E Diel, 1 Nëntor 2026

25 Maji, Dita Ndërkombëtare në kërkim të fëmijëve të humbur

TIRANË- 25 maji njihet në mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Humbur. Kjo datë u përcaktua dhe u shpall në vitin 1983 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Presidenti Ronald Regan.

Përcaktimi i kësaj dite mori shkak nga historia e fëmijës 6 vjeçar, Etan Patz, që u zhduk nga shtëpia e tij në Nju Jork në 25 maj të vitit 1979. Etan Patz, raportohet së është zhdukur në rrugën që ndiqte autobusi i tij nga shtëpia për në shkollë. Data e zhdukjes së Etanit ishte caktuar si “Dita e fëmijëve të humbur”. 

Në atë kohë, rastet e fëmijëve të zhdukur rrallë herë merrnin vëmendjen e medias kombëtare, por rasti i tij u përhap shpejt. Babai i Etan Patz, një fotograf profesionist, shpërndau në mbarë vendin dhe mediat fotografitë bardh e zi të vogëlushit në përpjekje për të gjetur atë. Ky veprim i tij ndikoi në opinion për të përqëndruar vëmendjen mbi problemin e rrëmbimit të fëmijëve dhe mungesën e planeve për të trajtuar këtë problem të shoqërisë.

Pas kësaj, për rreth tre vjet, vëmendja e mediave u fokusua në Atlanta dhe Gjeorgji, ku u zbuluan trupat e fëmijëve të vegjël në liqene, këneta dhe pellgje. U deshën të zbuloheshin njëzet e nëntë trupa para se një i dyshuar të identifikohej dhe arrestohej në vitin 1981.

Kjo datë njihet dhe përkujtohet edhe në Shqipëri. Linja e këshillimit, "ALO 116", në kuadër të kësaj dite kërkon intensifikim të kërkimeve dhe krijimin e regjistrit për trafikuesit, shfrytëzuesit dhe abuzuesit e fëmijëve. Deri më tani në "Alo 116" janë referuar 11 raste fëmijësh të humbur, ku vetëm 4 prej tyre janë gjetur brenda ditës dhe janë kthyer në gjirin e familjes, 2 të tjerë gjatë gjetur pas kërkimeve një javore ndërsa 5 të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›