28 Nëntori, Osmani: Kosova e Shqipëria ecin krah për krah si një komb

Në 28 Nëntor, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani teksa ka uruar të gjithë qytetarët shqiptarë, deklaron se kjo ditë shënon 4 ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë kombëtare sikurse: Ditën e Flamurit, të Pavarësisë së Shqipërisë, lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljes së parë publike të UÇK-së.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Osmani thekson se Kosova e Shqipëria ecin sot krah për krah si një komb, dy flamuj dhe një zemër.
“Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.
Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër. Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!
Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë”, shkruan Osmani.
/rtsh.al/