E Hënë, 2 Nëntor 2026

25-vjetori i Avokatit të Popullit, Manja: Partner i shtetit të së drejtës. Zoçaj: Shiheni si busull!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e ka vlerësuar rolin e Avokatit të Popullit gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, me rastin e 25-vjetorit të institucionit.

Manja deklaroi më tej se rekomandimet e Avokatit të Popullit janë sinjale alarmi e udhërrëfyes për një administratë më të ndjeshme e llogaridhënëse.

“Avokati i Popullit, një prej institucioneve më fisnike, i ngritur mbi idealin e drejtësisë… gjatë 25 viteve, ky institucion ka arritur të jetë zëri i atyre që nuk dëgjohen. Ka folur me guxim kur të tjerët kanë heshtur, e ka mbrojtur me integritet. Ka qenë zëri i ndërgjegjes institucionale dhe mbrojtës i palodhur i të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Ne nuk e kemi parë e konsideruar Avokatin e Popullit si kundërshtar institucional, por si një partner të domosdoshëm për ndërtimin e një shteti funksional të së drejtës e rendit demokratik. Rekomandimet e Avokatit të popullit janë sinjale alarmi e udhërrëfyes për një administratë më të ndjeshme e llogaridhënëse. Respektimi i tyre akt përgjegjësie ndaj qytetarit e shtetit. Nënvizoj bashkëpunimin e ngushtë me këtë institucion në sistemin penitenciar”, deklaroi Manja.

Nga ana e saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, u bëri një thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të mos druhen para zërit të Avokatit të Popullit dhe ta shohin këtë institucion si një busull.

“Gjykata Kushtetuese mbron kushtetutën, kontratën mes popullit e pushtetit. Por teksa ne gjykojmë kushtetutshmërinë e ligjeve, mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, Avokati i Popullit na kujton atë që ligji dhe drejtësia s’duhet ta harrojnë kurrë: njeriun pas parimeve.

Në një shoqëri që kërkon të lërë pas hijet e autoritarizmit, Avokati i Popullit përfaqëson më shumë sesa një mbikëqyrje. Ai është vetë kujtesa, kambana që bie për institucionet që duhet t’u shërbejnë njerëzve, jo pushtetit. Nëse Avokati i Popullit është i papëlqyer për pushtetin, po e kryen misionin e tij siç duhet. Institucionet të punojnë në bashkëpunim, jo garë.

I drejtohem të gjithëve që mbajnë poste publike: mos kini frikë nga zëri i Avokatit të Popullit, por heshtjen që do ekzistonte pa të. Shiheni Avokatin e Popullit si busull!” deklaroi Zaçaj.

“Ta mbështesim këtë institucion me respekt e të forcojmë pavarësinë e tij jo vetëm me fonde, por me përgjegjshmëri”, përfundoi ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›