250 milionë euro për bujqësinë, Kuçi: Interes i lartë i fermerëve për kredi të lira

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Fermerët dhe agrobiznesi po tregojnë një interes të lartë në aplikimin pranë bankave tregtare për të përfituar kredi me interes të ulët nga programi 250 milionë euro, për financimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi, tha se bujqësia, në raport me sektorët e tjerë është më pak e kredituar por kjo linjë e re financimi, miratuar nga Banka e Shqipërisë në janar, ka filluar të ketë aplikimet e para në bankat e nivelit të dytë.
Sipas saj, miratimi i kësaj linje të re financimi prej 250 milionë euro për bizneset e vogla dhe të mesme, është kredia më e madhe e dhënë ndonjëherë për këta sektorë me normat e interesit preferenciale.
“Nga sektori bankar dhe bankat e nivelit të dytë na është shprehur se kjo normë interesi kaq e ulët ka qenë e aplikuar vetëm për kreditë për strehim. BSH ka nënshkruar kontratat me bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë filluar të lançojnë produktin e tyre. Disa kanë filluar edhe ta marketojnë atë dhe fermerët janë interesuar. Ka një interes të lartë. Kjo nismë ka impakt të konsiderueshëm në fushën e bujqësisë”, u shpreh Kuçi.
Në një intervistë televizive, ajo u ndal edhe te garancia sovrane, një skemë që i bashkëngjitet instrumentit financiar të Bankës së Shqipërisë prej 250 milionë eurosh.
“Instrument i rëndësishëm që i atashohet instrumentit financiar të Bankës së Shqipërisë, pasi nëse fermeri shkon dhe aplikon pranë bankës së nivelit të dytë për një kredi, nëse e bashkon me garancinë sovrane, norma e interesit ulet deri në 2 për qind. Për garancinë sovrane, institucioni që do të shërbejë si parafiltër i bankës do të jetë AZHBR“, shtoi Kuçi.
Kuçi bëri të ditur se, garancia sovrane do të jetë gati nga mesi i vitit.
“Garancia sovrane do të jetë gati pas mesit të këtij viti. Jemi duke diskutuar edhe me grupet e interesit të gjitha kriteret dhe karakteristikat që do të bëjnë garancinë sovrane”, u shpreh ajo. /j.p/