E Diel, 1 Nëntor 2026

23 qershori dhe fundi i një njeriu

Bujar Cani 

-Zgjedhjet e 23 qershorit do te jenë ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme të këtyre 22 vite të shoqërisë shqiptare post-komuniste, sepse ato do të jenë jo vetëm zgjedhje plebishitare e politike, por do të jenë zgjedhje që do të mundin një njeri, një dinasti të tij, një demon të jetës politike shqiptare. Do të mundet një njeri, burim konfliktesh me të gjitha institucionet e vendit, një njeri simbol i fundit komunist ekstremist dhe i mentalitetit bajraktar në drejtimin e shtetit. Do të mundet një njeri që i ka sjellë shumë dëme të pariparueshme shtetit, atdheut dhe kombit shqiptar, një njeri që përpara karriges së pushtetit i bën të gjitha të këqijat; të poshtëron, të kërcënon, të akuzon, të shan me libër shtëpie. Do të mundet një njeri që bën e lidh marrëveshje me klanet më të rrezikshme serbo-greke, në kurriz të atdheut,  vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin dhe klanet e tija në aferat korruptive. Do të mundet një njeri që nuk e ka ndjenjën e turpit për ato që flet dhe që bën, të mos mbajtjeve të premtimeve, një njeri që mohon gjithçka, deri edhe pjesëtarët e familjes si në rastin e Gërdecit. Do të mundet një njeri, që herë bëhet tigër, herë bëhet lepur, herë bëhet dhelpër, njëherë bëhet Neron e diktator, njëherë na bëhet pacifist dhe paqësor, njëherë bëhet nacionalist dhe patriot, njëherë e shet atdheun si plaçkë tregu, vetëm që të mos lëshojë pushtetin . Do të mundet ai që nuk e ka  merituar ndonjëherë pushtetin, por e ka vjedhur dhe manipuluar atë dhe që vazhdon prapë ta vjedhë. Ai duhet mundur që të marrë fund njëherë e përgjithmonë sundimi klanor i tij, dhe t’i hapet rrugë Shqipërisë sonë të dashur, që të na drejtojnë njerëz përparimtarë, progresistë. T’u hapim rrugë njerëzve që pushtetin nuk e kanë për lavdi personale e klanesh mafioze e nepotike, por që e përdorin pushtetin që ju  jep populli, në mënyrë demokratike, me anën e votës së lirë e të ndershme, për t’u shërbyer njerëzve, qytetarëve dhe kombit shqiptar. T’u hapim rrugë njerëzve që nuk e shesin atdheun dhe dinjitetin e kombit si plaçkë tregu, siç po e shet kryeministri ynë, njerëzve që nuk pajtohen, bëhen miq apo lidhen me njerëz , klane e qarqe ultra-shoviniste, anti-shqiptare, njerëz që t’i thonë Europës dhe mbarë botës demokratike se Shqipëria dhe kombi shqiptar janë vend dhe komb demokratik, i civilizuar dhe europian. Dhe unë mendoj se njerëzit e mirë të këtij vendi , e këtij atdheu, që e ka emrin Shqipëri, duhet të votojnë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, për opozitën e bashkuar si të vetmen alternativë progresiste e demokratike, e cila do të hapë rrugën e Rilindjes së kombit e atdheut dhe do ta fusë Shqipërinë dhe shtetin shqiptar në rrugën e merituar e të plotë të demokracisë; për ta bërë këtë vend ku të rilindë shpresa për një jetë më të mirë, më të lirë e më demokratike.  

Ja përse, Edi Rama i duhet jo vetëm Partisë Socialiste si kryetar, ja përse i duhet Partisë Socialiste dhe opozitës si lider progresist, vizionar e burrë shteti dhe Shqipërisë sonë të dashur si kryeministër. Për ta bërë këtë vend një shtet europian dhe Shqipërinë, një vend shprese e jete më të mirë, për të gjithë qytetarët e saj. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›