E Martë, 3 Nëntor 2026

250 milionë euro kredi të buta, Denaj: Ulet norma e interesit në 2% për bizneset në 5 sektorë kyçë të ekonomisë

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur konsultimet për programin e ri mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro, do të mbështeten investimet në serra, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj së bashku me ministren Delina Ibrahimaj, ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, si dhe me drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçin ishin të pranishme në konsultimet për skemën e financimit me kredi të butë dhe garancinë sovrane.

Denaj solli pamje në rrjetet sociale nga takimi i zhvilluar me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar dhe përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.

Sipas ministres Denaj, financimi përmes Kredisë së Butë dhe Garancisë Sovrane do të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor të investojnë me kushte lehtësuese.

Ministrja nënvizoi se “Kredia e Butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% për bizneset në 5 sektorë kyçë të ekonomisë”.

“I urojmë mirëseardhjen biznesit dhe përfaqësuesve të bankave që u bëtë pjesë për një diskutim, për një objektiv madhor të qeverisë që lidhet me zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë shqiptare. Mbështetja financiare për bujqësinë dhe sektorin SME (biznese të vogla dhe të mesme) është mbështetja më e madhe që është dhënë ndonjë herë në Shqipëri në këto vite. 250 milionë euro të vendosur si një skemë financimi për kredi me interes të ulët që shkon nga 2%-3.5% është një shumë e konsiderueshme që i vihet në dispozicion biznesit të vogël dhe të mesëm për të realizuar progres dhe këtu një pjesë shumë e rëndësishme e biznesit të vogël dhe të mesëm është në sektorin e bujqësisë”, u shpreh Denaj.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se sot fillohet një diskutim për produktin konkret që do të ndihmojë financimin në sektorin bujqësor.

“Garancia sovrane do t’i mundësojë bizneseve që të ketë një mbulim të madh të riskut dhe një mbulim të madh të kolateralit nga garancia dhe jo më nga vetë biznesit. Përfshirjen e AZHBR-së në shqyrtimin e aplikimeve për garancinë sovrane, elementi i ekspertizës do të ndihmohet ndjeshëm pasi jo çdo bankë mund ta ketë ekspertizën në sektorin bujqësor ndërsa AZHBR është një agjenci shtetërore e cila është e përqendruar vetëm në sektorin bujqësor”, tha Ibrahimaj.

Ardita Kuçi, drejtoreshë e AZHBR-së, theksoi se nga vitit 2013 e deri në vitin 2024 kemi rreth 1100 investime në infrastrukturë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të cilat kanë sjellë një ndryshim rrënjësor të këtij sektori.

“Nga viti 2013 deri në vitin 2022, kemi 551 investime të cilat janë mbështetur me grant ose kredi pa interes nga buxheti i shtetit, shtuar këtyre investimeve edhe 540 kontrata të cilat janë lidhur nëpërmjet programit IPARD 2, në total themi se kemi rreth 1110 investime. Nuk flasim për skema direkte për pagesa të drejtpërdrejta ndaj fermerëve të cilat kapin një shifër shumë më të lartë, por të mendojmë se nga vitit 2013 e deri në vitin 2024 kemi rreth 1100 investime në infrastrukturë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të cilat kanë sjellë një ndryshim rrënjësor të këtij sektori, duke u fokusuar në sektorët e prodhimit, agropërpunimit, të grumbullimit, të turizmit rural dhe të natyrës dhe të akuakulturës, të cilat janë sektorë gjithashtu të përfshirë në skenën e financimit me kredinë e lehtësuar dhe garancinë sovrane”, u shpreh Kuçi.

Kuçi theksoi se “subjektet e interesuar SME të vogla dhe të mesme mund të drejtohen në bankat të nivelit të dytë për të aplikuar për kredinë e lehtësuar”. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›