Autoritetet franceze vënë nën kontroll zjarrin që dogji rreth 17 mijë hektarë tokë në jug të vendit

Një zjarr masiv që i mori jetën një personi dhe lëndoi mbi 10 të tjerë, teksa u përhap në 17 mijë hektarë tokë për tri ditë, është vënë nën kontroll.
“Ka mbetur ende punë për të bërë,” tha të premten Christian Pouget, prefekti i rajonit jugor francez të Aude-së, dhe shtoi se vatrat e zjarrit akoma nuk do të shpallen se janë shuar për disa ditë të tjera.
Rreth 2 mijë zjarrfikës janë në detyrë përreth vatrave dhe autoritetet e kanë ndaluar deri ditën e diel qasjen në pyjet e shkatërruara prej zjarreve. Sipas tyre, rrugët në këto zona janë të rrezikshme për shkak të linjave elektrike që kanë rënë dhe pengesave të tjera.
Prefekti Pouget ka thënë se dy mijë banorë janë detyruar të largohen këto ditë prej flakëve dhe nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre. Me qindra po flenë në palestrat e shkollave dhe në fshatrat aty afër.
Zjarri në Aude konsiderohet nga më të mëdhenjtë për rajonin mesdhetar të Francës në këto 50 vitet e fundit. Në fazën e tyre më intensive, flakët arritën të djegin gati 1 mijë hektarë tokë brenda një ore në qytetin e Narbonne-së. Një 65-vjeçare u gjet e vdekur në shtëpitë e saj të djegur, pasi kishte refuzuar që të evakuohej.
Vihet nën kontroll zjarri në Spanjë
Valët e nxehta të gushtit janë të pranishme në gjithë Europën Jugore.
Portugalia shtyu të enjten gjendjen e emergjencës për shkak të rrezikut të lartë prej zjarreve.
Spanja po ashtu po përjeton temperaturat 40 gradë Celsius në shumë rajone dhe sipas zyrtarëve, 1.060 vdekje më shumë në muajin korrik mund të jenë shkaktuar prej nxehtësisë së lartë.
Qyteza spanjolle e Tarifës ia doli të enjten që të shuajë një zjarr masiv afër hotelet dhe ndërtesave turistike, i cili më herët ishte përhapur nëpër qindra hektarë. /AFP
/rtsh.al/