I vuri zjarrin banesës së një shtetaseje, me pretendimin se djali i saj i kishte para borxh, arrestohet 27-vjeçari

Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Roskovecit pasi i vendosi zjarrin banesës së një gruaje, me pretendimin se djali i saj i kishte para borxh.
Ka qenë shtetasja M.L., ajo e cila ka denoncuar se një person i paidentifikuar i kishtë vënë flakën banesës së saj. Si pasojë e zjarrit, fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz, por vetëm dëme të pjesshme materiale.
Pas verifikimeve, policia ka arrestuar 27-vjeçarin, banues në Fier.
“Menjëherë pas marrjes së kallëzimit të shtetases M. L., se një person i paidentifikuar i kishte vënë zjarrin banesës së saj, në lagjen nr. 1, gjatë kohës që ajo nuk kishte qenë aty, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit E. Z., 27 vjeç, banues në Fier.
27-vjeçari dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së shtetases M. L., me pretendimin se djali i kësaj shtetaseje i kishte borxh një shumë parash”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/