26 prokurorë të rinj i shtohen sistemit të drejtësisë, Çela: Do keni vështirësi, integriteti është çelësi i suksesit

Sistemit të drejtësisë në vend iu shtuan 26 prokurorë të rinj, të cilët zhvilluan sot (30 korrik) ceremoninë e betimit dhe emërimit të tyre në detyrë.
Në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u zhvillua ceremonia, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, bëri thirrje që profesionalizmi dhe përgjegjësia t’i shoqërojë gjatë gjithë karrierës së tyre.
“Niveli i përgjegjësisë duhet t’ju shoqërojë nga sot e në vazhdim në profesionin tuaj. Të bësh prokurorin është një detyrë e vështirë, jo thjesht zbatimi mekanik i ligjit, por një proces shumë më kompleks. Gjatë rrugëtimit tuaj do të përballeni me sfida që nuk i keni imagjinuar, por jam i bindur se do t’i përballoni dhe do t’u jepni zgjidhje,” u shpreh Çela.
Ai theksoi se ruajtja e integritetit profesional dhe përkushtimi ndaj detyrës janë parime të pandashme të këtij misioni, duke shtuar se prokuroria po kalon një moment të vështirë me mbingarkesën e punës
“Ruajtja e integriteti profesional ngelet e rëndësishme dhe të keni përkushtimin në raport me detyrën. Besoj fort se ju mund të bëni shumë për vendin por duke qenë përherë bashkë. Sistemi i drejtësisë dhe sidomos prokuroria po kalon moment të vështirë, mbingarkesën do e ndjeni në shpatullat tuaja dhe. Besoj se me entuziazmin që keni dhe mbështetjen e kolegëve do kryeni me sukses dhe profesionalizëm detyrën tuaj”, u shpreh Çela.
/rtsh.al/