24 ore me KombetarenTani janë thuajse të gjithë. Po, thuajse, sepse Curri, Dallku dhe Ujkani pritet të vijnë sot. Janë të vetmit që mungojnë.

NGA GJERGJ CICANI- 24 ore me Kombetaren. Është ora 10:00 dhe askush nuk gjendet në ambjentet e “Hotel Dyrrah”. “Janë ende në stërvitje”, të thonë kamarierët dhe recepsionistët. Më pas, në korridor nisin të dëgjohen zhurmat e para. Lojtarët vijnë në holl dhe hyjnë një e nga një. Kanë zhvilluar vrapime në plazh dhe nuk kanë qenë në stadiumin “Niko Dovana”, ashtu siç ishte planifikuar. Megjithatë, një orë në rërë është e mjaftueshme për ta dhe për Kuzhen. Lojtarët shkojnë nëpër dhoma. Ndërkohë, vetë Kuzhe ulet së bashku me ndihmësin e tij dhe konsumon një kapuçino. Vjen orari i konferencës për shtyp dhe dalin emrat e lojtarëve të cilët duhet të flasin. Po, sepse sipas një rregulli që ka vënë trajneri Kuzhe, tani duhet të flasin nga tre lojtarë çdo ditë, deri të premten. “Ideja është që të flasin të gjithë lojtarët e grumbulluar”, të thotë menaxheri i skuadrës kombëtare. Tre lojtarët e sotëm janë Kapllani, Duro dhe Agolli. Futbollistët që u thërriten emrat nga “I njohuri” Tosi, nisin të vishen shpejt e shpejt. Konferenca përfundon shpejt, jo më shumë se 20 minuta, teksa më pas lojtarët ulen në holl dhe nisin të konsumojnë të qetë nga një kafe, sigurisht duke folur për problemet dhe ecurinë e tyre me njëri-tjetrin. Kapllani dhe Bogdani ulen në një tavolinë, teksa këtu diskutohet përgjithësisht mbijetesa. Kievo e Bogut ka shpëtuar, por Karlsruhe e Kapllanit ra në të dytën. Megjithatë, sulmuesi tashmë ka firmosur për Augsburg në Bundesligën 2.
Ora 13:00 Lojtarët thërriten për drekë nga ana e stafit dhe të gjithë shkojnë të konsumojnë drekën. i fundit në tavolinë ulet trajneri Kuzhe. Ai i shikon të gjithë dhe për çudi lojtarët duken shumë seriozë. Madje, edhe ata të cilëve u pëlqen pak të bëjnë humor në ditë si këto, ku grumbullimet e herëve të tjera, “nuk shtyheshin fare”, dje kanë qenë shumë seriozë. Asnjeri nuk ngrihet nëse nuk ngrihet trajneri dhe kjo ndodh atëherë kur Kuzhe mendon se është ora për të shkuar në dhomë. Më pas lojtarët nisin të çohen një e nga një. Dikush shkon në dhomë, dikush rri në holl, ndërsa, dikush tjetër del fare nga hoteli, sigurisht për të takuar ndonjë mik, apo të afërm që ka ardhur për ta takuar. Askush nuk do të bjerë në sy për keq tek trajneri i ri.
Ora 14:00 Mbërrin edhe golashënuesi i kampionatit austriak, Hamdi Salihi. Me një çantë të vogël mbi shpinë, ai i përshëndet të gjithë. Më pas shkon dhe takon trajnerin Kuzhe i cili sapo çohej nga restoranti. Më pas, ai ulet dhe nis të konsumojë drekën. Sigurisht që ai që të japin në linjat ajrore nuk është ndonjë ushqim shumë i mirë. Më pas mbërrin edhe kapiteni i Marsejës, Lorik Cana. Edhe ai, shumë i dashur i përshëndet të gjithë të pranishmit. “Jam pak i lodhur, - thotë Cana, - pas ndeshjes nuk kam fjetur gjithë natën dhe direkt në avion e tani jam këtu. Po kam kohë që të pushoj, apo jo”, vijon ai dhe niset e shkon në restorant. “Salihi, gol, gol, gol, ç’bën kështu se i mbarove të gjitha”, i thotë Salihit, i cili, ndërkohë ka nisur të ngrënën. Më pas ulet edhe Cana dhe të dy nisin të bëjnë muhabet shtruar. Të vetëm në tavolinë. Cana kërkon informacione për Lalën dhe pyet: “Altini ka ardhur? Nuk kam komunikuar me të, është gjë i dëmtuar?” dhe pasi merr përgjigjen se Lala është i dëmtuar, por ndodhet në Tiranë kthehet dhe vazhdon të konsumojë ushqimin e tij.
Nga ana tjetër, Ylli Mihali zbret poshtë, merr një makinë dhe niset në drejtim të Aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit. Ka mësuar se pas dy orësh mbërrin miku i tij, fantazisti i Kotbusit Skela, i cili sigurisht që nuk do të jetë aspak i lumtur pas rënies së Kotbus në Bundesligën e dytë.
Ora 16:00 Holli i hotelit dhe thuajse i gjithë hoteli është bosh, me përjashtim të stafit, të cilët shohin televizor, duke qenë se s’kanë thuajse fare punë. Jo më shumë se 30’ më vonë, nis të dëgjohet zhurmë tek shkallët. Fizioterapisti Ylli Mihali hyn në holl së bashku me Skelën. Fantazisti duket i dërrmuar. Të dy shkojnë menjëherë në restorant, atje ku Skela porosit sipas mënyrës së tij. Të dy nisin të flasin për Kotbusin, për rënien dhe për të ardhmen. Por, Skela nuk ka dashur të flasë shumë për Kotbusin. Më pas nis biseda për filnalen e Champions League. Sigurisht…. Për Barcelonën. Më pas, të dy shkojnë në dhoma.
Ora 17:00 i pari që zbret nga dhoma e tij është trajneri Kuzhe. Merr një kapuçino dhe ujë sërish dhe nis të shikojë disa shënime që ka marrë gjatë këtyre ditëve. Sigurisht që po mendonte për taktikën në ndeshjen me Portugalinë. Në televizor jepej një ndeshje ritransmetim Karlsruhe-Herta. Kuzhe kthen kokën, e shikon dhe e kupton që është ritransmetim. Më pas zbresin lojtarët një e nga një. i pari zbret Duro. Pastaj Cana me Berishën ulen në një tavolinë dhe nisin të flasin. Cana nis të takohet me të tjerët sepse kur ka mbërritur nuk ka patur askënd që të takonte nga futbollistët. “ǒpati Marseja?”, e pyesin futbollistët Canën. “Na iku kampionati nga duart. Sa inat më vjen. Po, ç’ti bësh, futboll është në fund të fundit”, përgjigjet Loriku.
Ora 18:00 Të gjithë bëhen gati për tu nisur në fushën e stërvitjes. Si gjithmonë në Durrës, në “Niko Dovana”.
Ora 20:00 Lojtarët kthehen në hotel dhe gjithçka nis nga e para. Tani janë thuajse të gjithë. Po, thuajse, sepse Curri, Dallku dhe Ujkani pritet të vijnë sot. Janë të vetmit që mungojnë. Darka si gjithmonë e qetë dhe më pas lojtarët nisin të shkojnë avash-avash nëpër dhomat e tyre. Sigurisht, ndonjëri që është i lodhur fle menjëherë, ndërsa ndonjë tjetër kalon nga dhoma e shokut të tij dhe nis të luajë… me letra. Një 24-orësh i këndshëm për të gjithë.
E Marte, 02 Qershor 2009