E Diel, 1 Nëntor 2026

3 milionë euro tender me një punëtor

Me vetëm një punëtor të regjistruar, kompania Laguna Sh.p.k. ka fituar tenderin mbi 3 milion euro për të pastruar Qendrën Klinike Universitare në tre vitet e ardhshme. Në garë me tetë kompani të tjera, Laguna ka marrë tenderin të enjten, edhe pse ka pasur oferta të tjera më të lira.

Madje kjo kompani është shpallur fituese tri ditë para se zyrtarisht të përfundojë afati i ankesave. Vetë menaxherët e kompanisë Laguna e pranojnë se nuk janë marrë asnjëherë me pastrim, biznes ky i regjistruar në mars të vitit të kaluar.

Në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Tregtisë për regjistrimin e bizneseve mësohet se kompania “Laguna” me pronar Lorik Azemin ka vetëm një punëtor dhe kapital qesharak, gjithsej 2 mijë e 500 euro edhe pse kriter për ta fituar tenderin ka qenë qarkullimi prej dy milionë euro, shkruan gazeta Zëri.

E kishte ditur se do ta fitonte

Por edhe pse ka qenë larg përmbushjes së kritereve të këtij tenderit “Laguna” duke e ditur se do të jetë fituese e tenderit prej 3 milionë e 286 mijë euro që nga janari i këtij viti kishte nisur kërkimet për gjetjen e një kompanie me të cilën do të hynte në konzorcium.

“Në janar të këtij viti në takim erdhi njëri nga menaxherët në “Laguna” edhe më tha që ne veç e kemi marrë tenderin e sigurimit të QKUK-së por edhe se, edhe marrjen e tenderit të pastrimit e kanë punë të kryer”, tregon Betim Selmanaj, njëri nga pronarët e fi rmës “Selmans Network Sh.p.k”. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›