E Hënë, 2 Nëntor 2026

3 shqiptarë mbërrijnë me urgjencë në Tiranë pas përshkallëzimit të konfliktit Izrael–Iran, qindra të evakuar nga Ballkani

Një ditë pasi bëri me dije për evakuimin nga Izraeli të pesë shtetasve shqiptarë pas shpërthimit të konfliktit me Iranin, Ministri i Jashtëm Igli Hasani njoftoi se tre prej tyre mbërritën mëngjesin e sotëm (18 qershor) në Tiranë nga Athina dhe një tjetër bashkëkombës pritet të mbërrijë në mbrëmje.

“MEPJ përmes ambasadave të saj ka ndjekur me vëmendje në çdo etapë evakuimin e 5 shqiptarëve nga Izraeli, të cilët kanë mbërritur shëndosh e mirë në orët e para të mëngjesit në Athinë. 3 prej tyre kanë vazhduar rrugën dhe gjenden tashmë në Tiranë; njëri kthehet sonte në mbrëmje në Shqipëri; ndërsa personi i pestë është rezident në Greqi dhe do të qëndrojë në vendin fqinj“, njoftoi Hasani në rrjetin social Facebook.

Largimi i shtetasve shqiptarë u mundësua nga Ministria e Jashtme nëpërmjet ambasadave në Tel-Aviv dhe Kajro.

Qindra shtetas nga Ballkani evakuohen nga Tel-Avivi

Evakuimet e fundit vijnë pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, që ka detyruar vendet nga gjithë bota për largime masive si pasojë e bombardimeve të përditshme në të dyja shtetet e Lindjes së Mesme.

Greqia raportoi të mërkurën në mëngjes riatdhesimin e 105 qytetarëve të vet të bllokuar prej ditësh në Tel-Aviv.

Edhe Maqedonia e Veriut priti të martën vonë në aeroportin e Shkupit, grupin e parë të shtetasve të evakuar me një avion qeveritar nga Izraeli.

“Jemi ndër vendet e para në Europë që organizojmë dhe implementojmë me sukses kthimin e qytetarëve tanë nga zona e konfliktit,” deklaroi ministri i Jashtëm maqedonas, Timco Mucunski. Autoritetet në Shkup thonë se 28 individë kanë kërkuar të evakuohen, por fluturimet e radhës ende nuk janë përcaktuar.

Serbia po ashtu evakuoi me sukses disa shtetas nga Izraeli, sipas kryeministrit Djuro Macut, ndërsa Ministria e Jashtme e Malit të Zi apeloi qytetarët malazezë që të shmangin udhëtimet në Izrael edhe Iran deri në një njoftim të dytë “për shkak të situatës së përkeqësuar dhe rritjes së rrezikut ndaj sigurisë vetjake”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›