Aksioni për lirimin e hapësirave publike – Në Elbasan dhe në Fier, qytetarët e mirëpresin

Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike. Në Elbasan janë njoftuar rreth 100 biznese për të liruar vullnetarisht hapësirat e zëna.
Një pjesë e madhe e tyre, sidomos në qendër të qytetit kanë nisur të largojnë tavolinat dhe karriget nga trotuaret.
“Në qytetin e Elbasanit, aksioni për lirimin e hapësirave publike është duke ecur me ritme të qëndrueshme, por mbi të gjitha me ndërgjegjësim qytetar. Deri më tani, një pjesë e tyre janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Bashkisë së Elbasanit me përgjegjësi dhe mirëkuptim”, tha gazetari i RTSH-së, Elbasan Enes Molla.
Po çfarë mendojnë qytetarët?
“Jam shumë dakord, ka pasur vështirësi në kalim. Për hapësirat publike jam dakord që të lirohen se s’kemi ku të kalojmë, na i ka zënë vendet” shprehet qytetarët.
Aksioni për prishjen e objekteve, mureve, konstruksioneve metalike po vijon edhe në qytetin e Fierit, ndërsa punonjësit e bashkisë dhe ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit kanë ndërhyrë edhe në brendësi të lagjeve aty ku banorët e kateve të para , kanë rrethuar tokën më gardh duke i shndërruar në kopshte
“Kjo është një lulishte e miratuar nga Bashkia Fier dhe është keq mbajtur keq qytetarët. Kanë bërë gardhe rrethuese dhe kanë mbjellë perime. Do t’i heqim dhe do të bëhet rikonstruksioni i këtyre lulishteve”, tha Arben Dimo, shef i Policisë Bashkiake, Fier.
Nëse lirimin i hapësirave publike nuk do të behet brenda afatit, qeveria ka lajmëruar gjobë për sipërmarrësit që refuzojnë prishjen e tyre.
Bizneset në Korçë nisin zbatimin e urdhrit të bashkisë për lirimin e hapësirave
Edhe bizneset që operojnë në qendrën e qytetit të Korçës dhe në zonën pedonale kanë nisur zbatimin e një urdhri të ri të Bashkisë, në kuadër të lirimit dhe sistemimit të hapësirave publike.
Të gjitha subjektet që më parë kanë qenë të pajisura me leje të përkohshme për zënien e këtyre hapësirave janë njoftuar për pezullimin e lejeve dhe për detyrimin që, deri më 2 gusht, të lirojnë ambientet që zënë.
Urdhri i cili është shpërndarë nga bashkia parashikon që bizneset duhet të heqin strukturat e përkohshme si: Konstruksione metalike, tenda, çadra, pedana dhe vazo dhe elementë të tjerë të ngjashëm.
Në njoftim theksohet se në rast mosrespektimi të afatit, pas datës 2 gusht do të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.
Në zbatim të këtij urdhri, që prej mëngjesit të sotëm, disa prej bizneseve kanë nisur vetë çmontimin e strukturave të tyre.
Ndërkohë, një përfaqësi e bizneseve do të zhvillojë një takim me kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ku do të kërkohet shtyrja e afatit deri më 15 shtator, për t’u përshtatur gradualisht me ndryshimet e kërkuara.
/rtsh.al/