit: Bashkë për një rilindje ekonomike
Kryetari i opozitës Edi Rama ka ftuar sipërmarrësit shqiptarë t`i bashkohen rrugës së PS-së për një rilindje ekonomike. Në fjalën e tij të mbajtur në tryezën e PS-së për biznesin, Rama theksoi se kjo rilindje është e pamundur pa botën e sipërmarrjes shqiptare që sipas tij nuk ka arritur të marrë vlerësimin që meriton në shoqëri.
“Ftoj sipërmarrësit të përshkojmë së bashku rrugën tonë të programit për rimëkëmbjen e ekonomisë. Ne jemi të bindur se pa një partnerit të hapur, serioz dhe të mirëstrukturuar më sipërmarrjen shqiptare vendi nuk mund të dalë nga kriza që po përjeton sot dhe as të shkojë drejt të ardhmes” ka theksuar Rama.
Rama ka premtuar se me ardhjen e socialistëve në pushtet, qeveria e re do të shqyrtojë me sipërmarrjen çdo hap të rëndësishëm që ka impakt në punën e tyre. “Ne duam një politikë të re fiskale që synon të ulë koston e jetesës për shqiptarët dhe kjo duhet të mbështetet tek heqjae barrës fiskale duke hequr taksën e sheshtë dhe vendosjes së taksës progresiste” ka theksuar më tej Rama.
Ai ka shtuar më tej se programi i PS-së synon gjithashtu rritje të punësimit dhe lehtësira të mëtejshme të klimës së biznesit dhe vënien në dispozicion të institucioneve kompetente në shërbim të sipërmarrjes.
“Punësim real përkundër rritjes së papunësisë në rrugën e rrënimit të mëtejshëm që ka hapur e po çon përpara kjo qeveri. Të flasësh sot për punësim real do të thotë të flasësh për partneritetin e qeverisë me sipërmarrjen. Angazhohem se ne do t`i heqim përfundimisht referencat, pasi sistemi aktual është mjet abuzimi politik” shtoi më tej Rama.
Kryesocialisti Rama gjithashtu theksoi se Partia Socialiste do të angazhohet solemisht për të garantuar konkurencën e lirë dhe të ndershme për të garantuar që secili të përfitojë nëpërmjet konkurencës së lirë duke u bazuar tek merita e tij. “Ne jemi të vendosur për krijimin e një admistrate publike e cila të bazohet në meritë dhe në procedura të standarteve europiane dhe ajo të ndahet njëherë e mirë nga nepotizimi dhe klientelizmi” ka theksuar Rama.
Rama gjithashtu theksoi se Partia Socialiste ka një plan konkret sa i takon modernizimit të fshatit duke ngritur një rrjet kombëtar të produkteve bujqësore. “Zhvillimi modern rural kundër braktisjes së fshatit në gjendje primitive është pjesë themelore për të rimëkëmbur ekonominë. Objektivi unë është të ngremë një rrjet kombëtar të produkteve bujqësore. Menaxhimi dhe mbrojtja e burimeve natyrore janë pjesë e pandashme e programit tonë”, tha Rama.