E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahimi në festën e Evropës

11-05-2013 / Nga Ali Cenaj

Edhe Rrahimi është ndër ata që dje iu gëzuan shumë festës, Ditës së Evropës. Një prej këtyre festave të shumta që as vetë mund të mos e kemi të qartë pse i mbajmë dhe pse i kremtojmë, por kryesore i kemi festa, madje me kalendarin e festave zyrtare shtetërore. Tek shfaqeshin dje gjithë ato pamje festive, fëmijë e të rritur me flamuj të vegjët të BE-së që shpërndaheshin falas nga një furgon me shenjat e Bashkimit Evropian, të cilin mund ta kemi afër vetëm në ëndrra, seç mu kujtua Rrahimi. Ai që e donte shumë Evropën, në mënyrën e vetë. Është një burrë i bëshëm, mbi të 50-at, nga një katund i Obiliqit që më ka rastisur ta takoj vite më parë në një ndejë të shkurtër por që s’më shkoqet nga kujtesa as sot e kësaj dite. Si sot më ndjekin prapa ato fjalët e tij me aq afsh, “me honger”, tek fliste me instinktin e të uriturit të përjetshëm për Evropën e tij, të cilën e kishte zbuluar përmes statusit si azilant në Suedi së bashku me gjashtë fëmijët. “S’ka vëlla, si atje. Vend për së mbari. Xheneti i dynjasë. Ku ke parë, me të dhënë me hongër çka të duash, edhe banane. Kokrrën e sefasë e kemi bërë. Me hongër badihava, rri, ha, pi...”, rrëfente Rrahimi, burri me mustaqe vesh më vesh, tek rrufiste, herë pas here, çajin e nxehtë me limon. “Jo more, çfarë pune! Pse me punu, se kush ia ka parë hairin punës”, më thotë, si i habitur me pyetjen nëse gjatë gjithë qëndrimit atje kishte kërkuar ndonjë vend pune. “Atje sociali dilte më i mirë se me punu, ani me shtesat e fëmijëve”, shprehej Rrahimi, tek mbante cigaren mes gishtave si të ndonjë pianisti që tregonin se s’kishte prek kurrë punë me dorë. Rrahimi ynë që kishte një hidhërim të madh. Që e kishin kthyer. Por betohej se, ai gjallë, pa u kthye atje nuk do ta lërë kurrë.
Dhe si shpesh, nuk harronte të përsëriste plot afsh fjalët “me hongër”, “me hongër” që mu kujtuan dje, si një biçim koncepti që jo vetëm Rrahimi mund ta ketë për Evropën. “U kënaqëm me festa”, thoshte dje me ironi një shok tek shihte gjithë ata njerëz që silleshin si pa kokë, do fytyra që përpiqeshin të dukeshin të lumtura me nga një flamur të vogël evropian në njërën dorë dhe në tjetër pjatën me dofarë ushqimesh që shpërndaheshin nga një furgon i parkuar aty në shesh. Në kryeqytetin e shtetit që e kishte shpallur ditë pushimi ditën e themelimit të Bashkimit Evropian edhe pse shtetet anëtare dhe ato kandidate për BE e festojnë duke punuar, njerëzit duan të duken të lumtur. Vetëm institucionet e BE-së dhe halli ynë nuk kanë punuar. Në Ditën e Evropës që për çudi ne e festojmë edhe pse më shumë gjeografikisht jemi pjesë e saj. Ne që dje ia morëm “përkohësisht” edhe emrin rrugës “Rexhep Luçi” heroit më të madh të këtij qyteti të nëpërkëmbur, dhe ia falën Evropës duke e stolisur me gjithë ato flamuj të vendeve të BE-së në të cilat të cilat për ti vizituar, vetëm për viza halli ynë paska dhënë hiç më pak se 15 milionë euro.
Edhe pse ndër më të izoluarit, me të ardhurat më të ulëta për kokë banori por me korrupsionin më të lartë jo vetëm në Evropë, me një shoqëri të çakorduar, pa elita politike. Me garnitura politika korruptive, struktura kushtetore të zhytura në krim e nepotizëm, me gjyqësi të tredhur, medie të kontrolluara deri në dhunim e demokraci të gjymtuar Evropa do të mbetet edhe një kohë vetëm gjeografikisht afër. Me specifikat tona, një popull me shumë diversitete, në kërkim të identitetit, një popull që për lindjen është perëndim e për perëndimin lindje, të cilit ende duan ta imponojnë dilemën nëse i përkasin Evropës dhe civilizimit perëndimor apo Lindjes, duket se mes dilemave të rreme, instinktivisht zgjidhjen tashmë e kemi bërë. Kuptohet, dikush edhe me instinktin e Rrahimit që mund të jetë rehatuar sërish në ndonjërin nga vendet, prej nga ishte dëbuar vite m parë por të tjerë nga bindja se Evropa ishte dhe është djepi ynë. Se dielli ka kohë që për ne lind nga perëndon. Se joshjet e lajkat që po ringjallen vetëm po na e përkujtojnë një të kaluar jo të largët. Se pas ikjes nga habitati ynë evropian nuk është larg dëbimit nga Evropa?
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›