24 vite burg për ish-ministrin spanjoll lidhur me skandalin me maskat e pandemisë

Një goditje e fortë ka tronditur sot skenën politike në Spanjë, ku Gjykata e Lartë ka dënuar me 24 vite burg ish-ministrin e Transportit, Jose Luis Abalos. Ish-zyrtari i lartë u shpall fajtor për korrupsion, ryshfet dhe përvetësim të fondeve publike përmes një skeme kriminale. Hetimet treguan se ai kishte manipuluar kontratat shtetërore për blerjen e maskave mbrojtëse gjatë periudhës së vështirë të pandemisë.
Bashkë me të u dënua edhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Koldo Garcia, i cili mori plot 19 vite heqje lirie. Ndërkaq, biznesmeni i përfshirë në këtë aferë shpëtoi nga qelia me katër vite e gjysmë dënim me kusht, pasi pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Ky vendim është vetëm fillimi i një serie skandalesh që po lëkundin fort qeverinë e majtë të kryeministrit Pedro Sanchez.
Kreu i qeverisë erdhi në pushtet tetë vite më parë pikërisht me premtimin e madh për të pastruar politikën nga korrupsioni. Edhe pse emri i tij nuk përmendet direkt në dosje, Sanchez po përballet me kritika të ashpra nga të gjitha anët. Vetë kryeministri është mbrojtur publikisht duke thënë se e gjithë kjo është një fushatë e pastër politike për ta rrëzuar nga pushteti. Tashmë pritet të shihet se si do të ndikojë ky vendim i rëndë i drejtësisë në të ardhmen e kabinetit qeveritar spanjoll.
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/