3 burgime të përjetshme dhe 122 vite burg për Masakrën e Cërrikut
TIRANË- Prokuroria kërkoi dje dre dënime me burgim të përjetshëm dhe 122 vite burg për nëntë të pandehurit e akuzuar si autorë të Masakrës së Cërrikut më 23 maj të vitit 1997. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë pesë efektivë të policisë dhe Gardës së Republikës dhe 16 të tjerë u plagosen. Ishin prokurorët Adnan Xholi e Anton Martini, të cilët para pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Klodian Kurushi, lexuan 145 faqe pretencë, duke renditur kronologjinë dhe provat e mbledhura për ngjarjen e 14 viteve më parë.
Të pandehurit Meti Bozi, Llazar Bicja dhe Roland Sota (Xhepexhiu) janë cilësuar organizuesit e kësaj masakre, të cilët kanë gjetur mbështetje për të kryer këtë masakër nga të pandehurit Arjan Toska, Tomorr Buzani, Alban Toska, Bujar Buzani, Skënder Cani dhe Entel Gashi e bashkëpunëtor të tjerë ende të paidentifikuar. Të gjithë së bashku, nën drejtimin e tre organizatorëve janë furnizuar me armë dhe mëngjesin e datës 23 Maj 1997 i kanë pritur me plumba dhe granata dore e anti-tank forcat e policisë dhe Gardës së Republikës, të cilët kishin shkuar të qetësonin situatën e krijuar një ditë pas djegies së postës së policisë në këtë qytet. Për zbardhjen e kësaj masakre, sipas konkluzioneve të prokurorisë, një ndihmë të cilësuar ka dhënë edhe i penduari i bandës shtetasi Bujar Buzani, për të cilin prokuroria kërkoi dënimin vetëm me tetë vite burg, edhe pse ishte pjesëmarrës në masakër.
Dosja
Nga hetimi gjyqësor, është provuar se me datën 22 Maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë në Cërrik, nga ku janë larguar me forcë punonjësit e policisë. Të nesërmen me dt. 23 Maj 1997 forca të policisë së Komisariatit Elbasan të drejtuara nga shefi i atëhershëm i Komisariatit Agron Kuliçi (tashmë zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë) në bashkëpunim me forcat e Gardës së Republikës janë nisur në mëngjes drejt Cërrikut për të rivendosur rendin dhe për të grumbulluar armë të cilat gjendeshin nën posedimin e civileve të ndryshëm. Ndërkohë, të pandehurit Llazar Bicja, Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu të ardhur në dijeni të lëvizjeve të forcave policore drejt Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të Policisë. Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 Maj 1997 në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit: Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin Mandela.
Të pandehurit Meti Bozi, Llazar Bicja e Roland Sota (Xhepexhiu) kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë të cilët do të lëviznin nëpër qytet, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre. Tre organizatorët pasi i kanë armatosur njerëzit me armë të kalibrave të ndryshme, janë pozicionuar brenda ambienteve të Kinemasë së qytetit të Cërrik-ut, duke zënë pozicione në dritaret e kinemasë dhe në tarracën e saj dhe pallateve të qytetit që ndodhen buzë rrugës kryesore të Cërrikut në pritje të efektivëve të policisë. Aty rreth orës 8:30 minuta efektivët e policisë dhe Gardës së Republikës të hipur në dy kamionë të tipit IFA, një furgon i blinduar dhe dy diagaçë kanë hyrë në qytezën e Cërrikut. Sapo makinat e tyre kanë mbërritur në qendër të qytetasit, shtetasi Ardian Rama (aktualisht i vdekur) ka qëlluar me armë automatike në drejtim të tyre, goditje e cila ka shërbyer si indice për të kundërvepruar me armë nga ana e forcave të policisë dhe Gardës së Republikës.
Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë (diagaçi) ka qenë duke kaluar në qendër të qytetit të Cërrikut, përball me kinemanë e qytetit, fluksi i të shtënave në drejtim të forcave speciale të policisë ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore. Një nga vatrat kryesore të zjarrit ka qenë ndërtesa e kinemasë së qytetit ku kanë qenë të pozicionuar duke hapur zjarr me armë të ndryshme të pandehurit Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani (i vdekur), dhe Bashkim Buzani dhe vatra tjetër ka qenë taraca e një pallati që ndodhej përball me kinemanë e qytetit, ku ndodheshin i pandehuri Roland Sota (Xhepexhiu), si dhe shtetasi Klajdjan Mema (i vdekur), etj.
Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga ana e Sokol Buzanit (aktualisht i vdekur), veprime që kanë shkaktuar djegien e dy prej gardistëve që ndodheshin brenda saj dhe nga flaka janë detyruar personat e tjerë të dalin nga blindi e më pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të tre efektivave të tjerë Gardës. Në përpjekje për tu larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr. 1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Gardës, shtetasi Qemal Mehmeti. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie,- thanë prokurorët gjatë leximit të pretencës.
Buzani, i falen 15 vite burg se bashkëpunoi me prokurorinë
Për të zbardhur këtë masakër, sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, përveç provave të mbledhura nga organi i akuzës ka ndihmuar për zbardhjen e ngjarjes edhe dëshmia e të penduarit Bujar Buzani. Ky i fundit, edhe pse i pandehur në këtë proces penal, ka pranuar të bashkëpunojw me organin e akuzës, kundrejt përfitimit të uljes së dënimit përfundimtar që do të marrw nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Kështu që edhe dje, prokurorët e çështjes kërkuan të deklarojnë fajtor të pandehurin Buzani për akuzën e vrasjes dhe dënimin e tij me 23 vite burg. Por, fal marrëveshjes me organin e akuzës, këta të fundit kërkuan që përfundimisht për shkak të Bashkëpunimit me Drejtësinë i pandehuri Buzani të dënohet me vetëm me 8 vite burg.
DËNIMET
Met Bozi, me burgim të përjetshëm
Arjan Toska, me burgim të përjetshëm
Roland Soto (Xhepexhiu), me burgim të përjetshëm
Llazar Bicja, me 25 vite burg
Tomor Buzani, me 24 vite burg
Entel Gashi, me 22 vite burg
Alban Toska, me 22 vite burg
Skënder Cani, me 21 vite burg
Bujar Buzani, me 8 vite burg (të penduarit iu falen 15 vite burg nga bashkëpunimi)
Viktimat
Besnik Sula
Halit Haxhia
Bashkim Mnella
Sali Martini
Qemal Mehmeti
Petrit Ndoi
Të plagosurit
Gjergj Gjoka
Ded Margjoka
Ferd Laska
Pjeter Nikolli
Petrit Guda
Agron Kuliçaj
Pashk Ndreca
Dritan Hasa
Agim Biberi
Paulin (Vladimir) Ndoka
Petrit Nikolli
Luan Prenga
Fari Metaliaj
Petrit Gjoka
Pashk Doda
Sokol Kuça
