Shpërthim në një pikë eksporti gazi në Katar, të paktën 13 viktima, 66 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm në një pikë eksporti gazi ka ndodhur në zonën industriale Ras Laffan në Katar, duke shkaktuar të paktën 13 viktima dhe 66 të plagosur. Autoritetet e vendit e kanë cilësuar ngjarjen si një “aksident teknik”, duke përjashtuar mundësinë e sabotimit apo ndonjë sulmi të qëllimshëm.
Ministri i Energjisë, Saad Sherida al-Kaabi, deklaroi se shpërthimi nuk do të ndikojë menjëherë në eksportet e gazit natyror të lëngshëm (LNG), megjithatë riparimet e nevojshme pritet të reduktojnë prodhimin me rreth 12.8 milion ton për një periudhë prej tre deri në pesë vjet.
Viktimat janë kryesisht punëtorë nga India dhe Pakistani, ndërsa ambasada indiane në Doha ka shprehur ngushëllime dhe po ofron ndihmë për familjet e tyre. Shpërthimi ndodhi në objektin e furnizimit me gaz Barzan, vetëm dy ditë pasi impianti kishte rifilluar punën pas një ndalese të gjatë për mirëmbajtje.
Ngjarja u ndje deri në qendër të Dohas, rreth 70 kilometra larg, duke shkaktuar panik tek banorët. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit, ndërsa kompanitë energjetike po punojnë për rikthimin e sigurisë dhe stabilitetit në zonën industriale.
/rtsh.al/