Ardian Marashi: Debati për letërsinë, një tryezë kombëtare për zgjidhje
Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike e njëkohësisht autor tekstesh, shprehet se debati i hapur për kurikulën e re shkollore që parashikon letërsinë si lëndë me zgjedhje, është një problem kombëtar për të sotmen e të ardhmen. Sipas tij, kjo çështje nuk mund të lihet nën arbitrazhin e një aktori të vetëm, domethënë të Institutit të Kurrikulave apo të MASH dhe për këtë qëllim më 12 prill do të organizohet një konsultë kombëtare për të vendosur kontaktet e nevojshme mes aktorëve të politikave arsimore dhe publikut të interesuar.
Zoti Marashi, nga disa specialistë është konsideruar se letërsia në programin mësimor të gjimnazeve thuajse është inekzistente. Si do ta komentonit këtë vendim të hartuesve të programit?
Me programet e gjuhës dhe letërsisë të shkollës së mesme ka një problem real. Me qëllim për ta modernizuar programin dhe për ta afruar me shkollën perëndimore, Instituti i Kurrikulave ka miratuar një kurrikulë të re, me programe të ndryshme nga ata tradicionalët. Thelbi i ndryshimit është ky: gjuha dhe letërsia nuk shihen në mënyrë klasike si lëndë të veçanta, të cilat si i thonë fjalës mund të funksionojnë pavarësisht njëra-tjetrës, por i jepen nxënësit në formë të integruar, domethënë në plotësim dhe në funksion të njëra-tjetrës. Në planin teorik, kjo nuk do të duhej të përbënte një problem, meqenëse rrafshi integrues nënkupton dhe kërkon formim të dyanshëm të nxënësit, gjuhësor e letrar, me theksim përftimin nga nxënësit të njohurive e të shprehive të nevojshme për komunikim cilësor. Në vijim, kurrikula e re parashikon që, nxënësit e prirur drejt letrares, të mund të zgjedhin letërsinë nga grupi i lëndëve me zgjedhje. Në planin praktik, problemi shtrohet pikërisht këtu: ata nxënës që nuk do ta zgjedhin letërsinë, me çfarë do ta mbushin bagazhin e tyre kulturor? Ata mund të bëhen fizikanë të mbaruar, matematikanë konkurrues, historianë ekzigjentë e gjithçka tjetër, po ç’garanci kemi se do të mund të bëhen qytetarë të kulturuar? Po të nisemi nga premisa se, në kushtet e zhvillimeve shqiptare, letërsia është lënda që pozicionohet mirëfilli në kryqëzimin e të gjitha dijeve dhe e të gjitha përvojave kulturore, duke qenë njëherit edhe filozofi, edhe sociologji, edhe estetikë, edhe histori, edhe edukim qytetar e patriotik, atëherë pranojmë se diçka thelbësore është neglizhuar. Sa të drejtë kemi ne që t’i lëmë nxënësit të lirë për të zgjedhur ose jo thelbin? Aq më tepër që, tradicionalisht, përveçse ka nxjerrë shkrimtarë e poetë, letërsia ka qenë brumi që ka formuar brezat e gazetarëve, diplomatëve, politikanëve e madje edhe të juristëve, profesione pa të cilat nuk kuptohet dot një shoqëri e qytetëruar. A mund të përcillen të gjitha këto në ndërlidhje mekanike, apo “të integruar”, me gjuhën dhe me gjuhësinë? Personalisht, meqenëse kërkoni komentin tim, them “Po” për ciklin 9-vjeçar, them “Jo” për ciklin e mesëm.
çfarë mund të sjellë kjo për edukimin estetik të gjimnazistëve?
Edukimi estetik është një fjalë e madhe. Ai nuk realizohet vetëm nga letërsia, e cila në njëfarë kuptimi është aspekti më i vështirë i formimit estetik. Njerëz analfabetë mund të kenë një shpirt estetik aq të përpunuar, sa të realizojnë vepra të pavdekshme: në arkitekturë, në pikturë e skulpturë, në muzikë, në gdhendje e madje në letërsi. Fjala vjen, unë kënaqem estetikisht shumë më tepër nga “Këngët e Mujit e të Halilit”, sesa nga gjysma e letërsisë së shkruar shqipe. është personale, por ama ky është realiteti im. Dua të them se letërsia nuk është e vetmja garante e edukimit estetik të brezave te ne, madje ajo ka shërbyer për një periudhë si arma e Partisë për ç’estetitizimin e masave: dëmi estetik që ajo farë letërsie ka sjellë, është i dukshëm gjithkund në ambientin rrethues e deri në mentalitetin e njerëzve. Estetika mund të përcillet edhe përmes matematikës, edhe përmes fesë: e ngjizur me fe dhe me matematikë, “Komedia Hyjnore” e Dantes mbetet një ndër veprat më të realizuara në pikëpamje estetike.
A duhet të vazhdohet të merret i mirëqenë ky program, çfarë duhet bërë?
Ky program është i mirëqenë, meqenëse mbi bazën e tij janë bërë e po bëhen tekstet. Ama është i diskutueshëm. Në disa pika, fort i diskutueshëm, për vetë faktin se konceptohet si një shkëputje e plotë nga tradita arsimore e shkollës shqipe. Që ne deri më sot nuk kemi ndjekur traditën më të mirë, këtë e pranojmë të gjithë. Por a duhet të orientohemi symbyllur dhe të çmontojmë gjithçka që paraardhësit tanë e kanë ngritur me shumë mund e duke kapërcyer shumë pengesa? Programi, po edhe kurrikula, duhen stabilizuar duke kërkuar konsensusin sa më të gjerë të publikut: të specialistëve, mësuesve, nxënësve, autorëve të teksteve etj. Një problem me përmasa kombëtare për të sotmen e të ardhmen, që lidhet drejtpërdrejt me formimin e qytetarëve të rinj shqiptarë, nuk mund të lihet nën arbitrazhin e një aktori të vetëm, domethënë të Institutit të Kurrikulave apo të MASH. Për këtë qëllim, pra për të vendosur kontaktin e nevojshëm mes aktorëve të politikave arsimore dhe publikut të interesuar, Qendra e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me MASH thërrasin, më datë 12 prill, një konsultë kombëtare, e cila do të diskutojë mbi “Politikat shkencore për lëndët e gjuhës dhe të letërsisë në arsimin shqiptar”. Besojmë se, kur vullneti për t’i zgjidhur gjërat ekziston, atëherë edhe gjërat nisin të gjejnë zgjidhje.
#