E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Gjirokastra sot po shkëlqen me investime, çdo dy javë hapet një bujtinë e re

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.

Nga Berlini, ku ndodhet në panairin e turizmit ITB Berlin 2025, ku Shqipëria mban Vendin e Nderit këtë vit, nën sloganin “Albania All Senses”, Rama foli edhe për opozitën.

“Poshtë “këneta” që nxin Shqipërinë”, u shpreh një komentues.

“”Këneta” poshtë është, po kujdes kush zbret poshtë. Puna është të ngjitemi lart, të vijnë të gjithë lart me ne, të ngjiten lart”, tha Rama.

Një tjetër komentuesi që e pyeti për ngritjen e kioskave për makinat me qira, Rama u shpreh se, “këtë fjalën ‘kioskë’ unë e kam pak problem, por nëse ke të drejtë duhet ta diskutosh me instancat përkatëse, se nuk jam unë që ta zgjidh këtë. Kioska i kam problem të madh e dini ju, s’i shoh dot me sy”.

Një emigranti nga Greqia që i kërkoi të rregullojë ekonominë e Shqipërisë që të kthehet, Rama iu përgjigj se, “ekonomia rregullohet duke kontribuar të gjithë. Unë nuk dua që të më dëgjosh mua. Unë dua të shohësh faktet e ekonomisë. Të shohësh sesi janë ata që janë ngulur në vendin e vetë dhe punojnë dhe punojnë dhe investojnë. Ata të shohësh dhe të shohësh çfarë pagash marrin, konkrete, reale, interesohu. Se kjo histori “rregulloje ti, që të vijmë ne” është paksa si shtrembër”.

Një tjetër qytetari që i shkruan se shtëpitë tradicionale në Gjirokastër e Berat janë lënë në mëshirë të fatit, Rama iu përgjigj se, “vetëm bonuset që kemi dhënë për shtëpitë e Gjirokastrës dhe Beratit, po nuk je i informuar, po duhet të shohësh fotografi si ishte Berati i vjetër, si është sot; si ishte Kalaja dje dhe si është sot; si ishte Gjirokastra që po binin të gjitha një nga një në heshtje dhe nuk vinte jehona në Tiranë fare dhe gjithë kërcëllimave dhe shembjes së shtëpive. Gjirokastra sot po shkëlqen me investime pafund. Hapet mesatarisht çdo dy javë një derë e re, një bujtinë e re, një mikpritje që bëhet më e madhe, më e gjerë. Çfarë po thua? Aman po pse kështu. Dhe nuk keni faj se ku do t’i merrni vesh këto ju te “këneta” mediatike që ju flet vetëm për historira. Lëre mos hapim… se jemi mirë sot”.

Një tjetër qytetari, i cili i tha se që prej 2013-ës janë larguar 500 mijë shtetas shqiptarë drejt Gjermanisë, Rama iu përgjigj se, “problemet me aritmetikën ju që flisni në emër të “kënetës” i keni shumë të rënda, sepse ju ka lënë Luli me një traumë të madhe dhe pastaj ju futet dhe “Bufi” në mes dhe juve nuk merrni më vesh se çfarë flisni”.

“Që nga viti 2012 deri në vitin 2024, 12 vjet sipas censit, në total janë 400 mijë që kanë lëvizur dhe as një milionë, as dy milionë dhe Shqipëria nuk është 1 milion, është 2,4 milionë sot që flasim dhe ata që kanë lëvizur janë në të drejtën e tyre të lëvizin, sepse nuk jemi më në bunkerin e shokut Enver. Nuk kemi më as piramidat e Buf Rrapushit, jemi në një botë të lirë. Kështu që, më vjen shumë keq për ty, por nëse të duket që kjo që Shqipëria po bën këtu sot është një karagjozllëk, atëherë aq më keq për ty i dashur, je komplet viktimë e “kënetës””, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›