“25 vjet të Kushtetutës Shqiptare”/ Bardhi refuzon ftesën e Nikollës: Ironike, na ftoni vetëm për të dëgjuar si flisni ju

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka refuzuar ftesën e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që e fton të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “25 vjet të Kushtetutës Shqiptare”. Në një letër drejtuar Nikollës, kreu i Grupit Parlamentar të PD e konsideron si ironike këtë ftesë, duke sjellë në vëmëndje ato që ai i konsideron si shkelje kushtetuese të mazhorancës ndaj opozitës.
“Në adresë të të gjithë deputetëve të opozitës është dërguar një ftesë për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “25 vjet të Kushtetutës Shqiptare”. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me lejoni t’ju përcjell pamundësinë tonë për të marrë pjesë në këtë konferencë, për shkak të veprimeve të mazhorancës.
“Së pari, duket më shumë se ironike që Konferenca për 25 vjet Kushtetutë të organizohet nga ana juaj, si përfaqësuese e një mazhoranca që në mënyrë të vazhdueshme dhunon Kushtetutën. Vetëm gjatë muajit të fundit ju keni vendosur të asgjesoni të drejtat kushtetutese të opozitës, duke injohur hapur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ju personalisht, injoroni zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ku prej 10 muajsh refuzoni të zbatoni vendimin nr. 1, datë 23.1.2023 të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, përpara organizimit të festave mbi Kushtetutën, do të ishte më e përshtatshme që ju të tregoni shembullin e respektit ndaj Kushtetutës”, shkruan ai.
Ai thekson se në aktivitet do të mund të marrin fjalën vetëm anëtarë të mazhorancës, ndërsa opozita vetëm do mundet të dëgjojë.
“Së dyti, në axhendën e aktivitetit rezulton që të keni injoruar përfaqësimin e të gjithë spektrit politik në Kuvendin e Shqipërisë, dhe nga ku rezulton se deputetët e opozitës janë ftuar vetëm si dëgjues të fjalës tuaj! Në këtë mënyrë, ju keni vetpërjashtuar opozitën nga ky aktivitet”, thekson ai.
Bardhi i ka bërë thirrje Nikollës për reflektim dhe marrje parasysh të kërkesave të opozitës.
