Kapllani-Bogdani, prova gjenerale për sulminNë njërën anë lojtarët më të vjetër, si Bogdani, Kapllani, Berisha, Agolli, Bulku, Beqiri, Vangjeli, etj. Ndërsa, në anën tjetër, sikur të ishin ndarë me “thikë” lojtarët U-22, si Bakaj, Muzaka, Vila,

Nga GJERGJ CICANI- Stërvitja e Kuzhes sigurisht që nuk pritet të jetë ndonjë “mrekulli” që në ditën e tretë të saj. Por, që trajneri i ri ka sjellë një frymë të re në skuadër, kjo është lehtësisht e kuptueshme. Futbollistët dalin më me dëshirë në fushë. “Argëtohemi”, të thonë. Në momentin që ata hyjnë në “Niko Dovana” të gjithë të pranishmit (grupmosha të atletikës së klubit Teuta dhe të rinjtë e skuadrës durrsake të futbollit) shtangin. Nisin të thonë emrat e lojtarëve. “Cana, më duket se është Cana”, thonë ata, teksa nisin e shikojnë kuqezinjtë. Aty për aty afrohen më shumë në fushë, por Tosi nuk lë askënd që t’I afrohet kombëtares dhe lojtarëve të saj. Kuzhe i mbledh të gjithë në qendër të fushës. Diçka u thotë dhe nisin kuadratet si fillim. Në njërën anë lojtarët më të vjetër, si Bogdani, Kapllani, Berisha, Agolli, Bulku, Beqiri, Vangjeli, etj. Ndërsa, në anën tjetër, sikur të ishin ndarë me “thikë” lojtarët U-22, si Bakaj, Muzaka, Vila, Hyka, etj. Ndërkohë, dy portierët zhvillojnë stërvitje me përgatitësin Bozhiqi. Bylykbashi nuk ndihet mirë dhe ka dhimbje stomaku, aq sa Kuzhe e detyron ta lerë stërvitjen dhe të shkojë në hotel së bashku me njërin nga mjekët e skuadrës. Lorik Cana, Ervin Skela dhe Hamdi Salihi zhvillojnë vrapime individuale në fushë, sepse sapo kanë ardhur dhe nuk mund të stërviten fort. Gati për një minindeshje me dy porta. Kuzhe nis të ndajë formacionet. Nga njëra anë, sigurisht ai që mund të quhet deri diku një formacion “titullar” ishte Hidi, Beqiri, Vangjeli, Vrapi, Bulku, Lika, Agolli, Hyka, Duro, Bogdani dhe Kapllani. Nga ana tjetër e gjithë pjesa e skuadrës, me në portë Koliqin. E veçanta ka qenë se në mbrojtje Kuzhe ka luajtur me nga tre mbrojtës, teksa në formacionin me jelekë blu ka vendosur përpara Hidit, Beqirin në qendër, Vangjelin në të djathtë dhe Vrapin në të majtë. Në mesfushë Agolli dhe Hyka në krahë dhe Duron, Bulkun dhe Likën në qendër, teksa Bulku luante në rolin e Canës (I cili shikonte këtë minindeshje si spektator), pra të të “shkatërruesit”. Në sulm dyshja Bogdani-Kapllani. Dhe dyshja e vendosur në sulm nis të japë sinjale shumë pozitive. Kapllani dhe Bogdani alternoheshin me njëri-tjetrin dhe ndërtonin aksione shumë të mira, teksa finesa e Agollit me krosat nga krahu i majtë e bënte edhe më të lehtë shënimin e golave për dy sulmuesët shtatlartë. Sigurisht, në këtë minindeshje mungonin Curri, Cana, Skela dhe Salihi (I pari vjen sot, tre të fundit sapo erdhën dhe ishin të lodhur) dhe nuk mund të quhet një formacion i përfunduar. Por, një gjë e tillë do të mësohet tamam sot, kur kombëtarja të zhvillojë ndeshje kontrolli me përfaqësuesen shqiptare U-17.
E Marte, 02 Qershor 2009