E Diel, 1 Nëntor 2026

26 monumente të reja natyrore në listën e mbrojtur, 59 të tjera kanë humbur karakteristikat

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Lista e Monumenteve të Natyrës në Shqipëri pritet të rishikohet, duke përfshirë propozimin për heqjen e 59 monumenteve që kanë humbur vlerat natyrore për të cilat janë shpallur të mbrojtura, si dhe përfshirjen e 26 objekteve të reja.

Ndryshimet parashikohen në projektvendimin e hedhur për konsultim publik nga Ministria e Mjedisit, i cili synon miratimin e listës së rishikuar dhe të përditësuar të Monumenteve të Natyrës, së bashku me hartën dhe koordinatat e tyre gjeografike.

Sipas dokumentacionit shoqërues të projektligjit, lista aktuale përmban 721 monumente të Natyrës, nga të cilat 297 biomonumente dhe 424 gjeomonumente.

Rishikimi është kryer në kuadër të detyrimit ligjor që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) të rivlerësojë listën çdo pesë vjet, me qëllim verifikimin e vendndodhjes, përditësimin e të dhënave dhe vlerësimin e gjendjes aktuale të monumenteve në terren.

Nga rivlerësimi i realizuar është propozuar heqja e 59 monumenteve. Arsyet lidhen me dëmtimin e rëndë ose zhdukjen e objekteve natyrore, prerjen, tharjen apo djegien e elementeve të mbrojtura, humbjen e karakteristikave që justifikojnë statusin e tyre, si dhe ndikimin e ndërhyrjeve njerëzore.

Ndër faktorët e evidentuar përmenden edhe proceset natyrore, si erozioni, rrëshqitjet e dheut, kushtet ekstreme të motit dhe ndryshimet hidromorfologjike, si dhe ndërhyrjet njerëzore, përfshirë ndërtimet, nxjerrjen e inerteve, ndotjen dhe shfrytëzimin e paautorizuar.

Paralelisht, janë identifikuar 26 objekte natyrore të propozuara për t’u përfshirë në listë. Vlerësimi i tyre është mbështetur në veçantinë e formacioneve gjeologjike, burimeve ujore, pyjeve monumentale dhe habitateve të rralla.

Në kuadër të verifikimeve plotësuese të kryera nga Agjencia Kombëtare të Zonave Mbrojtura dhe Administratat rajonale të Zonave të Mbrojtura, në qarkun Shkodër janë rikonfirmuar pesë monumente: “Gështenjat e Reçit”, “Lisi i Cilikojve”, “Shpella e Husit dhe Pusit”, “Shpella e Kataraktit” dhe “Shpella e Zanave”. Ndërsa për monumentin “Vidhat te Pusi i Markajve” është konstatuar se objekti nuk ekziston më në vendndodhjen përkatëse dhe është propozuar heqja e tij.

Në qarkun Dibër, për monumentin “Shpella e Gurit të Kuq”, në fshatin Muhurr, është konstatuar se hyrja rezulton e bllokuar nga depozitimet e inerteve që lidhen me aktivitetin e nxjerrjes së gurit. Bazuar në gjendjen e evidentuar dhe qëndrimin e AdZM-së Dibër, është mbajtur propozimi për heqjen e tij nga lista.

Ndërkohë, monumentet “Sterra e Borës” dhe “Sterra Uvlen” (Pusi i Ramies), në qarkun Berat, janë rikonfirmuar në terren dhe nuk është evidentuar nevoja për heqjen e tyre. Në qarkun Vlorë është konfirmuar gjithashtu vendndodhja e monumentit “Shpellat e Boderit”, i përbërë nga disa zgavra të vogla natyrore, me rëndësi lokale historiko-etnografike.

Projektligji trajton edhe statusin e tre monumenteve të shpallura me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave: zonën “Vlashaj”, në qarkun Dibër, me sipërfaqe 50 hektarë; zonën “Zhej”, në qarkun Gjirokastër, me sipërfaqe 1 500 hektarë; dhe “Habitatin e Tulipanit Shqiptar” (Tulipa albanica), në qarkun Kukës, me sipërfaqe 35,5 hektarë.

Për zonën “Zhej” është raportuar se ruan vlerat natyrore dhe të peizazhit, ndërsa territori ku ndodhet është përfshirë në Parkun Kombëtar “Zagori”. Për këtë arsye, dokumentacioni evidenton nevojën për qartësimin e statusit të saj në raport me aktin e veçantë të shpalljes dhe përfshirjen në parkun kombëtar.

Për zonën “Vlashaj”, sipas informacionit të AdZM-së Dibër, territori ka pësuar dëmtime gjatë viteve të tranzicionit dhe gjendja aktuale nuk justifikon vijimin e statusit të mbrojtjes. Për këtë arsye është propozuar heqja e saj nga lista.

Ndërsa monitorimi i kryer gjatë periudhës së lulëzimit të vitit 2026 për “Habitatin e Tulipanit Shqiptar” ka evidentuar se ai paraqitet në gjendje të mirë, pa ndryshime të dukshme në sipërfaqe dhe pa shenja të evidentuara të dëmtimit të numrit të individëve të species.

Një tjetër element i projektligjit është digjitalizimi i dokumentacionit teknik përmes pasaportave të standardizuara për secilin monument. Ato do të përmbajnë të dhëna morfologjike, biologjike dhe ekologjike, sipërfaqen, koordinatat gjeografike dhe materialin fotografik, duke shërbyer për dokumentimin, administrimin dhe monitorimin e tyre.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›