Vrau efektivin e “Shqiponjave” në Fier se i tërhoqi vërejtje për shpejtësinë e makinës, burg përjetë për 23-vjeçarin

Gjykata e Fierit vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për 23-vjeçarin Azgan Mërnica, vrasësin e efektivit të Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia.
Mërnica u shpall fajtor për tri akuza: “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz të Fierit. Sipas hetimeve, konflikti nisi pas një paralajmërimi që efektivi i policisë i bëri Mërnicës për shpejtësinë dhe mosrespektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, pasi ky i fundit kishte hyrë me shpejtësi në kthesë.
Sipas Prokurorisë, pasi iu tërhoq vëmendja nga polici, Mërnica e ndaloi automjetin e tij, mori çantën ku mbante një armë zjarri dhe iu afrua mjetit të efektivit që ndodhej ende brenda. Ai nxori pistoletën dhe e qëlloi në fytyrë viktimën, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
/rtsh.al/