E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Bankë e re Botërore për Zhvillimin

Në përfundim të samitit të zhvilluar në muajin mars në Durban, drejtuesit e BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrika e Jugut) bënë me dije qëllimin e tyre për ngritjen e një Banke të Re për Zhvillimin, që synon “mobilizimin e burimeve të nevojshme për infrastrukturën dhe projektet e zhvillimit të qëndrueshëm në hapësirën e BRICS, ekonomive të tjera në rritje, por edhe vendeve në zhvillim”. Domethënia e këtij vendimi nuk duhet konsideruar shihet si i mbivlerësuar. Si fillim, ai pasqyron suksesin e madh në zhvillimin ekonomik gjatë katër dekadave të fundit (PPB-ja e vendeve të BRICS, e marrë së bashku është aktualisht më e madhe sesa ajo e vendeve të zhvilluara në momentin kur institucionet e Bretton Woods u themeluan) dhe rebalancimin e fuqive ekonomike globale, që kjo rritje ekonomike implikon. Në të vërtetë, vendimi i mësipërm dëshmon aftësinë e BRICS dhe vullnetin e vendeve që e përbëjnë për të punuar së bashku, për të mirën e tyre, por edhe për atë të të gjithë botës. Tregjet e reja që po zgjerohen dhe vendet në zhvillim po marrin të ardhmen në duart e tyre-në një kohë kur vendet e pasura gjenden të ngatërruara në mes të problemeve që i kanë shkaktuar vetë. 

Një bankë e re për zhvillimin është qartësisht e nevojshme. Vetëm kërkesa për infrastrukturë në ekonomitë që përfaqësojnë tregje të reja, apo edhe vendet me të ardhura të ulëta, është e jashtëzakonshme-1.4 miliard njerëz ende nuk gëzojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, 900 milionë të tjerë vuajnë mungesën e furnizimit me ujë dhe 2.6 miliard nuk gëzojnë shërbim shëndetësor të përshtatshëm. Në të njëjtën kohë, vlerësohet se rreth 2 miliard njerëz do të lëvizin drejt qyteteve të mëdha brenda çerekut të ardhshëm të këtij shekulli. Dhe me këtë rast, politikbërësit duhet të sigurojnë që investimet të jenë të pranueshme dhe të përshtatshme nga pikëpamja mjedisore. Për të përballuar këto sfida, apo edhe të tjera që vijnë nga zhvillimi botëror, do të duhet që në dekadat e ardhshme, shpenzimet vjetore infrastrukturore të rriten nga rreth 800 miliardë dollarë në të paktën 2 trilion dollarë. Përndryshe do të jetë e pamundur që në terma afatgjatë, të arrihet reduktimi i varfërisë dhe rritja ekonomike gjithëpërfshirëse. Ndonëse sektori privat mund t’i përgjigjet disa prej këtyre nevojave, ai deri këtu mund të shkojë, sidomos po të mbahet parasysh risku i projekteve infrastrukturore, kostot e mëdha fillestare dhe ndjeshmëria e lartë periodike e tregjeve financiare globale. Hendeku i financimit që kërkohet shkon përtej asaj që institucionet ekzistuese ndërkombëtare financiare mund të përballojnë - dhe gjendja e vështirë e vendeve të zhvilluara nënkupton se një rikapitalizim thelbësor nuk mund të merret më në llogari. Financimi vjetor i infrastrukturës nga banka shumëpalëshe të zhvillimit, apo edhe ndihmat e ndryshme për zhvillimin, nuk shkon më shumë se 40-60 miliardë, apo 2-3% të nevojave që projektet në fjalë kanë. Një bankë zhvillimi, e instaluar në tregjet e reja dhe vendet në zhvillim, mund të ndihmojë për të adresuar këtë hendek siç duhet dhe për t’u bërë një katalizator i fuqishëm për ndryshim, si në botën në zhvillim –përmes bashkëpunimit dhe shembullit-edhe në institucionet financiare ekzistuese. 

Bota e sotme është dukshëm e ndryshme nga bota në kohën kur u themeluan Banka Botërore dhe mjaft banka rajonale për zhvillimin. Propozimi i BRICS për një Bankë të Re Zhvillimi, përfaqëson një moment të rëndësishëm për pasqyrimin e këtij ndryshimi, me mjete moderne financiare, drejtim efikas dhe një mandat të gjerë ndërnacional. Për shembull, ndryshimet në tregjet financiare, sugjerojnë mundësi për partneritete të reja për zhvillim, në të cilat Banka e Re e Zhvillimit mund të ndihmojë për katalizimin dhe dirigjimin e tyre. Gjithashtu instalimi i një kuadri të gjerë i instrumenteve moderne, do të aftësonte bankën që t’i përgjigjej të gjithë gamës së projekteve të nevojshme, duke siguruar ndërkohë menaxhimin e përshtatshëm të risqeve. Banka e re do të duhet të maksimizojë ndikimin e vet, duke shpërndarë dhe reduktuar riskun përmes veprimeve të përbashkëta, apo me përfshirjen në financime të tjera. Kështu ajo do të vendosë një model të fuqishëm me adoptimin e qasjeve novatore dhe konveniente, përmes politikës së vet dhe ndikimit institucional që shkon përtej projekteve që financohen prej saj. Ndërsa institucionet e vjetra janë përpjekur të përshtaten, drejtimi i tyre mbetet i pasinkronizuar me realitetet e sotme politiko-ekonomike. Struktura e drejtimit të kësaj banke të re ka nevojë ende të përpunohet, pse ajo supozohet se do t’u japë një zë më të madh perspektivave dhe interesave të aktorëve që operojnë në tregjet e reja në zgjerim dhe në vendet në zhvillim. Njësoj si me modet e vjetruara të drejtimit, konceptet e zhvillimit që ushqejnë institucionet ekzistuese shumëpalëshe, janë qartësisht të ndryshme nga mendimi modern për zhvillimin. Për shembull, nuk ka ekzistuar vetëdija mbi sfidën që vjen nga ndryshimi i klimës dhe për këtë arsye, të gjitha vendet (përfshirë ato në botën në zhvillim) duhet të reduktojnë emetimin e gazeve dhe të adaptojnë ndryshime të cilat, do të jenë veçanërisht të pafavorshme për vendet e varfra. Gjithashtu, nuk ka patur një kuptim të qartë mbi inovacionin dhe mundësitë e krijuara në ndjekjen e shtigjeve për rritje ekonomike më të qëndrueshme dhe përfshirëse. 

Sigurisht, Banka Botërore dhe bankat rajonale të zhvillimit tanimë i njohin kërkesa të këtilla dhe Banka e Re e Zhvillimit nuk ka pse t’i çlirojë vendet e zhvilluara nga përgjegjësitë e tyre. Por me reduktimin e ndihmës nga vendet e zhvilluara drejt vendeve në zhvillim, banka e re mund të sigurojë një ndihmë thelbësore për këto të fundit, por edhe për tregjet e reja, teksa ata ndërmarrin investime të reja, më të zgjuara dhe më të qëndrueshme në funksion të infrastrukturës, por edhe të rritjes ekonomike apo uljes së varfërisë. Nisur nga nevoja për të vepruar shpejt, ky institucion i ri është në çdo aspekt i mirëpritur. Ai mund të japë një kontribut të madh për shëndetin e ekonomisë globale duke lehtësuar tranzicionit drejt poleve të reja të rritjes ekonomike dhe kërkesës; duke ndihmuar në rebalancimin e kursimeve dhe investimeve globale dhe duke kanalizuar tepricën e likuiditetit drejt përdorimit të dobishëm. Banka nuk do të shërbejë vetëm si drejtuese për rritje të qëndrueshme në vendet në zhvillim, por gjithashtu do të nxisë reforma edhe brenda vetë institucioneve ekzistuese financiare shumëpalëshe-ndryshime këto nga të cilat të gjithë ne, në botën e zhvilluar dhe atë në zhvillim, do të përfitojmë. 

Nicholas Stern, Joseph E. Stiglitz, Amar Bhattacharya, Mattia Romani

Marrë nga Todays’Zaman

Përktheu: Skerdilajd Zaimi


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›