Reforma: Do hiqen 1750 ushtarakë, 80% e ushtarëve, vaksinë me detyrim
TIRANË- Reforma në Ministrinë e Mbrojtjes do të heqë brenda dy vitesh rreth 1750 ushtarakë nga puna. Reforma do të ndahet në dy pjesë ku 735 ushtarakë do të largohen nga puna që në një janar të vitit të ardhshëm, ndërsa pjesa tjetër në janar të vitit 2013. Ky fakt është deklaruar dje nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për çështjen e buxhetit.
Në shifrat e buxhetit të vitit 2012, Ministria e Mbrojtjes pranoi që kishte ulje të fondit të pagave dhe tha se kjo ishte pjesë e reformës. I pyetur nga deputetët Imami shpjegoi se ulja e fondit të pagave vjen për faktin se do të largohen nga puna 735 punonjës duke e çuar numrin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura në 11 mijë vetë.
Pjesën dërrmuese të buxhetit e zënë forcat e luftimit që kapin numrin e 4329 efektivë. Nënoficerët do të zënë 33 për qind të numrit të punonjësve buxhetorë, ndërsa ushtarët profesionistë 28 për qind. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura po rishikon strukturën e numrit të punonjësve si dhe numrin e punonjësve buxhetorë sipas kategorive për çdo strukturë të Forcave të Armatosura me qëllim ruajtjen e gjendjes së operacionalitetit të forcave në nivelet më të mira të mundshme brenda kuotave buxhetore të përcaktuara në projektligjin e buxhetit të viti 2012, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas treguesve të buxhetit të kësaj ministrie, buxheti në total do të jetë rreth 20 miliard lekë duke u rritur me 289 milion lekë. Por për anëtarët e Komisionit të Sigurisë, Ministria e Mbrojtjes në kundërshtim me legjislacionin, ka reduktuar personelin pa u autorizuar më parë nga parlamenti. Sipas nënkryetarit të këtij Komisioni, buxheti i caktuar për këtë ministri e bën të pamundur mbajtjen e numrit të personelit. Ne konstatojmë se ka një pamundësi për mbajtjen e numrit të personelit të Forcave të Armatosura. Artikulli paga është më i vogël se viti aktual deri në 500 milion lekë. Kjo dikton shkurtimin e personelit të këtyre forcave. Por, në strategjinë ushtarake të miratuar me ligjin 9858 datë 2007, përcaktohet se personeli i forcave të armatosura do të jetë jo më shumë se 14 mijë vetë. Shkurtimi dhe shtimi, është autoritet i parlamentit. Ai u reduktua në 12 mijë vetë pa autorizim të parlamentit. E njëjta gjë edhe në buxhetin e 2012 ku është parashikuar një shkurtim, i cili shtron pikëpyetje të shumta,- deklaroi deputeti Ilir Gjoni.
Ministri Arben Imami i justifikoi shkarkimet me reformimin e vazhdueshëm të ushtrisë shqiptare gjatë këtyre 20 viteve. Sipas ministrit Imami, dikasteri që ai drejton është në hapat e fundit të shqyrtimit të gjithë forcës dhe brenda vitit do të përcaktohet numri i personelit të Forcave tona të Armatosura për një afat të gjatë. Dua të theksoj këtu që reformat që janë kryer deri tani nga Forcat e Armatosura kanë qenë përgjithësisht reforma që kanë synuar uljen e numrit, janë nisur nga buxheti, janë nisur nga konsiderata edhe sociale. Këtu flas për të gjitha qeveritë në këto 20 vjet dhe besoj që ka qenë e natyrshme të mendohet kësisoj dhe të punohet mbi këtë bazë, por tashmë mbas dy vitesh në NATO, ne duhet të përcaktojmë përfundimisht strukturën e Forcës tonë për një afat kohor të parashikueshëm afatmesëm dhe ta konsolidojmë atë,- theksoi ministri Imami. Në mbledhje u shtrua problemi i heqjes së shpërblimeve apo të përfitimeve të tjera të ushtarakëve siç është e drejta e kredisë, e mbulimeve të shpenzimeve spitalore, mbulimi i qerasë së banesës dhe të favoreve të tjera.
Ushtria nuk ka uniforma
Ministri Imami pranoi problemet në veshjen e ushtrisë me uniforma, duke e justifikuar me kursimin e buxhetit. Por sipas tij situata do përmirësohet duke filluar nga viti i ardhshëm ku ushtria do të ketë veshjet e reja. Ministri Imami lajmëroi edhe rreshtimin e ushtrisë për 100 vjetorin e pavarësisë. Nuk po them se skanë mungesa në veshje. Edhe pse u investua, por meqë kemi menduar se do shkojmë me uniformën e re, kemi dashur që të mos bëjmë shpenzime të panevojshme. Por në 2012, uniforma e re do të futet. Shpresoj se një pjesë jo e parëndësishme do të mund të rreshtohet me uniformat e reja, theksoi ministri Imami.
Ushtarakët shqiptarë do të vaksinohen me detyrim
E gjithë ushtria shqiptare parashikohet që ti nënshtrohen vaksinimit vitin e ardhshëm. Ministri i Mbrojtjes, Imami shpjegoi se kjo është një procedurë e kërkuar nga NATO dhe është e detyrueshme për të gjithë suhtarakët. Sipas tij, efektivat që do të bashkëpunojnë me forcat e vendeve të tjera në operacionet jashtë vendit, në bazë të marrëveshjeve do të bëjnë vaksina shtesë. Opozita kërkoi që vaksinimi i Forcave të Armatosura të mos trajtohet si objektiv, por një detyrim i këtij institucioni në trajtimin e ushtarakëve. Nga dokumenti në prioritet vihet edhe fakti që do vaksinohen 80 për qind e ushtarakëve. Ky nuk është objektiv, është detyrim rutinë siç është trajtimi financiar, theksuan anëtarët e Komisionit të Sigurisë. .
Reklama
Reklama e Ministrisë së Mbrojtjes kthye objekt debate në Komisionin e Sigurisë. Deputetët e majtë akuzuan përfaqësuesit e kësaj ministrie për shpenzime të larta për spotin televiziv që kjo ministri realizon në dy televizione. Për të bërë reklama, për të treguar modernizimin e forcave të armatosura, Ministria e Mbrojtjes po paguan plot 700 mijë dollar. Vetëm për një reklamë që ka nisur të transmetohet dhe do transmetohet për dhjetë ditë para dhe pas edicioneve informative në Televizionin Publik Shqiptar dhe Televizionin Klan. 700 mijë dollarë për një reklamë. Ky më duket një element që duhet parë nga Ministria Mbrojtjes, deklaroi deputeti Ilir Gjoni.
Pozita merr drejtimin e Sigurisë
Për herë të parë gjatë kësaj legjislature, mbledhja e Komisionit të Sigurisë u drejtua edhe nga përfaqësuesi i opozitës Ilir Gjoni. Për arsye shëndetësore, kryetari i këtij komisioni Leonard Demo kërkoi vazhdimin e mbledhjes nën drejtimin e nënkryetarit Ilir Gjoni. Por drejtimi nga opozita u kthye në objekt batutash midis anëtarëve. Gjatë diskutimit, deputeti Paulin Sterkaj i PS bëri disa ndërhyrje pa leje duke detyruar nënkryetarin e Komisionit Ilir Gjoni që ti tërhiqte vëmendjen. Deputeti i qarkut të Shkodrës me batutë ia ktheu: Mesa duket qenka vendi që të bënka të tërheqësh veshin.
Shpenzime personeli
Emërtimi i programit Paga, shtesa Nr.punonjësve Paga mes.mujore
Ministria e Mbrojtjes 5,984,000 11,000 45.333
Planifikimi, Menaxhimi dhe Administ 432,250 387 93
Forcat e Luftimit 2,235,925 4,329 43
Arsimi Ushtarak 530,100 854 52
Mbështetje Shëndetësore 248,900 399 52
Mbështetja e Luftimit 2,004,825 3,956 42
Bashkëpunimi Civil-Ushtarak 532,000 1,075 41
Ushtria shqiptare
Oficer렠 N/oficer렠 Ushtarë Shuma Civile Totali
Ministria e Mbrojtjes 2,392 3,688
