E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i Ballkanit, edhe pa Serbinë

Organizatorët: Nuk mund të plotësohen kërkesat e Beogradit për Kosovën

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Herman van Rompuy, komisari i Zgjerimit, Stefan Fule, dhe sipas të gjitha gjasave, ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, kanë konfirmuar ardhjen në Samitin e thirrur nga Sllovenia dhe Kroacia, të shtunën, më 20 mars, në Bërdo afër Kranjit në Slloveni. E vetmja dilemë mbetet nëse do të marrë pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Organizatorët e samitit kanë hequr dorë nga kërkimi i formulave që Kosova të ftohet si “UNMIK/Kosovë” apo “Kosovë/UNMIK”, apo ndonjë formulë tjetër sa për të kënaqur Serbinë. Mësohet se disa shtete të rëndësishme të BE-së u kanë sugjeruar organizatorëve që “kurrsesi të mos i bëhen lëshime Serbisë, sepse ajo mund të inkurajohet në drejtim të gabuar dhe të mendojë se me sjelljen e saj kushtëzuese do të diktojë modalitetet se si do të zhvillohen takimet dhe kush mund të marrë pjesë”. “Ne kemi investuar shumë këto javë, që t’i tregojmë Serbisë se do të mbetet e izoluar në rajon, nëse nuk sillet në mënyrë konstruktive rreth pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale. Po t’u bëhej lëshim politikanëve të Serbisë në këtë rast, atëherë ata do të merrnin krah dhe do të silleshin në mënyrë edhe më të ashpër”, ka thënë për “Kohën Ditore” një diplomat nga një vend i rëndësishëm i BE-së. Ai, megjithatë, ka shprehur shpresën se Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, do të jetë i arsyeshëm dhe do të vijë në Bërdo të shtunën. “është e vërtetë se Serbia është ndër shtetet më të rëndësishme në rajon, ndoshta edhe më i rëndësishmi, por kjo nuk i jep Beogradit të drejtë të sillet në këtë mënyrë dhe të orvatet të diktojë axhenda dhe kushte”, thotë një diplomat tjetër. “është mirë se, me apo pa Serbinë, samiti do të zhvillohet”, shton ai. Disa diplomatë mendojnë se edhe pjesëmarrja në nivel kaq të lartë e Këshillit të BE-së, duke dërguar vetë presidentin e parë të Bashkimit Europian dhe Presidencës spanjolle, e cila dërgon ministrin e Jashtëm, do të jetë një lloj presioni ndaj Serbisë që të mos refuzojë ardhjen. “Koha është që të hapim faqe të reja në raportet mes vendeve të rajonit”, thonë diplomatët në BE.

Në të njëjtën kohë, organizatorët ende besojnë se e kanë “formulën magjike” që do t’i kënaqë të gjithë dhe të sigurojë pjesëmarrjen e të gjithë “përfaqësuesve politikë të rajonit”. Një burim i afërt me organizatorët e samitit ka thënë se “kemi formulë që Kosovën të mos e ftojmë as si ‘UNMIK/Kosovë’ e as me ndonjë prapashtesë apo parashtesë tjetër, e në të njëjtën kohë pjesëmarrja e të tjerëve të mos thotë njohje e Kosovës në mënyrë eksplicite as implicite, e kjo vlen jo vetëm për Serbinë, por edhe për Bosnjë-Hercegovinën dhe Spanjën që gjithashtu e kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës”, ka thënë ky burim. Edhe kjo deklaratë lë të kuptohet se takimi, sipas të gjitha gjasave, do të organizohet si “samit joformal i liderëve politikë” pra, pa përmendur funksionet dhe emrat e shteteve të pjesëmarrësve. Kështu, për herë të parë, pas 18 vjetësh liderët politikë të vendeve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, duke shtuar edhe Shqipërinë, do të takohen në të njëjtin vend ku në vitin 1991 liderët e republikave të atëhershme të ish-Federatës Jugosllave, pa sukses, u takuan në përpjekje të gjejnë rrugë për ristrukturimin e shtetit të përbashkët apo për shpërbërjen paqësore të atij shteti. 18 vjet më vonë, Sllovenia dhe Kroacia mendojnë se rajoni është shumë më i avancuar dhe mund t'i ofrojë Bashkimit Europian po ashtu kontribut pozitiv. Motoja e samitit do të jetë “së bashku për Bashkimin Europian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen evropiane”. Takimi është thirrur nga Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, dhe kolegia e tij kroate, Jadranka Kosor. Edhe vetë fakti se Sllovenia dhe Kroacia së bashku organizojnë një takim të tillë, është përshëndetur nga disa vende të BE-së, sepse tani, pasi kanë zgjidhur mospajtimet e tyre, këto dy shtete paraqiten si vende që janë shembull për të tjerët në rajon.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›