28 Nëntori festohet në Zveçan

PRISHTINË, 28 nëntor/ATSH/ Festa për nder të 28 Nëntorit, sot është shënuar edhe në komunën e Zveçanit.
Kështu në shkollën fillore “Isa Boletini” në fshatin Boletin është shënuar kjo festë me një manifestim ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe qytetarë tjerë. Po kështu në këtë festë, në shkollë nuk munguan as këngët folklorike.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci bëri homazhe edhe tek varri i heroit kombëtar Isa Boletini.
Po ashtu sot, krerët e shtetit tonë, qytetarë nga vendi dhe rajoni kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
113 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshojë vendin një qeverie të drejtuar nga një princ i huaj (Princ Vidi), i emëruar nga Fuqitë e Kohës. /KosovaPress//r.e/