E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

26 vite elektriçiste, Hysenaj për ATSH-në: E vetmja grua në një profesion të projektuar për burrat

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Nëse kujtoni për një moment, personazhin e famshëm të Dedës në filmin shqiptar “Rrugë të bardha”, që “ngrin” në shtyllë në përpjekje për të ndrequr një defekt në linjën telefonike, jeta e Adriana Hysenajt ka qenë e ngjashme për nga vështirësia, në dimër, ngricë, borë apo në vapën përvëluese të muajve të verës.

Sot, Adriana Bega Hysenaj është 63 vjeçe dhe jeton në Ersekë, por 26 vite të jetës së saj ajo ia ka kushtuar profesionit të elektriçistit, duke u “vizatuar” gjithmonë si një grua me profesion burrash.

Jeta e saj ka qenë një kalvar vuajtjesh dhe vështirësish dhe më pas në zgjedhjen e një profesioni shumë të rrallë për gratë në Shqipëri.

“E kam nisur jetën në Sarandë, i kisha shumë qejf librat, por ka qenë një mësuese fizike, me emrin Kaliopi ajo që dalloi tek unë, një dhunti që nuk e kishin shumë vajza të tjera. Një ditë, në lëndën e fizikës do bënim lidhjen e një llambe me çelësin. Unë e realizova këtë lidhje, përmes një kordoni dhe llamba u ndez. Sigurisht, ky ishte momenti që mësuesja e pikasi këtë dhunti tek unë dhe në momentin që dolën bursat për shkollën e mesme, ka pasur ndërhyrje nga shkolla dhe mësuesja ime e fizikës që unë të ndiqja shkollën për elektriçiste”, thotë Hysenaj.

Pasioni i Adrianës ishin sporti dhe gjuhët e huaja, e në rastin më të vështirë do të ishte kuzhina, por kurrë nuk e kishte menduar që do të bëhej elektriçiste dhe ky do të ishte profesioni i saj i jetës. Një zgjedhje që ia diktuan mësuesit e saj, por që me kalimin e viteve ajo nisi ta pëlqejë duke mos hequr dorë për shumë vite prej tij.

Ajo e nisi profesionin e elektriçistes në Ersekë, aty ku është martuan dhe jeton aktualisht me familjen e saj.

“Puna e parë ka qenë në vitin 1998. Ndodhi një defekt në fshatin Luaras dhe ky ishte defekti i parë që duhej të riparoja. Bëhej fjalë për bashkimin e telave që ishin oksiduar në shtyllë. Në ato momente, m’u kujtua një porosi e profesorëve të mi që në rast se bëhet fjalë për riparim të një linje me lidhje të shkurtër, fytyra nuk duhet mbajtur para kuadrit të kabinës se mund të shpërthejë. Vura drurin te thikat dhe kontrollova dhe brenda pak minutave e riparova defektin e fshatit, duke sjellë dritë për të gjithë banorët e zonës”, thotë Hysenaj.

Gjatë 26 viteve të ushtrimit të këtij profesioni, Adriana kujton plot momente të vështira, të cilat i ka sfiduar. Puna ka qenë me rrezik edhe ndonjëherë me rrezik për jetën, duhej të merrje masat e sigurimit. Adriana tregon se terreni malor dhe i vështirë ja vështirësonte edhe më shumë punën, por asaj i duhej të përballonte gjithçka me përgjegjshmëri për punën.

“Ka qenë punë në kushte të vështira, në borë, në shi, në verë, në erë të fortë që të thante fytyrën. Një moment që më ka rrezikuar jetën ka qenë kur një linjë me tension të dyanshëm, për shkak të furtunës më kthen telin e energjisë në trup dhe unë rrëzohem, më pas më bie një derë hekuri mbi kurriz. Kam qëndruar një muaj në shtrat, pa mundësi për të lëvizur”, shton ajo.

Përgjatë 26 viteve punë në këtë profil të veçantë, nga elektriçiste, ajo ka kaluar edhe si lexuese sahatesh për disa vite, por punën e elektriçistes duke riparuar defektet në shtyllat e tensionit të lartë apo të ulët në Ersekë dhe fshatrat përreth, e kanë bërë punën e saj të vlerësuar nga njerëzit dhe qytetarët, përtej vështirësive dhe të papriturave.

“Unë e kam dashur shumë këtë vend, punën time. Kam bërë çdo ditë në këmbë 40 km për të mbërritur në defektet apo probleme në zona të ndryshme të Ersekës. Kam pësuar katër aksidente të rënda në punë, ndërkohë që kam sakrifikuar, por edhe shumë lot. Sepse unë e dua këtë profesion, dhe tani në pension ndiej se më mungon shumë”, përfundon ajo.

Momente nga puna e elektriçistes Adriana Hysenaj 1 nga 4

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›