E Hënë, 2 Nëntor 2026

3 vatra zjarri aktive në vend. Në Finiq dhe Mallakastër era favorizon flakët, ndërhyrje nga toka dhe ajri

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri në vend, nga të cilat 3 mbeten ende aktive, konkretisht në Finiq, Mallakastër dhe Mirditë. Në Finiq dhe Mallakastër është intensifikuar puna nga toka dhe ajri për të frenuar përhapjen e vatrave dhe në mbrojtje të zonave të banuara.

Në Finiq, intensiteti i erës ndikoi në riaktivizim dhe përhapje të vatrave gjatë natës, ku 120 forcave operacionale në terren u janë bashkuar që prej orëve të mëngjesit dy avionët suedezë të siguruar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile dhe një helikopter i Forca Ajrore. Kjo ka bërë që flakët të shmangen nga zonat e banuara në fshatin Dhivër dhe Janicat.

Ministria e Mbrojtjes shprehet se “po punohet në frenimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave në perimetrin Navaricë – Memoraq dhe Rumanxë, dhe vigjilencë të shtuar në zonën e Leshnicës”.

Edhe në bashkinë Mallakastër zjarri vijon në fshatin Lofkënd, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha. Në vendngjarje po punojnë 11 automjete zjarrfikëse (përfshirë 2 të FA) dhe 130 forca nga të gjitha strukturat operacionale, me ndihmën e mjeteve ajrore. Situata është përmirësuar gjatë orëve të fundit, po vepron aktualisht dhe në avion Canadair i Forcës Ajrore kroate.

Një vatër e re është aktivizuar në fshatin Vjollcë në Mirditë, ku zjarri ka përfshirë pyll me pisha dhe shkurre. Pavarësisht ndërhyrjes deri në orët e vona nga shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, vatra nuk është izoluar. Era e fortë dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa terreni i thyer malor e bën të vështirë ndërhyrjen tokësore, megjithatë nuk ka rrezik për banesat.

Ndërkohë në lartësitë e Bërzhitës, ku dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme, forcat ndodhen në terren dhe momentalisht nuk ka asnjë rrezik për banesat.

Në total, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 48 automjete zjarrfikëse, 445 forca operacionale, 9 automjete të rënda, 73 ushtarakë, si dhe dy avionë suedezë të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›