23 qershori, dita e verdiktit - Edi Rama të presë humbjen e radhës
Kryeministri Berisha inauguron ujësjellësin e komunave Komsi dhe Gurrë, të rrethit të Matit, investim me vlerë 116 milionë lekë
Kryeministri Sali Berisha premtoi dje nga komuna Komsi e rrethit të Matit, ku inauguroi ujësjellësin e komunave Komsi dhe Gurrë, të këtij rrethi, një investim me vlerë 116 milionë lekë, financuar nga KFË dhe qeveria shqiptare, se qeveria do të bëjë gjithçka për të ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve të vendit. Shefi i ekzekutivit tha në takimin me banorët se është i zotuar të përmirësojë jetesën e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht se ku jeton, në fshat apo në qytet, të ndihet qytetar i një vendi të zhvilluar, për sa i përket infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, e çdo shërbimi tjetër. “Ne do të bëjmë gjithçka që ju, që qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë në çdo fshat, në çdo zonë të kenë infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve të vendit, të kenë rrugë të asfaltuara, të kenë ujësjellës, të kenë kanalizime, të kenë shkolla moderne, të kenë shërbimet më të mira.
Në rrethin e Matit në këtë periudhë ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 150 km rrugë në të katër anët e tij, 27 shkolla, 19 sisteme ujësjellës dhe kanalizimesh, 28 qendra shëndetësore. Vetëm në komunën Komsi ne kemi asfaltuar 5,7 kilometra rrugë, ndërtuar 2 shkolla, 1 qendër shëndetësore dhe një ambulancë. Ne do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar për mirë jetën tuaj. Por jemi të vetëdijshëm se kemi akoma edhe shumë për të bërë. Nga Burreli në qendër të Komunës erdha në një rrugë shumë të mirë, të asfaltuar, nga qendra e komunës deri këtu erdha në një rrugë të paasfaltuar. Edhe ju keni të drejtë të keni rrugë dhe unë ju jap fjalën ju se rruga do të ndërtohet, se do të ndërtohet çdo rrugë aty ku banojnë qytetarët shqiptarë. Do të ndërtojmë çdo shkollë aty ku mësojnë të rinjtë shqiptarë, çdo ujësjellës, kanalizime. Ne do të bëjmë që qytetarët shqiptarë të ndihen qytetarë të një vendi të zhvilluar. Kemi ardhur në qendër të komunës, por ju garantoj se do të ecim drejt Qafë Shtamës. Nga Kruja po ecim drejt qafë Shtamës, tani do të ecim nga Komsia drejt Qaf Shtamës. Mati përveç rrugës së Arbrit do të ketë dhe daljen tjetër në Qafë Shtamë, Kruje, Tiranë”- tha Berisha.
Kryeministri shprehu mbështetje për fermerët, duke deklaruar se qeveria do të subvencionojë çdo dru frutor. “Ne jemi të vendosur tu mbështesim ju që ta shndërrojmë Matin në një kopsht të vërtetë të drurëve frutorë më të mirë, më të lirë për ju. Ne do të financojmë, do të trefishojmë grantet për projektet tuaja në frutikulturë, sera dhe të gjithë veprimtarinë tuaj si fermerë. Thirrja ime për ju mbillni sa më shumë drurë frutorë, mbillni arra, lajthi dhe çdo dru frutor që rritet më mirë në tokën tuaj. Shkulni çdo shkurre dhe zëvendësojeni atë me dru frutor. Le ta bëjmë ne Matin, le ta bëjmë ne Shqipërinë një kopsht të vërtet , një nga kopshtet më të bukura në Evropë”- theksoi kryeministri.
Duke iu referuar afrimit të zgjedhjeve dhe ballafaqimit të alternativave politike, kryeministri Berisha tha se platforma e të djathtëve është për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa ajo e të majtëve, për bllokimin dhe shkatërrimin e gjithçkaje që është arritur deri tani. “Alternativa jonë është një alternativë që flet me vepra, me rrugë, flet me ujësjellës, me kanalizime, flet me biznese, me ferma, flet me infrastrukturë moderne. Alternativa tjetër është alternativa e mohimit, alternativa e shkatërrimit, e mohimit të çdo gjeje që ju keni realizuar deri më sot. Por mbi të gjitha ftoni socialistët e Matit dhe të mbarë Shqipërisë të mos harrojnë se drejtohen nga arkitekti i të gjitha dështimeve, njeriu e cili që kur doli në krye të Partisë Socialiste ka kaluar nga disfata në disfatë dhe pret më 23 qershor disfatën e radhës. Ne do të vazhdojmë, kemi shumë punë për të bërë, do të bëjmë gjithçka për ju”- deklaroi më tej kryeministri.
Investimi në ujësjellës
Ujësjellësi, i projektuar me standardet më të mira dhe për ndërtimin e të cilit janë shfrytëzuar dy burime uji me dy rezervuare me kapacitet 75 m3 secili, furnizon me ujë 24 orë 2000 banorë të fshatrave Frankth, Batër e madhe dhe Batër e vogël, në komunën Komsi. Ndërtimi i tij është pjesë e programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale” në 50 fshatra, në qarqet Dibër, Shkodër dhe Kukës, duke kontribuar në përmirësimin e jetesës së rreth 40.000 banorëve.