Rama falsifikon kasetat e fushatës
Ekipi humbës i opozitës e ka nisur fushatën zgjedhore me manipulime kasetash, duke konfirmuar se s’ka asnjë shpresë që të fitojë përballjen mediatike me mazhorancën. Për prezantimin e kandidaturave në Shkodër, fotot e shpërndara ishin krejt të trukuara, çka ka bindur opinionin se ka marrë fund epoka kur Edi Rama do t’i ofrojë publikut pamje direkte të pacensuruara nga takimet me elektoratin. Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet thirrur në kauzë, për të hetuar shpifjet që po shpërndahen si “fushata elektorale e opozitës”
Autoriteti i Mediave Audiovizive i sapo krijuar ka shumë punë për të bërë në parandalimin e histerisë së kasetave të prodhuara për efekte propagandistike. Ajo që ndodhi dje në edicionet kryesore të lajmeve të televizioneve është e papranueshme. Regjia qendrore e Partisë Socialiste kishte shpërndarë për mediat televizive ca pamje të prezantimit të Edi Ramës të kandidatëve në qytetin e Shkodrës, dhe sipas tyre, pritja e kandidatëve ishte madhështore ku dhjetëra mijë njerëz ishin entuziastë për të përzgjedhurit e tij dhe me zor po prisnin të votonin.
Në të vërtetë, “mitingu madhështor” i Edi Ramës në Shkodër ishte një dështim i paparë që konstatohet fare lehtë nga vëzhgimi i disa fotove që paraqesin qindra militantë socialistë dhe dhjetëra persona farefis të kandidatëve, që valëvisnin flamuj për të dhënë idenë e një pritjeje entuziaste.
Megjithatë manipulimi i së vërtetës faktike dhe shitja e një prezantimi modest si një sukses të madh është një tipar themelor i punës së shtabit elektoral të Edi Ramës, që propagandon të zezën për të bardhë, dhe të bardhën për të zezë. Dihet botërisht se E majta në Shkodër është një minorancë që duhet të ruhet me ligj, ashtu siç ruhen me kod elektoral minoritet etnike. Qyteti i Shkodrës dhe qytetarët e saj kanë qenë gjithmonë një pararojë e antikomunizmin dhe përbuzës i majtizmit klasik sepse plaga që krijoi regjimi diktatorial në këtë qark është më e thella se në çdo qytet tjetër të vendit. Edhe ajo pak E majtë që “rezistonte” në Shkodër është përbuzur me largimin nga lista e kryetares së PS në Shkodër, Keti Bazhdari, e cila pasi u përdor për të joshur ish-të përndjekurit u flak si një limon i shtrydhur. Kasetat e shpërndara nga shtabi elektoral i Edi Ramës përpiqen të narkotizojë kundërshtitë e bazës duke nxjerrë në pah një realitet madhështor që s’ekziston, pasi ka humbur shumë mbështetës me përfshirjen e jo socialistëve në listat e sigurta të kandidatëve për deputetë.
Padyshim dëshira e Edi Ramës për të bërë diversion me pamjet për t’u hequr si i pranueshëm në sytë e Shkodranëve demokratë në shpirt është një gjë e ulët. Edi Rama për motive të dobëta elektorale po bën një fushatë të bazuar në manipulim jo vetëm të imazheve, por edhe të shifrave dhe realitetit faktik. Për shembull, një arritje e qeverisë Berisha është përmirësimi i infrastrukturës rrugore, e cila në shumë pak vite ka pësuar një ndryshim radikal që akoma vendet fqinje të Shqipërisë si Mali i Zi, Maqedonia, apo edhe Serbia janë vite larg; Edi Rama e sulmon këtë arritje të dukshme pa fakte dhe me një dëshirë për të nxirë një sukses.
Kjo sjellje e pamend është rrjedhojë e një strategjie për të nxirë realitetin dhe kryeministrin Berisha. Por Edi Rama harron se qytetarët udhëtojnë shpesh, si brenda po ashtu në vendet e rajonit, dhe janë në gjendje të gjykojnë për investimet e mëdha që janë bërë ndërtime dhe rikonstruksione rrugësh. Padyshim ka akoma për të bërë, por nuk mund të thuash se nuk është bërë asgjë, kur në 8 vite janë shtruar 10 mijë kilometra, që ndoshta nuk të çojnë në Tokio, me siguri rruga të çon në shtëpi.
Sidoqoftë strategjia e Edi Ramës për të manipuluar realitetit faktik, qoftë me imazhe të trukuara dhe një gjë bombastike të kasetave që shpërndan për propagandë ka të bëjë me mbushjen e hendekun që e ndan nga kryeministri Berisha, i cili çdo ditë inauguron rrugë, shkolla, kanalizime, ujësjellës, sisteme taksash, shërbime on-line e shumë shërbime cilësore. Arroganca e Edi Ramës për të ardhur në pushtet, me manipulime mediatike, pa marrë parasysh votën e qytetarëve është një nga gabimet më të mëdha të një pretendenti për kryeministër që parashihet të humbë një tjetër rast. Ndërsa për strategjinë e kasetave të manipuluara me siguri duhet të ndërhyjë Autoriteti i Mediave Audiovizive, e cila s’duhet të lejojë shpërndarjen e kasetave që janë produkte të shpifjes dhe manipulimit të së vërtetës.